Atentat në Durrës, vritet me 5 plumba biznesmeni i  njohur

487
Sigal

Policia: Viktima njihet si rival i  të dënuarit Lul Berisha dhe i  dyshuar për një vrasje. Pista e hetimit, hakmarrja.

Krimi trondit përsëri qytetin bregdetar. Viktimë e radhës është një biznesmen i  njohur i  qytetit të Durrësit, i  njohur si rival i  kapobandës Lul Basha (tashmë i  dënuar) dhe i  dyshuar si autor i  një vrasje më parë. Ndërkohë, sipas hetimeve të para të policisë, shkak i  ekzekutimit dyshohet të jetë hakmarrja që e ka zanafillën që nga ngjarjet e vitit 1997 e në vazhdim. Mësohet se viktimë është Leonard Murataj, pronar i  një lokali të njohur në qendër të qytetit e buzë detit. Ndërkohë, qytetarët, nisur nga numri në rritje i  atentateve e kriminalitetit në tërësi, po ndjehen përherë e të pasigurt për jetën dhe pronat e tyre.

NGJARJA

Një 50- vjeçar, pronar i  një lokali në sheshin “Iliria” në Durrës është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, pranë Bashkisë së qytetit bregdetar, ku viktimë është Leonard Murataj, i  cili është qëlluar me 5 plumba pistolete në derën e lokalit të tij “Center”. Nga të dhënat e para mësohet se ndaj tij është qëlluar nga një automjet, duke i  shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme biznesmenit 50- vjeçar. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, e cila është vënë në ndjekje të makinës nga ku është qëlluar, dhe nga të dhënat e para, bëhet e ditur se, automjeti i  atentatorit, është drejtuar për nga Fushë-Kruja.  Ndërkaq, blutë e qytetit bregdetar kanë shoqëruar për të dëshmuar personat e pranishëm në lokal, si dhe kanë ngritur postblloqe në rrugët kryesore të qytetit. Pista kryesore e hetimeve të policisë është hakmarrja, pasi biznesmeni 50- vjeçar rezulton me precedentë të mëparshëm penalë

PRECEDENTËT

Murataj, viktima e mbrëmjes së djeshme, sipas konfirmimeve zyrtare, njihet me precedentë penalë dhe si rivali i  Lulzim Berishës. Nga kontrolli paraprak, rezulton se pronari i  lokalit “Center” është një person me precedentë penalë, ku më 2005 akuzohej për vrasjen e Klodjan Saliut, një prej anëtarëve rival të bandës së Lulzim Berishës. Murataj është arrestuar më 2005 nën akuzën e vrasjes së Saliut, vrasje kjo e ndodhur më 1998-n, por është lënë i lirë pasi drejtësia nuk arriti të verifikojë veprën penale ndaj tij. Sipas burimeve nga policia e Durrësit, Murataj ka qenë rivali i Lulzim Berishës, ndërsa dikur ishte miku i  tij.