Gara skëterre me automjete, në rrezik fëmijët e shkollave

438
Sigal

SARANDË/Banorët: Jemi kthyer në shoqërues të fëmijëve. Policët e ‘të fortët’, ‘kampionë’ të mjeteve pa apo me targa të huaja

Gara skëterre me makina e motorë të fuqishëm, pranë e në hyrje të shkollave, në rrugë kryesore e rrugica të qytetit të Sarandës po rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve. Ndërkohë, Policia Rrugore, pothuaj është inekzistente. Përballë kësaj situate, nga frika e aksidenteve, qytetarët, në masë, janë detyruar që të shoqërojnë vetë fëmijët në shkollë e t’i marrin ata. Nuk është hera e parë që kjo problematikë pasqyrohet në faqet e “Telegraf”-it dhe ajo që na bën përshtypje, është fakti se, ndaj këtij fenomeni shqetësues dhe kërcënues për fëmijët e arsimit para universitar në Sarandë, jo vetëm që nuk merren masa parandalimi, por situata sa vjen dhe rëndohet, sidomos nga motoçikletat zhurmëmëdha dhe ulërima nga shtrëngimi i gazit. Janë shumë motoçikleta të fuqishme që kanë hyrë kohët e fundit nga Greqia dhe të guiduara nga të rinj sarandjotë, që gjatë ditës shkaktojnë ndotje të papërballueshme akustike në mjediset shkollore, por orët e mesditës janë më kërcënuese, koha kur nxënësit dalin prej procesit mësimor. Në rrugë e trotuare sheh lloj – lloj skenash të frikshme e të rrezikshme dhe policët në këtë orë zhduken si me magji. Jo vetëm motoçikleta, por edhe automjete të guiduara nga adoleshentë paraqesin rrezikun e kërcënimit të jetës së qytetarëve dhe të fëmijëve, aq më keq që guidimi bëhet nga persona pa patentë dhe me mjete pa targa, por këtu policia e Sarandës stonon se kohët e fundit në vet komisariatin e policisë janë shtuar mjetet pa targa, ose me targa të huaja. Janë me dhjetëra të tilla që janë shtuar në përdorim të punonjësve të policisë, krahasuar me tre muaj më parë. Pra mund të themi se ka një lulëzim të këtij tregu brenda uniformave blu, pa folur për dokumentacionin tjetër që automjeti duhet të ketë sipas ligjeve të shtetit. Pra në këtë situatë nuk ka se si tu kërkohet llogari adoleshenteve që shkelin çdo rregull të qarkullimit rrugor, që shpesh janë edhe fëmijët e atyre që e quajnë veten “të fortët”. Shqetësimi prindëror dhe qytetar për këtë kaos dhe pasiguri në Sarandë, ende nuk po gjen mbështetje nga institucionet shtetërore, ndërkohë që, policia është hedhur në sulm për gjoba ndaj mjeteve të parkuara dhe targave nga rrethet e tjera. Fëmijët i ruan zoti!? Dhe ku? Në institucionet shkollore të arsimit të detyrueshëm.