1.4 vite burg për Fatmir e Florim Kajollin, dhunuan numëruesin e votave

481
Gjykata e Fierit ka shpalljen fajtor Fatmir dhe Florim Kajollin, duke dënuar me nga 1 vit e 4 muaj burgim secilin, për akuzat e “kanosjes ose dhunimit të pjesëmarrësve në zgjedhje”; “kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë pas zgjedhjeve locale.
Organi i akuzës Fier thotë në pretencën e saj se në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në Fier, Roland Bylyshiqë ishte një nga numëruesit për zgjedhjet e Këshillit Bashkiak teksa po dorëzonte procesverbalin e numërimit të votave është goditur me grusht dhe me tub hekuri deri sa ka humbur ndjenjat nga Fatmir dhe Florim Kajolli.
Dy të akuzuarit, që tashmë kanë marë dënimin, pasi dhunuan Bylyshin, kanë shkatërruar sistemin e monitorimit të procesit zgjedhor dhe kanë dhunuar edhe Rufat Cuku-n që ishte roja i objektit ku ishte ngritur KZAZ.
Informacioni i plotë i Prokurorisë
Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën për shpalljen fajtor të shtetasve Fatmir Kajolli dhe Florim Kajolli, dhe i ka dënuar me nga 1 vit e 4 muaj burgim secilin, për akuzat e “kanosjes ose dhunimit të pjesëmarrësve në zgjedhje”; “kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”, për një ngjarje të ndodhur në datë 24.06.2015, dy ditë pas zgjedhjeve lokale të zhvilluara në Shqipëri.
Sipas hetimit të Prokurorisë së Fierit rezulton se, në atë datë, rreth orës 01.15, në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) me nr .57, e cila ndodhej në shkollën “Janaq Kilica”, në lagjen “Kastriot”, Fier, shtetasi Roland Bylyshi, me detyrën e numëruesit për zgjedhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Fier, në momentin që po dorëzonte procesverbalin e numërimit të votave brenda KZAZ, është goditur me grusht dhe me tub hekuri deri sa ka humbur ndjenjat nga shtetasi Fatmir Kajolli, në bashkëpunim me djalin e tij, Florim Kajolli.
Shtetasi Roland Bylyshi ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në spitalin e Fierit për ndihmë mjekësore. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai ka bërë kallëzim penal.
Autorët e kësaj ngjarjeje, Fatmir Kajolli dhe Florim Kajolli, pasi kanë goditur derisa ka humbur ndjenjat Roland Bylyshin, kanë shkatërruar me dashje sistemin e monitorimit të procesit zgjedhor, duke rrëzuar në dysheme 7 televizorë LG dhe shtyllat mbajtëse, si edhe kamerën vëzhguese.
Gjatë keqyrjes, kamera vëzhguese lëshonte sinjal alarmi dhe kishte dalë jashtë pune. Po kështu, televizoret LG u gjetën të rrëzuar përtoke dhe të fikur. Procesi i numërimit të votave është ndërprerë.
Pasi kanë shkatërruar sistemin e montorimit me dashje, Fatmir dhe Florim Kajolli janë larguar nga KZAZ dhe kanë goditur rojen, Rufat Cuku, që ndodhej tek porta hyrëse e KZAZ, duke i shkaktuar dëmtime në krah dhe këmbë.
Veprimet e tyre ndaj këtij punonjesi policie i kanë kryer për shkak se ka mbyllur derën për të mos i lejuar të largohen. Pasi e kane goditur punonjësin e policisë kanë arritur të largohen dhe të fshihen pas kësaj ngjarjeje.
Fillimisht, gjatë fazës së hetimeve, ndaj të pandehurve, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, e cila u zbut në vijim nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë, pavarësisht faktit se masa e dhënë nga gjykata e shkallës së parë nuk ishte ekzekutuar ende.  
Sigal