Një grup kriminal me shqiptarë dhe italianë është goditur në Itali.
Pas një hetimi nga Prokuroria e Financave dhe Antimafia për trafikun ndërkombëtar të drogës, janë lëshuar 30 masa paraprake.
Sipas medias italiane, shqiptari Albert Turja dhe vëllai i tij kordinonin të tjerët me drogën që mbërrinte në portin e Livornos nga Ekuadori.
Në portin e Livornos, një qendër vendimtare e trafikut të drogës, ndërhyjnë kryesisht trafikantë shqiptarë, rumunë dhe italianë.
Ngarkesat e kokainës bliheshin në Kolumbi, duke mbërritur në Itali nga Ekuadori, të fshehura mes arkave me banane ose frutave të tjera ekzotike.
Në portin e Livornos, një qendër vendimtare e trafikut të drogës, ndërhynë “skuadrat” e rikuperimit, kryesisht trafikantë shqiptarë, rumunë dhe italianë.
talianët të cilët sipas prokurorisë, ishin përfaqësues të ‘ndrina Molè’, një bandë kalabreze nga fusha e Gioia Tauros e specializuar në trafikun e drogës.
Sipas mediave italiane, menaxhues i ekipeve të ndërhyrjes në portin e Livornos, ishte një shqiptar 44-vjeçar, Albert Turja, banues në Santa Croce sull’Arno, por edhe me interesa në Firence, ku ai zotëron një hostel në “via Martelli”, shumë pranë nga sheshi “Duomo”, të cilin ai e drejton me gruan e tij.
Turja është një nga personat e arrestuar gjatë aksionit që shpërbëu organizatën, i zbuluar nga Policia Financiare e Pizës e koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Firences.
Në përfundim të hetimeve që nisën në vitin 2021, të mërkurën e 7 nëntorit, u kryen 30 masa paraprake sigurie midis Toskanës, Kalabrisë, Lazios, Pulias, Kampanias dhe Lombardisë: 23 persona u arrestuan, 6 në “arrest shtëpie”, një me “detyrim paraqitje”.
Hetimi i koordinuar nga zëvendësprokurori i Firences, Luca Tescaroli i cili së fundmi mori detyrën e kreut të Prokurorisë së Pratos ka të bëjë me organizatë kriminale që synon trafikun e drogës me rrethana rënduese të transnacionalitetit.
Sipas prokurorisë, për të menaxhuar trafikun e drogës që do të importohej në Itali, eksponentë të organizatave italiane mafioze, “Ndrangheta” (Kalabri), Camorra (Napoli) dhe një bande shqiptare, e cila kishte degë në Belgjikë, Shqipëri, Francë dhe Gjermani, si dhe në Kolumbi dhe Ekuador, ishin krijuar aleanca të ngushta.
“Hosteli ynë, lexohet në faqen e internetit të godinës në ‘via Martelli’, lindi nga nisma e Albertit dhe gruas së tij, të cilët, të shtyrë nga dashuria e tyre për qytetin e Firences, vendosën të krijojnë një mjedis në të cilin, ata që vijnë nga jashtë, mund të shijojnë plotësisht atmosferën tokane”.
Por sipas hetimeve të Guardia di Finanzas, puna e vërtetë e Albertit, i cili përfundoi në burg së bashku me vëllain e tij Rolandin, 38 vjeç, nuk ishte ajo e një sipërmarrësi në sektorin e hotelerisë, por si trafikant droge.
Ai ishte organizatori i “degës” toskane të bandës, i cili me kriptofon mbante kontakte telefonike me bashkëpunëtorët e tij në Ekuador, ata që financonin blerjen e drogës direkt në Kolumbi dhe mbi të gjitha ishte ai, sipas asaj që doli nga hetimet e Prokurorisë Antimafia, që menaxhonte momentin më delikat të importit të drogës, atë të “daljes” nga porti.
Një gjë që dekreton suksesin apo dështimin e operacionit, duke qenë se në pak minuta, trafikantët e drogës mund të shohin miliona euro të zhduken.
Nga përgjimet e “Sky ECC”, rezultoi se vëllezërit Turja kishin bashkëpunëtorë brenda portit të Livornos, të cilët mund të kontrollonin se ku ndodhej kontejneri për të cilin ishin të interesuar, por ende nuk janë identifikuar.
Teknika e përdorur nga skuadra, ishte gjithmonë e njëjtë: inspektime me dylbi, duke pritur për mbërritjen e anijes që mbante kontejnerin me drogën, ndonjëherë edhe duke përdorur një kallam peshkimi për t’u shtirur si një peshkatar në det për të mos tërhequr shumë vëmendje.
Pasi kontejneri identifikohej, ekipi kishte për detyrë të vendoste GPS-in me një kartë në emër të një të personi të grupit për të ndjekur lëvizjet e tij dhe për të ndërhyrë, kur kontejneri zbrazet nga ngarkesa ligjore dhe për këtë arsye vendosej në një zonë me vigjilencë të ulët.
Aty, gjatë natës, grupi “i rekuperimit”, mund të çmontonte kontejnerin, të nxirrte drogën dhe mbi të gjitha të vendoste gjithçka në vend për të mos lejuar që dikush të vërente pjesët e shkëputura dhe të njoftonte policinë siç ka ndodhur tashmë në disa raste.
Më pas, për transferimin e drogës përdoreshin makina me funde të dyfishta, disa të ardhura direkt nga Shqipëria.
“Ekipi i rikuperimit” ishte i pajisur nga organizata me të gjitha mjetet e punës: trapano, gërshërë, prerëse telash, levë, thasë për të mbajtur drogën dhe gjithashtu litarë dhe parzmore në rast se droga ishte vendosur shumë larg në kontejner.
Kur situata ishte shumë e ndërlikuar, grupi arriti të merrte edhe një ekip të specializuar nga Shqipëria, “profesionistë të lirë” të vërtetë, të cilët paguheshin me lëndë narkotike, përgjithësisht 30 për qind të vlerës së kokainës që rekuperonin.
Ishte gjithmonë Albert Turja ai që kujdesej për logjistikën: ai gjente vendin që t’i linte anëtarët e tij ku të qëndronin gjithë natën dhe një ditë para aksionit, i hipte në një barkë për të kryer kontrolle dhe më pas u tregonte se ku duhej të parkonin makinën për të mos u ballafaquar me policinë, e cila kalonte çdo orë dhe të shmangnin dyshimet, duke dalë jashtë perimetrit të sistemit të kamerave të sigurisë së portit livornez.