Artur AJAZI/ Kush e bën ligjin në Shqipëri?

929
Sigal

Në vitet ‘80, në kinematë tona, nisi të shfaqej një film italian, me temë luftën ndaj bandave mafioze të policisë dhe krejt strukturave të shtetit fqinj, të angazhuar në një sulm frontal bashkë me organet e drejtësisë. Pas shumë betejash me mafiozët, komisar Bertone u vra. Njerëzit asokohe shtypeshin në radhën e biletave dhe e shikonin filmin nga 2-3 herë. U pëlqente loja e aktorëve, subjekti, por nuk e kuptonin (edhe unë gjithashtu) se çfarë kuptimi kishte titulli i filmit. Sot pas afro 30 vitesh, titulli i atij filmi “Kush bën ligjin”, është refreni i bisedave tona në jetën e përditshme. Po ndalem më konkretisht në një problem të kthyer kronik tashmë. Konflikti mes firmave të ndërtimit dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky problem rezulton gjithnjë me humbje të palës shtet, në dëm të pasurisë nëntokësore mbi të cilën ndërtohen përditë. Para disa vitesh në shtyp u deklarua shpallja e luftës mes firmave të ndërtimit, që operojnë në qytetin e Durrësit, dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Prej vitesh kjo betejë ka qenë e nëndheshme dhe një disfatë për institucionet e shtetit. Firmat shkelin ligjet, kurse IMK i bllokon dhe pas zhurmës mediatike, shihet se ndërtimet vazhdojnë  me “konsensus” që në gjuhën e publikut quhet ndryshe “korrupsion”. Megjithëse, publikohet shpesh se, “një firmë ka paditur Institutin e Monumenteve të Kulturës”, është Prokuroria e Durrësit që i është shmangur çdo informacioni. Ndërkaq, biznesmenë ndërtimi e persona që kanë lidhje me monumentet në Durrës thonë se, është firma që e ka bërë këtë padi penale. Në Durrës ka firma të gjobitura deri në 50 milionë lekë gjobë, ka firma të denoncuara nga Instituti i Monumenteve për dëmet që i kanë shkaktuar qytetit 3 mijë vjeçar historik e monumental. Një vit më parë u gjendën të hedhura në fushën e plehrave të qytetit, në Porto Romano, gjurmë arkeologjike dhe vlera të çmuara. Dega rajonale e Monumenteve të Kulturës, e denoncoi në media firmën për dëmin e shkaktuar, duke deklaruar se, “do ta denonconte në prokurori firmën në fjalë”, dhe më në fund u shfaq hapur beteja juridike mes IMK  dhe firmave. Vonesat e përcaktuara në ligj të shkaktuara nga ana e Institutit kanë shërbyer si ‘Casuz Belli’ për të nisur një kundërgoditje juridike. Sipas ekspertëve juridikë, IMK “nuk kishte respektuar afatet që i njeh ligji për dërgimin e specialistëve arkeologë për mbikëqyrjen e punimeve gjatë gërmimeve të dherave” ku do të ngrihen pallatet. Të paditurit, kundërpaditës siç njihen në terminologjinë juridike, nuk kanë toleruar më vonesat, të cilat do të thonë humbje shumash të mëdha dhe kanë kundërpaditur në Prokurori. Shpesh specialistët e arkeologjisë në Durrës, kanë dhënë  alarmin për dhunën që ushtrojnë firmat e ndërtimit në nëntokën arkeologjike të qytetit. Nga verifikimet që kemi bërë në terren deri tani, na shqetësojnë firma ndërtimi, të cilat kanë shkatërruar pasurinë arkeologjike gjatë gërmimeve për ndërtimin e pallateve, ne kemi ngritur zërin lidhur me nënvleftësimin që kanë dëshmuar deri tani pronarët e këtyre subjekteve pasi nuk kanë marrë mundimin as të dëgjojnë vërejtjet e bëra. Situata mbetet alarmante pasi “firmat kanë injoruar çdo zë specialisti”. Në morinë e probleme me të cilat është ndeshur departamenti Arkeologjisë veçanërisht pas viteve 2000, specialistët kanë veçuar dëmet e pariparueshme që kanë sjellë gërmimet dhe betonimi i vendeve në pesë pika të cilësuara shumë të nxehta përsa i përket dëmtimit të pasurisë së nëntokës së Durrësit. Janë 7 sheshe ndërtimi problematike ku gjatë gërmimeve janë dëmtuar si dhe janë evaduar për në pikat e grumbullimit të materialeve inerte, shumë gjetje me vlera arkeologjike. Departamenti i Arkeologjisë nuk është përfshirë në detyrimin e subjekteve të ndërtimit për të pasur në marrëveshjen për ndërtim edhe të një eksperti të arkeologjisë. Kjo i ka dhënë mundësi industrisë së ndërtimit të shpërfillë çdo ankesë e protestë të  tyre. Ndërtuesit kanë dëmtuar pasurinë arkeologjike të zbuluar nga gërmimet dhe materialet janë hedhur buzë kanaleve, dhe padyshim fajtor mbetet edhe pushteti vendor. Kjo pasi ky i fundit nuk ka përfillur kërkesat e departamentit dhe nuk ka ndikuar aspak tek firmat e ndërtimit për të zbatuar ligjin. Sipas legjislacionit në fuqi, në rastet kur gjatë gërmimeve zbulohen rrënoja arkeologjike, subjekti ndërtues detyrohet të ndërpresë punimet e të vërë në dijeni pushtetin vendor dhe departamentin e kulturës. Nisur nga masakra reale e ndodhur në Durrës, logjika e gjitha këtyre veprimeve me pasoja të rënda për trashëgiminë arkeologjike ka një prapavijë të përcaktuar. Në mënyrë të përsëritur çështja është e njohur për drejtuesit e bashkisë si dhe për Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Durrësi ka disa projekte për ekspedita arkeologjike, dhe dueli Prokurori-Institut Monumentesh nuk është i ri. Ndër precedentët kryesorë përmendet rasti, kur Prokuroria ishte vetë shkelëse dhe dëmtuese, pasi ndërtoi më 2005-ën, në mënyrë të paligjshme një shtesë pallati që bllokoi fushëpamjen e një objekti me vlera historike për Durrësin, siç është Pusi i Top- Hanes. Ish-drejtori i atëhershëm i Ateliesë së Monumenteve te Kulturës për Durrësin, Idriz Balani, kurajoz, e bllokoi ndërtimin e shtesës, por më në fund Prokuroria, organi që do të mbronte ligjshmërinë, e shkeli atë dhe e ndërtoi shtesën. Një kundërshtim tjetër ishte ndaj një leje për tu përdorur një objekt historik si lokal, leje të cilën e kishte miratuar paraardhësi i tij, të cilit i kushtoi largimin nga vendi i punës. Raste të tilla nuk mbarojnë, janë të pafundme, ndaj sërish si qytetar shtroj pyetjen: kush e bën ligjin në Shqipëri?

Gjiri i Durrësit i mbushur me objekte arkeologjike

Gjiri detar i Durrësit është i mbushur me objekte arkeologjike, të cilat saktësojnë periudhën 20-shekullore, nga shekulli i VI-të para erës sonë deri në fillimin e pushtimit otoman- thotë Anastasi. Nga viti 2007 deri sot specialistët e arkeologjisë nënujore janë rikthyer disa herë tek gjiri i Durrësit me zbulime të reja, deri tek “Dyrrachium -3. Ekspeditat e përbashkëta të Institutit të Arkeologjisë me fondacionin amerikan RPN – NF.  Gjatë vitit 2013 janë mjaftuar me 10 ditë skanime nënujore  përfshirë edhe gjirin e Vlorës. Pranë reliktit “Dyrrachium 3″ janë gjetur edhe objekte të tjera në zbulimet mesdhetare, dhe një element të anijes “tubulum fitilu”, që mund të jetë pjesë e setinës së anijes, apo mund të këtë shërbyer për të bllokuar ngarkesën gjatë lundrimit. Por veç materialit arkeologjik gjatë vitit 2013, janë zbuluar edhe dy spiranca, si elementë plumbi të një spirance detare me përdorim gati mijëvjeçar, duke nisur nga shek. 6-të para erës sonë, si dhe një krah spirance 2300-vjeçare. Në 10 vitet e fundit, në brigjet detare, falë bashkëpunimit të peshkatarëve durrsakë janë zbuluar pesë spiranca që mbulojnë një periudhë 1000-vjeçare të lundrimit. Elementët e gjetur përcaktojnë madhësinë e anijeve që lundronin pranë brigjeve shqiptare dhe se tipologjitë e spirancave të zbuluara deri tani në Mesdhe janë gjetur edhe në bregdetin shqiptar. Spirancat e dimensioneve të mëdha për anijet e periudhës antike, janë dëshmi e pranisë së anijeve mbi 300 ton, mjaft të mëdha për kohën, dhe të vëllimit të shkëmbimeve tregtare mes Ilirisë dhe vendeve të Pellgut. Porti i Durrësit dallohej pikërisht për vëllimet e mëdha dhe reliktet e gjetura vërtetojnë se këto anije i drejtoheshin ose po niseshin nga qyteti bregdetar. Sitet arkeologjike nënujore të Durrësit duhet të vendosen nën mbrojtjen e shtetit, ashtu si kanë vepruar Mali i Zi, Kroacia, Greqi e Italia. Kjo pasi dëmet e shkaktuara nga “arkeomafia” nënujore mund të rrezikojnë zbulimet e reja, të cilat përveç mbrojtjes duhet t’i nënshtrohen një procesi të mirëfilltë studimor, që kërkon financime.