Berat/ Përvetësoi pensionet e 50 pensionistëve, ‘arrest me burg” për postierin

443
Me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, gjykata e këtij rrethi ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Klodian Xhaferraj, me funksion postier, pasi dyshohet se ka përvetësuar pensionet që u takonin për muajin qershor të rreth 50 të moshuarve. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Nga hetimi i Prokurorisë së Beratit, nisur në bazë të kallëzimit të filialit të Posta Shqiptare Berat, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjësi i postës, në funksion të pozicionit të tij, ka pasur për detyrë të shpërndajë pensionet për muajin qershor 2015. Por, ka rezultuar se shuma prej rreth 500 mijë lekë të reja nuk ka shkuar në destinacion, pra tek pensionistët.
Shtetasi Xhaferraj është pyetur fillimisht nga prokuroria për këtë rast dhe ka pranuar se ka tërhequr shumat e parave për pensione në datat 18-19 qershor 2015. Por, lidhur me faktin se këto para nuk janë shpërndarë, ai ka nxjerrë justifikime të ndryshme, të cilat nuk konsiderohen të besueshme për organin e prokurorisë. Në këto kushte, Prokuroria e Beratit ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, si person i dyshuar për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata e Beratit.
Sigal