Droga në Durrës, arrestohet një i katërt, në kërkim dhe 3 biznesmenë

503
Policia e Durrësit vijon punën për dokumentimin e plotë të operacionit “Poker” ku u kapën 1 ton drogë në port. Kështu pas hetimeve blutë kanë ndaluar një person të katërt dhe kanë shpallur në kërkim tre të tjerë të dyshuar si të implikuar në trafikimin e drogës.
Kështu është arrestuar 25-vjeçari Bledar Osja, banues në Mabë, Lezhë. Gjithashtu, filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
• Ndoc Deda, 42 vjeç, banues në Shkodër, pronar i një firme;
• Faik Hasani, 43 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pronar i një firme;
• Kristian Brigja, 24 vjeç, banues në Baks–Rrjoll, Shkodër.

Droga në port, “koduar” me letra bixhozi
Një ditë pas sekuestrimit të një sasie prej afro 1 ton kanabis në portin e Durrësit, burime zyrtare nga policia bën me dije se rrjeti i drogës drejtohej nga trafikantë në Milano të Italisë. Mësohet se 5 persona nga vendi fqinj kanë financuar blerjen e lëndës narkotike në Malësinë e Madhe. Ndërkohë, ka arritur në 3 numri i të arrestuarve në lidhje me këtë ngjarje. Bëhet fjalë për 51-vjeçarin nga Tirana, Albert Doku, pronarin e kamionit ku u gjet sasia e madhe e drogës; 36-vjeçarin Ervin Pëllumbi po nga Tirana, shoferi i mjetit si dhe 55-vjeçarin Gani Bushati ngaShkodra, i cili dyshohet se është personi që siguronte hashashin që kishte si destinacion Italinë. Sipas burimeve të mësipërme, asnjëri prej personave të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Poker” nuk ka pranuar se ka qenë në dijeni të trafikuttë drogës me vlerë 1 milion euro.
HETIMET
Hetuesit e çështjes kanë zbardhur dhe skenarin e trafikut të hashashit. Ata bënë me dije se droga (1 mijë euro kilogrami) në sasi të mëdha ishte porositur prej disa blerësve në Milano të Italisë. Lënda narkotike është siguruar në Malësinë e Madhe dhe është grumbulluar e paketuar në një magazinë në Bushat të Shkodrës. Po të njëjtat burime pohuan se pakot e drogës kanë pasur disa shenja dalluese, letra bixhozi, kryqe të kuq, fasha blu, të zeza si dhe shenja të tjera.
Specialistët e Antidrogës sqaruan se shenjat ose kodet e shënuara mbi pako janë vendosur me porosi të blerësve. Kjo, me qëllim që kur malli të dorëzohej në Itali, secili prej porositësve të tërhiqte mallin e tij, në bazë të kodit që u ishte vendosur pakove të kanabisit. Sipas hetuesve, trafikantët nga Italia paguanin për blerjen, magazinimin, paketimin dhe transportin e drogës deri në Milano ku më pas dilte në treg me pakicë. Sasia prej afro 1 ton kanabis u sekuestrua rreth orës 17:30 të së dielës, në vendin e quajtur vija e dytë në Pikën Kufitare të Portit të Durrësit. Gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin me targë TR 8201 R dhe trailer me targë TR 1681 T, me drejtues mjeti Ervin Pëllumbin. Droga ishte fshehur në 10 baleta me dru zjarri, ku pas peshimit të saj rezultoi se pesha totale e saj ishte 983 kg e 845 gr. Blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe kamionin, 4 aparate celularë dhe një sasie prej 2.150 eurosh.
Sigal