Mark Rica: Një takim mbresëlënës me mjeshtrin e zooteknisë dhe veterinarisë shqiptare Prof. Dr. Thanas Piu

160
Sigal

Parafjalë.

U takuam me profesorin në Tiranë pas 25 vitesh. E kam njohur në Institutin e Lartë Bujqësor kur ai ishte pedagog dhe ne studentë. Si atëherë, trup imtë, aktiv dhe me një memorje të shkëlqyer. U ndjeva i befasuar kur prof. Thanasi, pas dy dekata e gjysmë pa u takuar, më thirri me emër…

Ai sapo ka mbushur 85 vjeç, por përsëri punon në zanatin për të cilin është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Bukureshtit në vitin 1962, si zooteknik.

Pas kthimit nga Rumania, gjatë viteve 1962-1967, ka punuar zooteknik në Kooperativën Bujqësore Budull e pastaj kryezooteknik i rrethit të Krujës. Në vitet 1967-1973, ishte pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor Kamëz, dhe nga viti 1973 deri në vitin 1980, kryezooteknik në të parin kompleks insustrial të shpendëve në Tiranë. Në vitet 1980-1989, u emërua specialist dhe pastaj shef sektori në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë.

Prof. Thanas Piu është një ndër specilistët më të shqur të vendit në fushën e kërkimeve shkencore të zooteknisë. Ai ka një shkallë të lartë kualifikimi dhe ka kryer një seri kualifikimesh pasuniversitare brenda e jashtë vendit si, në Itali, SHBA, Rumani etj. Ai ka shkruar e botuar 12 libra e tekste mesimore, si dhe një numër të madh artikujsh shkencor në organet periodike për teknologjinë e rritjes, mbarështrimit dhe të ushqyerit të blegtorisë.

  1. Çfarë e shqetëson sot mjeshtrin e Zooteknisë shqiptare Prof. Thanas Piut?

“Pasioni për profesionin, por edhe motivimi për të kontribuar sa të mundem, më nxisin që të punoj edhe sot në moshën 85 vjeçare”. – thotë Prof. Thanasi. “-Edhe se këtë vitë bëj 62 vite punë, pa ndërprerje, kurrë nuk jam lodhur nga puna. Jam gëzuar kur kemi pas rezultate të mira, por edhe jemi hidhëruar kur kemi dështuar. Ama, hidhërimi me i madh është sot, kur profesioni i zooteknikut po dështon, bashkë me blegtorinë e këtij vendi që po paksohet dita-ditës. Thashë se profesioni i zooteknikut po dështon pasi nuk ka më zooteknikë. Është e pabesueshme, por në Universitetin Bujqësor Kamëz, (në Fakultetin e Zooteknisë), dëgjova se janë rregjistruar vetëm dy studentë…Nuk mund të ketë blegtori të zhvilluar pa profesionistë, si zooteknikë e veteriner. Po të ketë të tillë, nuk ka nevojë për ngritjen e “akademive të barinjve”që pati bërë opinionin të qeshi ish Ministrja e Bujqësisë, para tre vitesh…”

Pas vitit 1990 kontributi drejtues e shkencor i Prof. Thanas Piut ka qënë i pranishëm në fermat e rritjes së shpendëve, si te: Floriani, Aiba, Beata, Driza etj. etj. Ai edhe sot i ndjek me pasion ecuritë e këtyre fermave, e sidomos të fabrikave të përpunimit të ushqimeve blegtorale, pasi në këtë sektor ka mungesë të theksuar të specialistëve.

Ndërsa kuvendonte, sytë dhe fytyra e profesorit pasionant, shprehnin hapur shqetesim për situatën e sotme aspak të mirë. Ai si atdhetar ka kontribuar mbi 6 dekada në sektorin e blegtorisë…

“-Deri në vitin 1990 çdo vitë diplomoheshin në Fakultetin e Zooteknisë 80-90 zooteknikë, si dhe me qindra zooteknikë në arsimin e mesëm në të gjithë Shqipërinë…” vijoj bisedën profesori…

Pas prishjes së kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqesore, (1991) një pjesë e zooteknikëve kaluan në arsim si mësues në shkollat 8-vjeçare, një pjesë emigruan jashtë shtetit, e pjesa tjetër mbetën pa punë…

”-Eshte i dhimbshme fakti sesi pas vitit 1990, u mbyllën njëri pas tjetrit; -Instituti Kërkimeve Zooteknike, -Instituti i Misrit dhe Orizit, -Instituti i Perime-Patateve, -Instututi i Foragjerëve, -Instituti i Kërkimeve Bujqësore Luzhnje, Instituti i Mbrojtjes së Bimëve…. e me rradhë…”, e mbylli bisedën Mjeshtri i Madh i Zooteknikës shqiptare Prof. Thanas Piu.

  1. Disa statistika trishtuese:

Kur po shkruaja këto rradhë për specialistin pasionant të zooteknikës, Prof. Dr. Thanas Piu, mendova të publikoj disa të dhëna statistikore, tepër trishtuese për ekonominë e vendit tonë, që synon të zhvillohet nëpërmjet turizmit..

Sipas INSTAT-it, nga viti 1990, deri në vitin 2023, numri i krerëve të blegtorisë, e si rrjedhojë edhe prodhimet blegtorale, janë ulur në mënyrë drastike.
Konkretisht:

  • Numri i gjedheve në dhjetorin e vitit 2023 ishte 41. 5 % e numrit të gjedheve të vitit 1990, ose 370 mijë krerë më pak.
  • Numri i bagëtive të imta në dhjetorin e vitit 2023 ishin 66 % e numrit të krerëve të vitit 1990, ose 945 mijë krerë më pak.
  • Numri i krerëve të derrave në Dhjetorin e vitit 2023 ishin 52.2 % e numrit të krerëve të vitit 1990, ose 105 mijë krerë më pak.

Kështu u paksuan numri i njëthundrakëve dhe pulave…

Rezulton se ritmet e rënjes kanë vazhduar nga viti në vit edhe në dhjetëvjeçarin e fundit; 2013-2023. Konkretisht: -Sipas INSTAT, në dhjetorin e vitit 2023, -gjedhet u paksuan me 235 mijë krerë; -të imtat me 890 mijë krerë, -derrat me 37 mijë krere. Po kështu shpendët e njëthundrakët kanë pësuar rënje nga viti në vit.

(Shifrat e detajuara jepen në tabelën e poshtëshënuar).

Numri i blegtorisë së Shqipërisë në vitet 1990. 2013, 2023 (Sipas INSTAT).

Në mijë krerë.

Nr Emërtimi i krerëve. 1990 2013 2023

1 Gjedhe gjithsej. 632.6 mijë,  498 mijë, 263 mijë

– Lopë. 400.5 mijë, 356 mijë, 232 mijë

2 Të imta gjithsej. 2.791 mijë, 2.736 mijë, 1.846 mijë

3 Derra. 220 mijë, 152 mijë, 115 mijë

4 Njëthundrakë. 221 mijë, 93 mijë, 67 mijë

5 Shpend. 11.900 mijë,  8.907 mijë, 7.031 mijë

Arsyet e kësaj gjendje të rëndë dihen tashmë, por unë po rendis vetëm disa:

  • Braktisja e fshatrave dhe lënja e tokave djerrë. Gjithashu prerja pa kriter dhe djegja e pyjeve dhe kullotave.
  • Dështimi i plotë i politikave ekonomike shtetërore, për subvensionet e prodhimit vendas.
  • Lejimi i importeve të mallrave ushqimore me çmime më të ulta se kostoja e prodhimit vendas.

Jam ndjerë i skandalizuar kur kam parë se jo vetë ushqimet koncentrate ,por edhe bari e jonxha vinin nga Maqedonia, Kosova etj… deri në fermat blegtorale të vendit. Kjo e ka një domethënje: Karburantet në Shqipëri janë 30-40 % më të shtrenjta se në shtetet rreth nesh. Sistemi i vaditjes është i abandonuar. Mungojnë, ose janë jo efiçent imputet bujqësore si plehrat kimike, insekticidet, pesticidet etj. Dëshira e të rinjëve për të punuar në bujqësi e blegtori ka rënë.

  • Në mirmbajtjen e rrugëve rurale nuk ka vënë kush dorë. (Ani se po shpohen malet me tunele, por fermerët nuk kanë mudësi t’i sjellin prodhimet e tyre te konsumatori nëpër këto rrugë të shkatrruara.
  • Nuk ka asnjë angazhim nga organet shtetërore për t’u siguruar prodhuesve shitjen e

prodhimeve brenda vendit apo eksportimin e tyre. Mungojnë koopertivat grumbulluese e tregtare siç janë në vendet e përparuara. (Pyes: – a ka mundësi fermeri nga Fieri, Lushnja, Torrovica, Shkodra etj, ta eksportoje shalqinin vetë për në tregjet europiane..????

  • Mungon përpunimi dhe konservimi i frutave e perimeve. (Edhe salcën e domateve e

importojmë, kur domatet tona kalben anash rrugëve..

Lexova këto ditë në medja ku një fermer lezhnjanë shprehej: “ Erdha para 5 viteh nga emigracioni dhe të gjitha kursimet 25 vjeçare i investova në një stallë lopësh. Kosto e prodhimit nga viti në vitë erdhën duke u bërë të shtrenjta si misri, koncentratet, jonxha, bari, medikamentet. Kemi dalë çdo herë me humbje. S’kemi më leverdi të merremi me këtë punë. Nëse vazhdojmë kështu, nëse nuk ka ndërhyrje e mbështetje nga qeveria, atëherë do të dorëzohem edhe unë do të kthehem nga kam ardhë.”

  1. Në mbyllje:

Organet shtetërore që drejtojnë këtë vend, nesër, do të jenë përgjegjëse dhe do të ndjehen të turpëruar para miliona turistëve që po eksplorojnë vendin tonë të panjohur deri më sot për bukuritë natyrore mahnitëse.

Kur ata të kuptojnë se në resortet turistike të bregdetit dhe në bujtinat malore po konsumojnë ushqime maqedonase, serbe, greke etj, etj., do të largohen përgjithmonë…