Ndërron jetë një nga aktivistët më të vjetër të fesë islame në Tiranë, myezini i xhamisë së Kokonozit, Rrahman Balla

224
Sigal

Pas një sëmundje të rëndë, që e vuante prej disa vitesh ndërron jetë një nga aktivistët dhe shërbyesit më të vjetër të Fesë Islame në Tiranë, ish-mësuesi i Kuranit në Medresenë e Tiranës, Rrahman Balla.

Menjëherë pas rihapjes së fesë profesor Rrahmani, ashtu siç njihej nga të gjithë aktivizohet fillimisht me kurset e Kuranit Famëlartë, që u hapën njëkohësisht me rihapjen e Medresesë në mjediset e Xhamisë së Kokonozit në Pazarin e Ri në Tiranë. Gjithmonë i buzëqeshur me njerëzit dhe me xhematin e gjeje vazhdimisht në safin e parë të xhamisë.

Megjithëse vuante nga sëmundja e Parkinsonit vitet e fundit mundohej të ishte aty në safin e parë dhe për sa Zoti i dha fuqi ai e thërriti ezanin, duke i ftuar besimtarët në namaz. Në vijim po japim një jetëshkrim të shkurtër të profesor Rrahmanit.

 

 

 

 

 

 

 

Rrahman Balla (1935-2020)

Ka lindur në Farkë më 13 mars 1935. I kryen studimet fetare të mesme në Medresenë e Tiranës në vitin 1956. Pas Medresesë vazhdon një vit studime në Institutin Pedagogjik të Tiranës për mësuesi dhe në gusht të vitit 1957 jep mësim për herë të parë në Krujë, për të vazhduar më tej në fshatrat Milot e Borizanë. Vazhdon të japë mësim si mësues fillore e i tetëvjeçares në fshatin e vendlindjes në Farkë.

Në vitin 1977 zhvillon një kurs specializimi një-vjeçar për biologji dhe ushtron mësuesinë deri në vitin 1990, kohë kur del në pension. Në vitin 1991 e deri më 1993 me rihapjen e Medresesë së Tiranës në anekset e xhamisë së Kokonozit u mëson Kuranin nxënësve të Medresesë. Vazhdon të shërbejë në këtë xhami edhe më pas në tetor të vitit 2000 caktohet si myezin i xhamisë së Kokonozit, duke zëvendësuar myezinin e mëparshëm Haxhi Sula. Ndërron jetë më 4 gusht 2020.