Zbardhet opinioni i ‘Venecias” për Gjykatën Kushtetuese

336
Sigal

Komisioni i Venecias zyrtarizon vendimin për emërimet e Kreut të Shtetit në Gjykatën Kushtetuese: Presidenti Ilir Meta ka zbatuar Kushtetutën. Betimi i gjyqtarëve para Presidentit është kusht. Është nevojë absolute për dialog dhe bashkëpunim mes institucioneve

Zbardhet opinioni i “Venecias” për Gjykatën Kushtetuese. Nevojë absolute për dialog dhe bashkëpunim mes institucioneve

Presidenti  Meta ka zbatuar Kushtetutën. Betimi i gjyqtarëve para Presidentit është kusht

Komisioni i Venecias i ka vënë “pikat mbi i” debatit midis Kryetarit të Shtetit, Ilir Meta dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke arritur ndër të tjera në konkluzionet se “Presidenti Meta ka zbatuar Kushtetutën”, dhe se ai kishte të drejtë me emërimet në Kushtetuese, pasi “betimi i gjyqtarëve para Presidentit është parakusht për të marrë detyrën”. Në vija të përgjithshme  këto janë konkluzionet e raportit  që “Venecia” ka shpërndarë dje për palët dhe që pritet të zyrtarizohet në muajin qershor. Konkretisht lidhur me çështjen e shumëdebatuar të radhës së emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, që sipas përcaktimeve në Kushtetutë janë 1. President, 2. Kuvend, 3. President, 4. Kuvend,  “Venecia” thekson ndër të tjera në pikën  97- të konkluzioneve se “duket e arsyeshme që Presidenti të konsiderojë se duhet të respektojë radhën e sekuencës edhe për zgjedhjen aktuale të kandidatit: nëse sekuenca ekziston, ajo duhet të ketë një ndikim në rendin e emërimit nga një listë e vetme. Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët, numri minimal i kërkuar nga Kushtetuta. Rezervat e bazuara mbi këtë arsyetim nuk duken të pajustifikuara. Prandaj, sjellja e Presidentit në lidhje me këtë, nuk justifikon shkarkimin e tij”. Gjithashtu,  Komisioni i Venecias në pikën 98,  i jep një shuplakë të fortë Kuvendit, duke theksuar ndër të tjera se,  “Presidenti ia bëri me dije Kuvendit dhe e deklaroi interpretimin e tij për radhën  e akteve të emërimit. Kuvendi vazhdoi në bazë të interpretimit  të bërë nga vetja, i cili ishte qartësisht i ndryshëm nga ai i Presidentit. Madje edhe arriti në përfundimin se Presidenti  kishte hequr dorë nga e drejta e tij për të emëruar gjyqtarin e tij të dytë. Tani, pavarësisht se cili interpretim ishte i saktë, të dy organet e emërtesës duhet të ishin mbledhur dhe të kishin arritur një pozicion të përbashkët përpara se të vazhdonin procedurën”, – citojmë nga konkluzionet. “Venecia” gjithashtu në pikën 99 të konkluzioneve,  i jep të drejtë Presidentit sa i përket zgjedhjes së Marsida Xhaferllarit,  si anëtare në Gjykatën Kushtetuese,  dhe refuzimit të kandidaturës  së Arta Vorpsit,  të mbështetur nga qeveria, që në mënyrë anti-kushtetuese dhe të paprecedentë  u “vetëshpall” gjyqtare pas “betimit tek Lana”, para një notereje, dhe jo para Presidentit të Republikës, siç qartësisht e përcakton Kushtetuta. “Pezullimi tregoi se Presidenti ende  dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit që gëzon sipas Kushtetutës dhe kjo u konfirmua nga emërimi i tij i një kandidati  menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit. Në këto rrethana, ratio legis i klauzolës së zhbllokimit nuk zbatohej dhe duket se është e justifikuar të pranohet emërimi i vonuar i kandidatit të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi betimin e gjyqtares, e cila supozohet se u zgjodh automatikisht”, – shprehet “Venecia” në pikën 99. Konkluzion që përforcohet më tej edhe në pikën 100 të konkluzioneve të “Venecias”, ku shprehimisht theksohet se: “Në këtë drejtim, Komisioni i Venecias thekson se neni 129 i Kushtetutës  parashikon që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën e tij / saj, pasi të bëjë betimin para Presidentit . Është e qartë se betimi para Presidentit  është parakusht për të marrë detyrën”. Shihet qartë se Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë Presidentit edhe për kthimin  që i bëri ligjit  për procedurën e re të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke rikonfirmuar, se ndryshimet e miratuar nga qeveria bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Disa nene të Draftopinionit të Komisionit të Venecias

Neni 97

Sidoqoftë, modeli i mësipërm bazohet në supozimin se çdo procedurë është autonome: çdo autoritet emërtese hap vakancën dhe merr kandidaturat e veta, të cilat KED-ja më pas i zgjedh dhe i rendit; si rezultat, çdo listë e vakancave duhet të jetë autonome nga të tjerët, dhe të numërojë të paktën tre kandidatë (të ndryshëm nga tre kandidatët e listave të autoritetit tjetër të emërtesës). Në rastin në fjalë, në vend të kësaj, si rezultat i mungesës së kandidatëve (për të gjitha arsyet e identifikuara më lart), listat për emërimet e Presidentit dhe ato për emërimet e Kuvendit përbëheshin kryesisht nga të njëjtët kandidatë. Kjo arriti de fakto në një numër total prej 6 kandidatësh për katër poste. Në këto kushte, si dhe duke pasur parasysh faktin se procedurat e mbivendosjes nuk janë rregulluar në mënyrë të qartë, duket e arsyeshme që Presidenti të konsiderojë se duhet të respektojë radhën e sekuencës edhe për zgjedhjen aktuale të kandidatit: nëse sekuenca ekziston, ajo duhet të ketë një ndikim në rendin e emërimit nga një listë e vetme. Për më tepër, në një situatë të tillë emërimi nga një autoritet ka një ndikim të drejtpërdrejtë në emërimet e autoritetit tjetër, pasi ndryshon përbërjen e listës së kandidatëve në dispozicion të organit përkatës të emërtesës. Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte  një listë me më pak se tre kandidatët, numri minimal i kërkuar  nga Kushtetuta. Rezervat e bazuara mbi këtë arsyetim nuk duken të pajustifikuara. Prandaj, sjellja e Presidentit në lidhje me këtë, nuk justifikon shkarkimin e tij.

Neni 98

Sidoqoftë, është logjike të supozohet dhe pritet që autoritetet përgjegjëse për të bërë emërime në të njëjtën procedurë duhet ta kuptojnë dhe interpretojnë procedurën në të njëjtën mënyrë. Të gjithë aktorët duhet të ndjekin të njëjtat rregulla, kështu që të gjithë duhet të ndajnë njohuritë dhe kuptimin e tyre për rregulla të tilla. Në rastin konkret, Presidenti ia bëri me dije Kuvendit dhe e deklaroi interpretimin e tij për radhën  e akteve të emërimit. Kuvendi vazhdoi në bazë të interpretimit të bërë nga vetja, i cili ishte qartësisht i ndryshëm nga ai i Presidentit. Madje edhe arriti në përfundimin se Presidenti kishte hequr dorë nga e drejta e tij për të emëruar gjyqtarin e tij të dytë. Tani, pavarësisht se cili interpretim ishte i saktë, të dy organet e emërtesës duhet të ishin mbledhur dhe të kishin arritur një pozicion të përbashkët përpara se të vazhdonin procedurën.

Neni 99

Presidenti, me Aktin e tij të 5 nëntorit 2019, kishte pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditë të përcaktuar me ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit që gëzon sipas Kushtetutës dhe kjo u konfirmua nga emërimi i tij i një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit. Në këto rrethana, ratio legis i klauzolës së zhbllokimit nuk zbatohej dhe duket se është e justifikuar të pranohet emërimi i vonuar i kandidatit të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi betimin e gjyqtares, e cila supozohet se u zgjodh automatikisht.

Neni 100

Në këtë drejtim, Komisioni i Venecias thekson se neni 129 i Kushtetutës parashikon që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën e tij / saj pasi të bëjë betimin para Presidentit të Republikës (kjo duhet theksuar). Baza ligjore përkatëse e ceremonisë së betimit mund të gjendet në nenin 8 të ligjit nr. 8577, të 10 shkurtit 2000 për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i cili thotë: “1. Mandati i një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese fillon pasi ai / ajo është betuar nga Presidenti i Republikës. […] “. Ndërsa nuk është e qartë nëse kjo është një kërkesë thjesht formale apo nëse nënkupton kompetencën e Presidentit për të kontrolluar nëse rregullat në emërimin / zgjedhjen janë zbatuar në mënyrë korrekte, është e qartë se betimi para Presidentit është parakusht për të marrë detyrën.

Neni 101

Duke iu referuar një rekomandimi të mëparshëm të Komisionit të Venecias në lidhje me Ukrainën, më 12 shkurt 2020 Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ndryshim në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese që lejon të dërgohet betimi me shkrim tek Presidenti kur ai  refuzon të pranojë Betimin brenda 10 ditëve nga “data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes së emërimit”. Sipas mendimit të Komisionit, kushtetutshmëria e këtij ndryshimi është e dyshimtë pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të bëhet “para” Presidentit. Për më tepër, dispozita e miratuar është shumë e paqartë. Cila është “njoftimi i emërimit” dhe kush është kompetent për të bërë një njoftim të tillë? Edhe nëse mund të ishte Gjykata Kushtetuese, konteksti i situatës në Shqipëri e përjashton këtë mundësi. Kështu që ndryshimi krijon pasiguri në lidhje me legjitimitetin e anëtarëve që fillojnë të punojnë në Gjykatën Kushtetuese pa u betuar mbi bazën e procedurës së parashikuar në Kushtetutë. Nëse vlerësohet e nevojshme për të shmangur ngërçin në raste të qarta abuzimi, një dispozitë e formuluar më qartë mund të miratohet në nivelin kushtetues.