Dr. Agim Nesho : 25 prilli të bëhet fundi i regjimit autokratik të Ramës

288
Sigal

Gazeta TELEGRAF

Ish ambasadori i Shqipërisë në SHBA Dr. Agim Nesho, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke skanuar qeverisjen 8 vjeçare të kryeministrit Rama, argumenton se mandati i fundit i qeverisjes së Ramës do të kujtohet si dështim, shtim i korrupsionit, ndërsa Rama asnjëherë nuk e ka mohuar bashkëpunimin me personat e botës së krimit, të cilët i përdori për të marrë pushtetin. Zoti Nesho, thotë se Rilindja nuk plotësoi asnjë reformë integruese, prandaj Rama ka zgjedhur rrugën e presionit, kritikave ndaj BE-së. Zoti Nesho pohon se përgjigja e Ramës ndaj ambasadores Kim, “Partia nuk është sallë torture”, tregon pasiguri, nervozizëm dhe fundin e një regjimi autokratik.  Zoti Nesho thotë se përgjigjet e forta të Koordinatorit të PE, zotit Gahler, përbëjnë një qëndrim zyrtar të BE-së ndaj kryeministrit Rama, prandaj, edhe zgjedhjet e 25 prillit, nuk janë thjesht një datë zgjedhjesh parlamentare, por të bëhen një referendum popullor për ndryshim.

“Mandati i fundit qeverisës i Ramës  do të mbahet mend si një dështim në qeverisje, shtim i korrupsionit dhe krimi i organizuar, lulëzimit të kanabizimit për mbajtjen e pushtetit, rritje të borxhit kombëtar dhe kapjes së institucioneve të shtetit nga Rilindja”

– Zoti Nesho, pse kryeministri  Rama me deklaratën se “Nuk pret BE-në, por do drejtohemi nga Lindja”,  zgjedh këtë kohë, kur Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE çfarë mesazhi përcjell?

– Kryeministri Rama është në  fund të mandatit të tij qeverisës, mandat që do të mbahet mend si një dështim në qeverisje, shtim të fenomeneve negative në vend si korrupsioni dhe krimi i organizuar, lulëzimit të fenomenit të kanabizimit të vendit për arsye të mbajtjes së pushtetit, rritje të borxhit kombëtar dhe mbi të gjitha kapjes së institucioneve të shtetit nga Rilindja dhe futjes së vendit tonë në një krizë të thellë institucionale dhe pushteteve.  Duke qenë se projekti i Rilindjes nuk po arrin të plotësojë konditat e domosdoshme të vëna nga BE për hapjen e negociatave si vend kandidat, qeveria shqiptare dhe zoti Rama kanë zgjedhur rrugën alternative të presionit ndaj BE-së, duke e kritikuar atë dhe duke u afruar me fuqi të tjera rajonale për të thënë se Shqipëria ka zgjidhje alternative. Kjo politikë presioni nuk është e re në Ballkanin Perëndimor dhe është vazhdimësi e projektit politik të Aleksandër Vuçiç, i cili, për t’i mbijetuar nacionalizmit serb, ka aplikuar një politikë të baraslarguar me aktorët e tjerë ndërkombëtarë si Rusia, Kina dhe SHBA. Por, nëse zoti Vuçiç respekton një precedent historik, që nga politika e Titos dhe për të mbajtur ekuilibrat e brendshëm të vendit, zoti Rama e zbaton këtë politikë presioni në mungesë të një vizioni politik për të ardhmen, në mungesë të një strategjie të saktë si dhe për interesat e tij personale për të ruajtur dhe mbajtur pushtetin. Kjo politikë mediokre, nga e cila mund të përfitojë disa avantazhe të momentit, është tepër e rrezikshme për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj perëndimore. Mesazhi që përcjell në Perëndim dhe për aletatët tanë perëndimorë është tepër i gabuar dhe pa vlerë për arsye se nuk ka mbështetjen e opinionit publik dhe shikohet si një përpjekje individuale e përfaqësuesit të një regjimi autokratik, i cili do të konsolidojë vetëm interesat e sektit të tij klientelist.

“Përgjigja e Zotit Rama për Ambasadoren Kim se “Partia nuk është vend torturash…” tregon pasiguri, nervozizëm dhe fundin e një regjimi autokratik që e mbështet qeverisjen e tij me të fortët, me manipulim të rezultateve elektorale si në Durrës, Peshkopi, etj”

– Faktikisht, Ambasadorja Kim kujt i adresohet, me apelin publik, që udhëheqësit e partive të mos kandidojnë për deputet persona të inkriminuar? Reagimi i kryeministrit Rama se “Partia nuk është sallë torturash” për të verifikuar kandidatët” mendoni se i kujdërvihet Ambasadores Kim?

– Ambasadorja Kim, e cila po luan një rol të rëndësishëm në proceset e integrimit Euro-Atlantik, gjithmonë e më shumë po e kupton se regjimi demokratik në Shqipëri qëndron vetëm në aparencë dhe mbahet në këmbë nga altoparlantet e mëdha të propagandës. Nevoja për të korrigjuar dhe rindërtuar institucionet përfaqësuese demokratike e bën të qartë mesazhin e Ambasadores Kim, e cila para së gjithash i drejtohet mazhorancës. Zoti Rama asnjëherë nuk e ka mohuar bashkëpunimin me elementët me të shkuar kriminale, madje ka ardhur në pushtet, duke shfrytëzuar këtë kategori. Kjo çoi si pasojë në futjen në Parlament dhe në pushtetin lokal të shumë individëve të inkriminuar dhe me të shkuar të dyshimtë, duke deformuar përfaqësimin popullor nga individë problematikë dhe të rrezikshëm. Zoti Rama, jo vetëm nuk është distancuar prej tyre, por me vështirësi ka pranuar edhe inisiativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e Parlamentit. Zoti Rama, për të treguar se nuk varet nga ndërkombëtarët, e ka të vështirë të pranojë një kritikë nga ambasada Amerikane dhe nuk influencon sjelljen e tij ndaj miqve, edhe kur këto qëndrime vijnë nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve. Në thelb, ai ka një qëndrim klientelist dhe mbron veprimet e tij me qëndrimet e një ‘yes-man’-i për të pranuar çdo propozim që nuk i prek interesat e tij dhe grupit të interesit që përfaqëson. Përgjigja e Zotit Rama për Ambasadoren Kim se “Partia nuk është vend torturash…” tregon pasiguri, nervozizëm dhe fundin e një regjimi autokratik që e mbështet qeverisjen e tij me të fortët, me manipulim të rezultateve elektorale si në Durrës, Peshkopi, etj.  Deri tani gjatë administratës Trump, vëmendja e SHBA-së ndaj rajonit Ballkanik dhe Shqipërisë influencohej nga opinionet lobiste të orientuara nga Tirana. Me administratën e re të Presidentit Biden çështjet e demokracisë do të jenë prioritare dhe të panegociueshme. Insistimi i Ambasadores Kim për të çmontuar sistemin klientelist dhe bashkëpunimin e politikës me krimin janë një shërbim i madh për demokracinë Shqiptare.

“Përgjigjet e forta të Koordinatorit të PE, zotit Gahler, janë përgjigje direkte ndaj kritikave dhe pretendimeve të zotit Rama ndaj BE-së. Ato nuk janë personale, por përbëjnë një qëndrim zyrtar të BE-së”

A mendoni se Bashkimi Europian reagoi ndaj kritikave të adresuara ndaj tij nga kryeministri Rama me deklaratën e Kordinatorit  për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin i PE Gahler, i cili tha se ” Rama nuk duhet të përgojojë BE?”, apo ishte një qëndrim vetiak? A mund të ketë pasoja për Shqipërinë këto kritika?

– Ka kohë që Komisioni Europian dhe Këshilli Europian janë kritikë me mënyrën e qeverisjes së Shqipërisë dhe problematikën që ekziston në vend. Strategjia për zgjerimin e Komisionit Europian në shkurt 2018 flet qartë për problematikën serioze që ekziston në vendet e Ballkanit Perëndimor me kapjen e shtetit, nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj. Institucionet e BE-së dhe Parlamenti Europian kanë caktuar 15 kushtet për Shqipërinë për hapjen e negociatave, kushte të cilat vënë në dukje një problematikë të shtuar dhe serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në shumë raste Këshilli Europian është treguar i kujdesshëm ndaj Shqipërisë, duke “sakrifikuar” edhe Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit. Kjo gjë ka ndodhur pikërisht për tendencat autoritariste të Qeverisë së Tiranës dhe paparashikimin e veprimeve të saj në një kohë të rritjes së influencave të fuqive të tjera ndaj Ballkanit. Përgjigjet e forta të Koordinatorit për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin të Parlamentit Europian, zotit Gahler, dhe të Ambasadorit të BE-së në Tiranë janë përgjigje direkte ndaj kritikave dhe pretendimeve të zotit Rama ndaj BE-së. Ato nuk janë personale, por përbëjnë një qëndrim zyrtar të BE-së. Si të tilla, ato përfaqësojnë nivelin e vërtetë të marrëdhënieve, të cilat në dukje mund të mbulohen me një gjuhë entuziaste bashkëpunimi.

“Zgjedhjet e 25 prillit  të jenë referendum popullor për ndryshim. Lidershipi i ri duhet të nxjerrë mësime, që gabimet e sotme të mos përsëriten dhe Shqipëria të dalë nga tranzicioni i tejzgjatur”

–  Zoti Nesho, çfarë  mesazhe paraprake tregojnë sondazhet e fundit, për preferencat e shqiptarëve për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit?

– Kohët e fundit sondazhet politike janë kthyer në Shqipëri përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Pavarësisht përpjekjeve të partive politike për të influencuar në rezultatin e sondazheve për interesat e tyre elektorale, ajo që paraqet interes në këto sondazhe janë cështjet kryesore që shqetësojnë opinionin publik si cështja e ekonomisë, largimit të të rinjve shqiptarë në emigracion, pasiguria për të ardhmen, nevoja për ndryshim, rëndësia e integrimit në BE, papunësia, etj. Në sondazhet kryesore dhe serioze nevoja për ndryshim e qeverisjes është në nivelin e 70 %, integrimi europian mbi 75 % , frika për largimin e të rinjve mbi 72 %, etj.  Interpretimi i të dhënave tregon se ndryshimi në qeverisje është një domosdoshmëri për shumicën e opinionit publik dhe se opozita e bashkuar do të jetë fituesja e zgjedhjeve të ardhshme.

“Duke qenë se projekti i Rilindjes nuk po arrin të plotësojë konditat e domosdoshme të vëna nga BE për hapjen e negociatave si vend kandidat, qeveria shqiptare dhe zoti Rama kanë zgjedhur rrugën alternative të presionit ndaj BE-së”

–  Mendoni se 25 prilli është një datë zgjedhjesh e zakonshme, dhe, çfarëdo rezultati zgjedhor, edhe sikur të fitojë opozita, do jetë thjesht një rotacion politik, apo fillimi i fundit i një periudhe të stërgjatur tranzicioni?

– Zgjedhjet e 25 Prillit nuk janë zgjedhje të zakonshme dhe thjesht rotacion i pushtetit demokratik. Tetë vitet e fundit demokracia shqiptare u ndesh me një regjim autokratik me një lider misionar që interesat e tij të pushtetit u vunë mbi interesat kombëtare. Demokracia Shqiptare pësoi një regres, vendi u kthye në funksionimin e partisë-shtet që kapi të gjitha institucionet dhe mund të rrezikojë të ardhmen perëndimore të vendit me politikat e saj të rrezikshme me aleancat e dyshimta, me paparashikueshmërinë e veprimeve dhe në mungesë të plotë të transparencës. Në këto kushte, pavarësisht se kultura jonë demokratike është relativisht e re, situata është serioze që i mundëson qeverisë ekzistuese të kalojë kufijtë e lejueshëm dhe ta kthejë Shqipërinë në një vend klientelist, autoritar që i shërben një regjimi të pakicës për të mbajtur pushtetin. Në një demokraci normale këto zgjedhje duhet të ishin një referendum popullor për ndryshim, duke ndjerë përgjegjësinë qytetare për të mos kthyer të kaluarën e dhimbshme. Lidershipi i ri duhet të nxjerrë mësime që gabimet e sotme të mos përsëriten dhe Shqipëria të dalë nga tranzicioni i tejzgjatur.