Ujësjellësi shkel ligjin, punonjësit mbushin faturat nga shtëpia

    408
    Sigal

    Mungojnë sahatet e ujit. Gjobat me faturat dhe grabitja me pagesat aforfe

    Ujësjellësi i Tiranës vijon të grabisë qytetarët duke i faturuar shumë më tepër nga çfarë konsumojnë. Thuajse shumica e qytetarëve të kryeqytetit ankohen se faturat janë shumë të kripura dhe se askush nuk i sheh sahatet, por i vendosin në mënyrë aforfe dhe shumë më shumë nga sa harxhojnë në të vërtetë. Ndërsa në shumicën e rasteve mungojnë sahatet që matin realisht konsumin e ujit në familje, duke i faturuar ata në bazë të frymëve ose aforfe. Kur ka sahate, nuk ka kontroll. Për sahatet e ujit askush nuk e vë ujin në zjarr. As kompania. As qeveria. Faturat llogariten për frymë. Pothuaj në të gjithë lagjet e Tiranës vihet re mungesa e matësve: në rr. Bardhyl, Tregun Industrial, në rr. “Siri Kodra”, te Uzina, te “Ali Demi”, Kombinat, Bregu i Lumit, Shkozë etj.. Banorët e kryeqytetit paguajnë sasi uji të pamatshme. Edhe pse në pikat e para të “Kontratës tip të Ujëmatësit thuhet se: “1. Operatori duhet të instalojë ujëmatësin për çdo konsumator, sipas legjislacionit në fuqi. 2. Operatori detyrohet të furnizojë, të instalojë, të mbikëqyrë dhe të zëvendësojë ujëmatësin. 3. Operatori merr masat e nevojshme për cilësinë dhe funksionimin e ujëmatësit, sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Operatori është përgjegjës për jetëgjatësinë e ujëmatësit, sipas kësaj kontrate. 4. Konsumatori detyrohet për shpenzimet e furnizimit dhe të instalimit të ujëmatësit sipas faturës që jepet nga operatori”. Pra, çdo qytetar duhet të jetë i pajisur me matës dhe të paguajë aq sa harxhon, por kjo nuk ndodh në realitetin tonë. Madje, edhe ata që kanë matës, nuk paguajnë, aq sa harxhojnë. Pra, të gjithë nuk kanë matës, sepse dhe ato që janë, nuk lexohen, por hamendësohen nga tavolina e lexuesve të sahateve. Puna për lexuesit e sahateve është një kënaqësi më vete, janë komodë dhe nuk lodhen. Ata e dinë fare mirë numrin e atyre që nuk kanë matës dhe paguajnë për frymë, ndërsa për të tjerët u shkon fatura e një muaji më parë, apo hamendësohet, apo mbifaturohet, sipas llogarive të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime. Ata që paguajnë, shpesh, ndjejnë mbi xhepat e tyre mbifaturimin. Një nga banorët e shumtë që e mundon problemi i faturave të ujit është V. K. Ajo është drejtuar në të gjitha institucionet përkatëse, por gjithmonë prej tyre del mjaft e shqetësuar, Sipas saj, atë vetëm po e sorollatin nga dera në derë. Ka javë e muaj tashmë që problemi i saj nuk po merr fund. V. i vjen fatura e ujit 32 mijë lekë (të vjetra) në muaj, kur në fakt asaj nuk i vjen uji në shtëpi. “Ka muaj tashmë që më kanë vënë faturën aforfe prej 32 mijë lekësh (të vjetra). Me këto vajzat e administratës, unë çuditem ç’punë bëjnë. Asnjëherë nuk vijnë të shohin sahatin e ujit. Ne kemi një ndërtesë 3-katëshe te lagjja e Xhamllëkut, por në ata tre kate, e imja është vetëm njëri kat, pasi e kemi bërë ndërtesë së bashku me kunatin. Këto vajzat që s’vijnë kurrë, veçse në fillim kanë ardhur, e kanë parë që është 3-katëshe ndërtesa dhe kanë vënë 32 mijë lekë faturë uji për pagesë.  A e kupton që unë s’mund ta shlyej? Jam e papunë dhe s’kam ku t’i gjej lekët. Ku nuk jam ankuar, por as kanë denjuar të më presin, e jo më të më zgjidhin punë”, shprehet zonja për “Telegraf”.

    Tarifa e pastrimit, qytetarët ankohen për dytarifim

    Çdo kryeqytetas në faturën e ujit, paguan dhe tarifën e pastrimit prej 420 lekësh që prej janarit të vitit 2012. Vendimi duket se ka ardhur pas performancës së dobët të pushtetit lokal në mbledhjen e taksave dhe tarifave. Tani ajo paguhet muaj për muaj, ndërsa më parë vilej në fillim të vitit. Por kjo mënyrë e të vjelit të tarifës së pastrimit ka sjellë shumë problematika te qytetarët. Së pari, është pjesa e invalidëve, apo pensionistëve, apo e atyre me të ardhura të pakta, të cilët përjashtohen nga kjo taksë dhe vjelja në të tillë mënyrë i penalizon ata, pasi të dhënat e tyre janë në minibashkitë përkatëse. Ky problem ishte dhe shqetësimi i parë i bërë publik me miratimin ne këtij vendimi. Ndërsa një tjetër problem është i atyre personave të cilët kanë në pronësi të tyre dy hyrje në të njëjtin pallat dhe duke qenë se në pronat respektive u vijnë dy fatura të ujit u duhet që të paguajnë dy herë të njëjtën taksë. Ndërkohë që, kur kjo taksë paguhej në minibashkitë, nuk ekzistonte ky problem, pasi paguante një herë si familje që i përkiste kësaj apo asaj njësie bashkie. Ky është një problem shqetësues për këta familjarë, të cilët pretendojnë për mostaksim të dyfishtë. Ata ngrenë pyetjen se nëse drejtoritë përkatëse i kanë të regjistruar emrat e qytetarëve që vjelin çdo muaj, apo jo? Dhe nëse jo, qytetarët presin më shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga organet kompetente. Në fakt të gjithë qytetarët nuk e përtypin dot faktin e të taksuarit 2 herë.