Aksidentoi për vdekje italianin që udhëtonte me motor/ 30-vjeçari shqiptar rrezikon dhjetë vite burg nëse provohet se ishte nën efektin e drogës

163
Sigal

Ekspertët e drejtësisë italiane do të përcaktojnë nëse i riu shqiptar që aksidentoi për vdekje italianin Enrico Occhini ishte nën efektin e drogës kur makina e tij goditi motorin e Occhinit apo jo.

Eksperti i caktuar nga gjyqtarja hetuese Giulia Soldini do të ketë 30 ditë kohë për të kryer hetimet, ndërsa vendimi për shqiptarin pritet të jepet ditët e fundit të qershorit, kur të dëgjohet e gjithë ekspertiza.

Në atë ditë të 31 korrikut 2020 në timonin e makinës përgjatë autostradës 73, ishte një i ri shqiptar, i cili akuzohet për vrasje në rrugë. Dilema që gjyqtari kërkon të zgjidhë është nëse shqiptari ka qenë nën efektin e drogës apo jo.

Nëse do të konfirmohej përdorimi i substancave narkotike, rrethanat për shqiptarin do të rëndoheshin edhe më shumë. Avokati mbrojtës i 30-vjeçarit kërkoi dy konsultime teknike: një raport për dinamikën e aksidentit dhe një për të vënë në pikëpyetje marrjen e substancave psikotrope.

Familjarët e italianit që ndërroi jetë në aksident nuk do të mund të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit pasi në proceset civile tashmë kanë marrë dëmshpërblim nga sigurimi dhe për rrjedhojë nuk mund të marrin pjesë në procedimin penal.

Ndërkaq, 30-vjeçari ka kërkuar të gjykohet me një dënim të shkurtuar. Nëse provohet se shqiptari ka marrë substanca narkotike ai rrezikon një dënim që do të shkojë nga 5 deri në 10 vjet burg.