Veliaj inspekton punimet e bulevardit të ri: Park qendror më i madh se parku ‘Rinia’

577
Paralelisht me projektin e ri të zgjatimit të bulevardit, Bashkia e Tiranës do të nisë punimet edhe për ndërtimin e një parkingu me kapacitet 400 vende, i cili do ta kthejë stacionin e vjetër të trenit në një zonë transporti urban qytetas. Gjatë inspektimit të punimeve në bulevardin e ri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se në dy muajt e fundit, ky projekt ka ecur më shumë se në katër vitet e shkuara. “Kemi marrë një vendim që në mes të bulevardit të kemi një park qendror, shumë i ngjashëm me atë që qytetarët kanë parë në Nju Jork ose në qytete të tjera të rëndësishme të botës”, deklaroi Veliaj. Ai tha se vendimi i parë i marrë nga bashkia për këtë projekt ishte pasja e një parku qendror, rreth 6 herë më të madh se parku “Rinia”, i cila vjen në dobi të qytetarëve dhe shton vlerën e pronës në këtë zonë të Tiranës. Sipas tij, qytetarët e njësisë nr. 11 kanë nevojë që bulevardin, bashkë me zhvillimin dhe urbanizimin që sjell ai, ta shohin edhe si një hapësirë argëtuese dhe çlodhëse.

Kryebashkiaku falenderoi familjet tiranase, të cilat janë treguar shumë bashkëpunuese për çështjen e shpronësimeve, në mënyrë që puna të ecë më shpejt. “Ne do të marrim masa që, ashtu siç vepruam te Liqeni Artificial, të sistemojmë të gjitha familjet, qofshin këto të komunitetit rom, apo të komuniteteve të tjera, në banesa të ngjashme ose më të mira se ato që kanë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se një tjetër lajm i mirë është edhe rinegocimi i kontratës me fondin Abu Dhabi, që qyteti të mos rëndohet nga interesat financiare, të papërballueshme për financat e bashkisë. “Po gjejmë konsensus për të ulur pak normat e interesit dhe për t’u siguruar që kontrata të zgjatet. Kjo na lehtëson edhe mënyrën se si ne bëjmë pagesat dhe financimin nga Bashkia e Tiranës”, tha ai. Ndërsa, theksoi se vizioni për të pasur një park qendror vjen si nevojë edhe për të shkarkuar mbingarkesën e qytetit, duke u zgjeruar në drejtim të lumit të Tiranës.

“Një tjetër lajm i mirë për qytetarët është se shumë shpejt fillojmë punimet për parkingun 400 vendesh në zonën ku sot ndodhet stacioni i vjetër i trenit”, tha Veliaj. Ai sqaroi se, bashkia do ta kthejë stacionin e trenit në Tiranë, jo në stacion mallrash, por në shërbim të transportit publik. “Kjo zonë do të jetë një stacion urban qytetas për pasagjerë, kurse procesimi i mallrave do të ndodhë jashtë Tiranës. Në asnjë vend të botës nuk ka nostalgji për të pasur përpunim mallrash në stacionin qendror të qytetit, prandaj do të rikthejmë stacionin e qytetit vetëm për pasagjerët”, tha Veliaj. Bashkia e Tiranës së shpejti do të ketë një prezantim të plotë të të gjitha ndryshimeve që i janë bërë projektit të bulevardit të ri, i cili sot quhet projekti i “Parkut Qendror të Tiranës” dhe i “Parkut të Lumit të Tiranës”.
Sigal