Fier, shpërthim në një pus nafte, evakuohen banorët në rrezik banesat

538
Sigal

Shpërthen një fontan i një pusi nafte në fshatin Belin në zonën e Marinzës në Fieri që administrohet nga Bankers Petroleum. Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se pusi nuk ishte në punë në kohën e shpërthimit. Shpërthimi ka shkaktuar panik, pasi rrezikon banesat e fshatit, të cilat ndodhen pranë pusit, ku ndodhi shpërthimi. Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar nga shpërthimi, ndërkohë specialistët po tentojnë të shmangin pasojat e shpërthimit, pasi vijon të çlirohet gaz dhe naftë bruto. Për arsye sigurie janë evakuuar banorët banesat, e të cilëve ndodhen pranë pusit. Banorët e alarmuar rrëfejnë momentet e shpërthimit, ndërkohë që një banor i zonës shpreh shqetësimin për një tjetër pus që rrezikon banesat e tyre pasi ndodhet në oborrin e familjes së tij. Shkak mendohet të jetë bërë grumbullimi i gazit si një proces i zakonshëm i puseve të bllokuara të naftës që shpërthen në formë fontane. Në afërsi të pusit ndodhen 5 banesa, banorët e të cilave janë përshirë nga paniku. Sipas ekspertëve ndërtimi i banesave në të tilla zona, ku ka puse nafte nuk lejohet. Gazi që çlirohet po rrezikon jetën e banorëve të zonës dhe po bëhet shkak për përhapjen e sëmundjeve kancerogjene. Rasti skandaloz i ndodhur dje tregon se Prokuroria dhe Shteti duhet të fillojnë hetimet për të gjithë aktivitetin e kësaj kompanie në lidhje me ankesat e banorëve për shpërthimet dhe plasjet e shtëpive, si dhe të verifikohen të gjitha hipotezat e hedhura për kontrabandë nafte si dhe të kontrollohen vendimet e gjykatës në lidhje me milionat e vendosura nga doganat dhe mosmarrëveshjet me Tatimet.