Arrestohet në flagrancë 37 vjeçari në Tiranë, vendoste baste me anë të celularit

Një 37 vjeçar është arrestuar në Tiranë gjatë ditës së sotme, pasi ushtronte aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Sipas njoftimit të policisë, 37 vjeçari është arrestuar në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit me anë të celularit dhe gjatë kontrollit nuk i është bindur punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit.

Sigal

Njoftimi i policisë Tiranë:

Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.

Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një tjetër rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Arrestohet në flagrancë 37-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari, i cili gjatë kontrollit fizik, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë. 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi:

– E. M., 37 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të celularit, në rrugën “Tom Plezha”, dhe gjatë kontrollit nuk i është bindur punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit.    

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.