EMRI/ Ndihmoi 7 turq, arrestohet punonjësja e policisë në Rinas

500
Sigal

Një tjetër punonjëse e policisë ka përfunduar në pranga. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arrestoi në flagrancë një punonjëse të Policisë Kufitare në Rinas nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sipas të dhënave zyrtare, dyshimet për implikimin e punonjëses së policisë Brunilda Duda, me detyrë kontrollore në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Emigracionit Rinas, lindën pas kapjes së 7 shtetasve turq, që tentuan të kalojnë kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, të cilët deklaruan se kishin hyrë nëpërmjet Rinasit në Shqipëri.

Nga hetimet e kryera rezultoi se këta shtetas janë lejuar të hyjnë në territor në mënyrë anti ligjore, nga punonjësja e policisë Duda, duke mos kryer regjistrimin në sistem.

Tashmë mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Hetimet po vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë. SHÇBA garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim në media dhe nga qytetarët dhe i nxit ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë.

ARRESTIMET DJE
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHCBA) në Gjirokastër ka arrestuar dje 6 punonjës te Policisë Kufitare për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithashtu është arrestuar edhe një qytetar nga Fieri, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

SHCBA ben me dije se pas një hetimi disa mujor pro-aktiv me metoda speciale të hetimit, SHÇBA ka goditur veprimtarinë e paligjshme të ushtruar nga 6 punonjës policie dhe disa shtetas, në vijën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë, në zonën e Kakavijës.

Duke shpërdoruar detyrën, këta punonjës policie në kohë të ndryshme kanë lehtësuar kalimin e paligjshëm nëpërmjet vijës së gjelbër, kundrejt shpërblimit, për shtetas të ndryshëm që kanë patur probleme me lëvizjen në zonën ‘Shengen’.