Theodhor Kristuli: Tregu “Dinamo”, “viktimë” e pazareve dhe bizneseve të pista bashki-qeveri

    493
    Sigal

    Flet Theodhor Kristuli, Kryetar i Unionit Tregtar Agro-Ushqimor

    Ju po vazhdoni betejën për mbrojtjen e tregut të uzinës Dinamo, nga cilët?

    Ne gjendemi prej 1 viti e gjysmë përballë sulmit për të na rrëmbyer tregun, ku ushqehen 400 biznese të mëdha, të licencuar dhe afro 4000 të vetëpunësuar. Ne kemi 14 vite që ushtrojmë aktivitetin në këtë treg. Në këtë treg, nuk jemi futur në mënyrë të paligjshme, por në përputhje me gjithë ligjet mbi shoqëritë aksionere. Sa për dijeni të atyre që duan të na plaçkitin tregun, ku ne ushqehemi me shumë sakrifica, ky treg është shoqëri aksionere, themeluar në vitin 1999. Kjo pronë, nuk i përket atyre shtetarëve lokalë e qendrorë që duan të na i grabisin, por është pronësi ligjore e konfirmuar me dokumente hipotekore e 135 familjeve bashkëpronare ligjore. Ne tregtarët, kemi krijuar me pronarët e tregut, raportin ligjor të shfrytëzimit të këtij tregu dhe kemi qëndruar korrekt me detyrimet ndaj tyre dhe ndaj shtetit, i cili na ka dhënë të drejtën ta shfrytëzojmë si treg.

     Kush ua ka dhënë të drejtën ligjore, të përdorni këtë hapësirë si treg?

    Leja për të ushtruar këtë aktivitet në uzinën “Dinamo”, na është konfirmuar zyrtarisht prej Prefekturës Tiranë dhe Bashkisë Tiranë. Madje, drejtuesit e këtyre institucioneve, kanë qenë titullarët zyrtarë të shtetit, të cilët kanë inauguruar tregun “Dinamo” me ceremoni të bujshme, në mënyrë publike me prezencën e mediave. Kjo zgjidhje, ishte një emergjencë që duhej të merrte zgjidhje si treg dhe si tregtarë, por edhe si shërbim publik, që kishte detyrim bashkia dhe prefektura për të krijuar një treg model në Tiranë, mbasi tregtarët gjendeshin në mjedise “rrumpallë” anës Lanës. Kjo u realizua me sukses dhe prej 14 vitesh, gjendemi aty duke respektuar çdo standard higjenik, sigurie ushqimore e detyrimesh ligjore.

     Ju thoni, se tregun e ka caktuar pushteti lokal i Tiranës, pra Prefektura dhe Bashkia, duke e konfirmuar edhe si treg kombëtar? Atëherë, kush kërkon t’u marrë dhe përse?

    Siç është bërë publike, ne po bëjmë një betejë ligjore, me kuptim mbijetese. Aktualisht, si institucione që duan të na lënë “pa bukë”, kemi përballë dy plaçkitës zyrtarë: Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë, konkretisht, Ministrinë e Bujqësisë e të Ushqimit. Prapa tyre qëndrojnë “ustallarë” të tjerë, të cilët do t’i bëjmë publikë në vijim. Sa për parantezë, kujtojmë se flitet, që pas këtij sulmi fshihen synime që kanë lidhje me interesa klienteliste. Troç, duhet të na largojnë neve, që të bëjnë ata biznes tjetër, më me leverdi. Ne tregtarët e tregut “Dinamo”, dimë që gjendemi fizikisht përballë sulmit të bashkisë dhe qeverisë. Ata janë bërë aleatë në këtë sulm kundër nesh. Nuk e dimë, se çfarë projektesh djallëzore kanë ata për të na larguar duke na bllokuar punën, por ne dimë një gjë dhe e kemi deklaruar e do t’i qëndrojmë deri në fund: Tregun “Dinamo” nuk do ta lëshojmë! Nëse interesat e atyre që kërkojnë të shtojnë pasuritë, kanë fuqi më të madhe se në që luftojmë për ushqimin e familjeve, le të vazhdojnë. Fuqia jonë, qëndron tek e drejta jonë. Këtë të drejtë, po e mbrojmë dhe do ta mbrojmë me çdo çmim. Ua kemi bërë të qartë atyre që kanë vërsulur ushtrinë e dhunës kundër nesh.

     Cilat janë motivet që paraqet Bashkia, Prefektura dhe Ministria, për të realizuar largimin tuaj?

    Për të përligjur largimin tonë, ata hodhën shashkën e ekzistencës së cianurit. Kjo doli bllof, edhe pse nënkryetari “parimor” Enno Bozdo, u bëri thirrje qytetarëve të mos shkonin tek tregu “Dinamo”, mbasi sipas “mendjes së tij të ndritur” do të helmoheshin nga cianuri. Sajesa dhe paniku i tij banal e qëllimkeq, ishin në funksion të skemës për ta na paralizuar tregun, duke na larguar konsumatorin. Dhe ia arritën deri diku këtij synimi djallëzor. Në fakt, tregu “Dinamo”, nuk kishte asnjë lidhje rreziku me cianurin, mbasi cianuri gjendej tek ish-uzina “Dajti”, të cilin shteti i pastroi. Tregu “Dinamo” është krejt i pastër në çdo aspekt. Tregtarët kanë bërë investime kapitale. Është krim i pamenduar, të shkatërrosh këto investime, që janë bërë prej djersës së 400 tregtarëve të mëdhenj, të cilët kanë të punësuar mbi 4000 persona dhe që furnizojnë gjithë tregun e Tiranës e afro 50% të tregut vendas. Gjithë alibinë e sajoji AKU-ja, në bashkëveprim me Prefekturën e Tiranës, të cilët kanë inskenuar lojën, duke përligjur skemën e uzurpimit të tregut “Dinamo”. Shefat e këtij sulmi të turpshëm, të lidhur bashkë si pushtet qendror e lokal në Tiranë (bashki-qeveri), po bëjnë gjithë pazaret, presionet dhe sulmet edhe fizike ndaj nesh, për të syrgjynosur në një treg klientelist, i cili sjell fitime për ata që japin urdhrat. AKU, Bashkia dhe Prefektura e Tiranës, në vijim të skemës së tyre për përligjur sulmin, bënë qëllimisht 50 bllokime magazinash dhe me këtë akt, përligjën sulmin që po vazhdon akoma, për ta na larguar andej edhe me dhunë. Sa për kujtesë ligjore, po ju them, se AKU mund të bllokojë pjesën ushqimore të tregut, por jo tregun që shet këpucë, veshje, lojëra libra, etj.. Por edhe nëse dikush brenda tregut, nuk është në rregull me detyrimet, kjo nuk mund t’i japë të drejtën askujt, që të shkulë tregun, por të pastrojë tregun nga shkelësit e ligjit dhe abuzatorët.

    Deklaratë e Unionit Tregtar Agro-Ushqimor: Përgjegjësit e mbylljes së tregut do të përballen me ligjin

     Ka kaluar java e parë nga mbyllja me dhunë dhe përzënia e disa qindra tregtarëve nga Tregu i Fruta Perimeve “Dinamo” në Tiranë.

    Janë rreth 400 e ca biznese të prekura. Është një dramë sociale për rreth 20 mijë qytetarë të Tiranës dhe janë disa dhjetëra milionë euro investime të realizuara në këtë treg të bllokuar, për të cilat askush nuk jep llogari dhe askush nuk përgjigjet.

    Kjo është një luftë e nisur me shkresë prefekti dhe që janë përfshirë, edhe disa institucione të cilat lidhen me interesin e një grupi oligarkësh të Tiranës.

    Por kjo histori nuk mbaron këtu…

    Java e parë për bizneset dhe tregtarët e përzënë nga ky treg me histori është një kohë ferri. Është kohë e një drame sociale dhe ekonomike për disa qindra e mijëra familje, të cilat kanë humbur vendin e punës, biznesin, të ardhurat dhe ekzistencën ekonomike të tyre.

    Mediat shqiptare, të cilat e kanë pasqyruar dhe vijojnë ta pasqyrojnë këtë histori të turpshme, po bëjnë me dije, se i ashtuquajturi Tregu i Kasharit është jashtë çdo standardi të pretenduar dhe nuk plotëson shumë prej kondicioneve, për të cilat u krijua. Tregtarët që janë futur këto ditë aty, shprehin pakënaqësitë dhe ankthin e falimentit të tyre.

    Ne jemi sot këtu, për t’i kujtuar Kryeministrit dhe Parlamentit se mbyllja e këtij tregu nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe qytetarët e interesuar dhe se sjellja me pronën e pronaret në këtë mjedis është absurde dhe pa u bazuar në të drejtën ligjore.

    Mbyllja e këtij tregu ka shtuar dhe vijon të shtojë anarkinë dhe kaosin në tregjet e vogla të Tiranës.

    Në emër të gjithë tregtarëve dhe qytetarëve që janë prekur dhe gjenden nën peshën e kësaj krize të krijuar prej vendimit administrativ të Prefektit dhe të zbatuar nga e ashtuquajtura Task Force, ne apelojmë rishikimin e këtij vendimi.

    Kërkojmë lejimin e pronarëve të njësive e magazinave të këtij tregu të përdorin pronën e tyre dhe ta shfrytëzojnë atë për interes të publikut dhe të drejtës së tyre për të jetuar përmes punës, në pronën e tyre.

    Ne apelojmë që kjo plagë e madhe sociale e hapur këto ditë të bllokimit të mos shndërrohet në një gropë gjigande papunësie dhe pakënaqësie ndaj vendimmarrësve dhe oligarkëve që përfitojnë prej kësaj shërbese të padrejtë. Jemi në pritje dhe nuk do të rreshtim së kërkuari e mbrojtur të drejtën tonë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës dhe ligjit në republikën tonë dhe kushdo, që ka hedhur firmën për këtë padrejtësi, do të përballet me ligjin dhe të drejtën tonë juridike e pronësore.

    Bisedoi: Përparim HALILI