Vladimir Mici & Todi  Goga/ Ja si Qeveria po i diskriminon naftëtarët

542
Sigal

 Letër Kryeministrit: Hajdutët e “Albpetrol”-it po lakojnë emrin tuaj. Nëse nuk keni dorë, ndërhyni!

* Të kthejnë menjëherë në punë të gjithë ata naftëtarë të përzënë në vitin 2010, vendet e të cilëve janë akoma të pambyllura dhe mbahen të uzurpuara nga “elektoralët”.

*  Të hartojnë sa më shpejt që të jetë e mundur draftin e Statutit të Naftëtarit dhe ta paraqesin atë për miratim para privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a.

* Të gjenden modalitetet apo të miratohet ndonjë status për ndihmë ekonomike të përkohshme me afat veprimi deri në moshën e kapjes së pensionit për të gjithë ata punonjës të ndjekur padrejtësisht në vitin 2010, vendet e punës të të cilëve janë mbyllur më vonë dhe që nuk kanë përfituar me ligj pronë të çfarëdolloj.

* Të zbatojnë me korrektesë të gjitha aktet ligjore e nënligjore të nxjerra për trajtimin e punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, si për të shpërndarë të gjithë fondin e miratuar për punonjësit e pushuar në vitin 2010 (nga 600,500,000 lekë të miratuara, punonjësit kanë përfituar vetëm 428,000,000 lekë), ashtu edhe për të dhënë shpërblimin e vjetërsisë për gjithë kohën e punës punonjësve të pushuar në vitin 2010, 2013 e 2014.

Përse është mashtrim i paramenduar dhe me vetëdije të plotë deklarimi i Administratorit të “Albpetrol” sh.a. dhe i Këshillit Mbikëqyrës se shpërblimi i vjetërsisë punonjësve fillon që nga data 06.04.1999? Të gjithë naftëtarët e dinë fare mirë se shoqëria “Albpetrol” e ka zanafillën e krijimit të saj që nga shtetëzimi i pasurisë së shoqërisë A.G.I.P. në vitin 1945. Në vazhdim, ndërmarrje shtetërore të shumta u krijuan për kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin, përpunimin dhe tregtimin e nënprodukteve të naftës e gazit. Në vitin 1948 krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Kombinatit të Naftës me qendër në Kuçovë; më pas transformohet në “Drejtoria e Përgjithshme e Naftës” (D.P.N.) me qendër në Fier, dhe, së fundmi, në “Drejtoria e Përgjithshme e Naftës dhe Gazit” (D.P.N.G.) me qendër në Patos. Deri në vitin 1992 numëroheshin 43 ndërmarrje e institucione që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Industrinë e Naftës. Me VKM Nr. 92, datë 12.3.1992, me këto ndërmarrje e institucione u Krijua Bashkësia Ekonomike e Naftës “Albpetrol”, duke vepruar si ndërmarrje shtetërore. Marrëdhëniet e filialeve me “Albpetrol” fillimisht ndërtoheshin në përputhje me statutin e “Albpetrol”-it të miratuar në VKM të krijimit tij dhe, më pas, me Statutin e miratuar nga VKM Nr. 159, datë 26.3.1993. Sipas neni 7 të këtij statuti objekti i veprimtarisë së tij ishte “kërkimi, shfrytëzimi, përpunimi dhe shitja e naftës, gazit, rërave bituminoze dhe nënprodukteve të tyre si dhe kryerja e studimeve shkencore për këtë veprimtari”. Sipas nenit 19, “Albpetrol”-i garantonte dhe përgjigjej me pasurinë e tij për të gjitha detyrimet ndaj të tretëve, çka do të thotë se edhe në gjendjen e re pas transformimit ai garantonte dhe detyrimin e shpërblimit për vjetërsinë e punës për kohën para krijimit tij si “Albpetrol”. Në vitin 1995, me ligjin Nr. 7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, “Albpetrol” transformohet në shoqëri tregtare anonime me emërtesën Albpetrol” sh.a. dhe në bazë të nenit 9 të këtij ligji “merr përsipër të gjitha detyrimet që ndërmarrja ka pasur para transformimit dhe përgjigjet ndaj të tretëve me pasurinë e saj”. Më vonë akoma, në mbështetje të ligjit nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për privatizimin e sektorëve me rëndësi të veçantë të ekonomisë” dhe të ligjit nr. 7638, datë 19.1.1992 “Për shoqëritë tregtare” me VKM Nr. 756, datë 26.11.1998 “Për ristrukturimin e “Albpetrol” sh.a.”, ristrukturohet, duke u reduktuar në 12 filiale dhe në objektin e veprimtarisë me vetëm “kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve”. Shoqëria e ristrukturuar trashëgoi dhe mori mbi vete të gjitha të drejtat dhe detyrimet që shoqëria e mëparshme “Albpetrol” sh.a. kishte nga marrëveshja hidrokarbure që lidhen me kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve si dhe detyrimet ndaj të tretëve. Mbas këtij ristrukturimi, Gjykata e Rrethit Tiranë, me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të “Albpetrol” sh.a. “Në bazë të ligjit nr. 7638 datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” si dhe nenit 33 të ligjit nr. 7667 datë 28.1.1993 “Për regjistrin tregtar dhe formalitetet që duhen plotësuar nga shoqëritë tregtare” me Vendimin nr. 21158, datë 08.04.1999 V E N D O S I, “Regjistrimin si person juridik të shoqërisë anonime “Albpetrol” sh.a. Patos, Fier, me kohëzgjatje pa afat të caktuar, me objekt veprimtarie kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve” dhe jo krijimin e shoqërisë anonime të “Albpetrol”, e cila e tillë figuronte që nga viti 1995. Gjithashtu pas kësaj date shoqëria “Albpetrol” sh.a. i është nënshtruar edhe dy herë të tjera ristrukturimit të saj: në vitin 2007 – në zbatim të VKM Nr. 784, datë 15.09.2006 dhe në vitin 2010 – në zbatim të VKM Nr. 275, datë 26.4.2010, të cilët kanë “zhbërë” “Albpetrol” sh.a. të “krijuar” sipas trillimeve të “djemve”, duke u rikthyer brenda saj një pjesë e filialeve të “Servcom” sh.a. dhe shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara “Transnafta”, Patos, “Uzina Mekanike e Naftës, Kuçovë” dhe “Uzina Mekanike Patos”. Ristrukturimet e fundit nuk ishin pasojë e Marrëveshjeve Hidrokarbure me koncensionarët, por e dështimit të politikave privatizuese të Qeverive të kaluara që çuan pa të drejtë në rëndimin e pozitave të punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, të cilët as dje edhe as sot nuk trajtohen të barabartë me gjithë pjesën tjetër të mbarë shoqërisë shqiptare, madje as brenda shoqërisë “Albpetrol”. Në të gjithë zinxhirin e transformimit nga ndërmarrje shtetërore deri në shoqëri anonime, ristrukturimit me ndarje në shoqëri të tjera e me vonë ribashkimi me përthithjen e shoqërive të ndara ne vitin 1999, të drejtat dhe detyrimet e çdo hallke të mëparshme janë mbartur e transmetuar deri tek hallka më e fundit. Për këtë arsye punonjësit e “Albpetrol” sh.a., të pushuar në vitet 2010, 2013, 2014 dhe ata që do të pushohen deri në fund të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., duhet domosdoshmërisht të trajtohen me shpërblimin e vjetërsisë që nga data e fillimit të punës në filialet përbërëse të kësaj shoqërie, në përputhje me nenin 6 të Kodit të Punës, do apo nuk do “Administratori” i “Albpetrol” dhe puthadorët e tij. Urdhri i “Maliqit” është tepër i pafuqishëm për të përdhosur Kodin e Punës të miratuar nga Parlamenti. Është detyrë e MEI të garantojë zbatimin korrekt të VKM Nr. 106, datë 1.2.2012, si institucioni përgjegjës për zbatimin e tij (pika 8 e VKM), pa shmangur Kodin e Punës. Është e pafalshme që deri më tani ajo ministri nuk ka bërë detyrën dhe nuk ka vënë para përgjegjësisë Administratorin “Maliq” të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., për shkelje të VKM në fjalë dhe Udhëzimit të Ministrit Nr.14, datë 3.9.2013. Është e pafalshme gjithashtu që një Administrator i papërgjegjshëm të diskriminojë naftëtarët në të gjitha mënyrat, dhe të qëndrojë akoma pa marrë atë që meriton. Gjithashtu nuk është aspak serioze, madje shpërfillëse e tepër fyese, që ajo Ministri nuk i është përgjigjur shqetësimit të naftëtarëve të “shpronësuar” padrejtësisht nga administratori i mëparshëm (2010) dhe atyre të “vjedhur” në djersën e ballit nga administratori i tanishëm (2013-2014), megjithëse materialet përkatës argumentuese dhe kërkesat e tyre për takim me Ministrin ndodhen në tavolinën e tij që nga data 4 Tetor 2013, të pasuara edhe nga të tjera në vazhdim. Naftëtarët nuk e trashëgojnë dot brez pas brezi pronën (vendin e punës), sikundër trashëgohet toka që iu shpërnda punonjësve të bujqësisë, ndaj shteti duhet të sigurojë paprekshmërinë e saj për aq kohë sa ajo ekziston dhe të kompensojë naftëtarët nëse ajo “humbet” jo për fajin e tyre, si në rastin konkret, kur ajo u kalohet konçensionarëve apo u dhurohet “elektoralëve”. Është krim t’i  marrësh  dikujt gjithçka për të pasuruar një tjetër, duke e detyruar të parin që “vullnetarisht” të “falë” edhe deri 21%  e masës së pensionit të pleqërisë për shkak të aplikimit të parakohshëm për mbijetesë. Miratimi i Statusit të Naftëtarit, sikundër është vepruar me Statutin e Ushtarakut apo Minatorit, është premtuar nëpër fushata nga çdo krah i politikës sa herë që ka patur zgjedhje të radhës, por harrohet me përfundimin e tyre. Si përfundim, konkludojmë se është e pafalshme që asnjë strukturë drejtuese dhe përgjegjëse që kanë shkuar pa ndërmarrë një veprim të tillë, që të vërë në vend ligjin dhe vetëm ligjin për institucionet e tanishme që nuk po japin as shenjën më të vogël të veprimit për trajtimin që u takon naftëtarëve! Shumë më tepër për “djemtë”, që u futin duart në xhepa “baballarëve” në vend që të kontribuojnë për mirëqenien e tyre! Siç e kanë zënë, ruajna Zot e u mbaj mendtë këtyre “djemve”, të mos marrin hapin ekstrem e t’ju kërkojnë naftëtarëve të pushuar në vitin 2008 të kthejnë shpërblimin e vjetërsisë që kanë përfituar për periudhën para vitit 1999! I bëjmë thirrje Kryeministrit të vendit, t’i kërkojë vartësve të tij dhe konkretisht Ministrit të Energjisë dhe Industrisë:

a. Të kthejnë menjëherë në punë të gjithë ata naftëtarë të përzënë në vitin 2010, vendet e të cilëve janë akoma të pambyllura dhe mbahen të uzurpuara nga “elektoralët”.

b. Të hartojnë sa më shpejt që të jetë e mundur draftin e Statutit të Naftëtarit dhe ta paraqesin atë për miratim para privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a.

c. Të gjenden modalitetet apo të miratohet ndonjë status për ndihmë ekonomike të përkohshme me afat veprimi deri në moshën e kapjes së pensionit për të gjithë ata punonjës të ndjekur padrejtësisht në vitin 2010, vendet e punës të të cilëve janë mbyllur më vonë dhe që nuk kanë përfituar me ligj pronë të çfardolloj.

d. Të zbatojnë me korrektesë të gjitha aktet ligjore e nënligjore të nxjerra për trajtimin e punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, si për të shpërndarë të gjithë fondin e miratuar për punonjësit e pushuar në vitin 2010 (nga 600,500,000 lekë të miratuara, punonjësit kanë përfituar vetëm 428,000,000 lekë), ashtu edhe për të dhënë shpërblimin e vjetërsisë për gjithë kohën e punës punonjësve të pushuar në vitin 2010, 2013 e 2014.

Në mbështetje të kësaj kërkese ligjore qëndrojnë dhe propozimet e Avokatit të Popullit, vendimet e Gjykatës së Apelit Vlorë, Vendimi Nr. 130, datë 10.04.2013 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë për shpërblimin e vjetërsisë në pushimet kolektive, si dhe vendimet e Gjykatës të Shkallës Parë Fier për përfitimin e plotë të shpërblimit të vjetërsisë për punonjësit e pushuar në vitin 2013 dhe 2014. Do të jetë zhgënjyes fakti në se edhe institucioni Juaj do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim që ka mbajtur deri tani MEI, Administratori i “Albpetrol” sh.a. dhe Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë. Marrja e përgjegjësive nga ana e Qeverisë Suaj për likuidimin e faturave financiare për punimet e kryera para Qershorit 2013, pa marrë të njëjtën përgjegjësi edhe për shpërblimin e vjetërsisë së munguar të punonjësve të pushuar në vitin 2010, thellon më tej diskriminimin ndaj naftëtarëve edhe nga Qeveria Juaj. Që bezdia e pickimit nga “pleshtat” politik sot, të mos shndërrohet në lemeri nga kafshimet e luanëve të xhunglës nesër, duhen marrë masa të menjëhershme, efikase e ligjore, ndoshta dhe të dhimbshme, por të domosdoshme. Ju takon Juve, z. Kryeministër, të hidhni i pari hapin e duhur në këtë drejtim. Nëse s’keni dorë, atëherë Ju mundeni!

E gjithë strategjia e “djemve” për ta paraqitur “Albpetrol”-in të krijuar në vitin 1999, duket se është hartuar për arritjen e qëllimeve të mëposhtme:

1. Të vulosnin njëherë e përgjithmonë padrejtësitë e kryera ndaj naftëtarëve para Qershorit 2013 me synimin final mosprekjen e interesave të punonjësve nga jashtë “Albpetrol”-it që ishin punësuar padrejtësisht në dëm të naftëtarëve të dëbuar në Korrik 2010, duke siguruar njëkohësisht edhe mosprekjen e paraardhësve.

2. Të pajisnin me “tapi” të punësuarit elektoralë.

3. Të largonin nga “Albpetrol” punëtorët naftëtarë me vjetërsi pune të madhe dhe specialistë me paga bazë mesatare sa dyfishi i atyre që duhej faktikisht të largoheshin (punonjësve elektoralë), masa e munguar e shpërblimit të vjetërsisë të cilëve do të mundësonte pagesën paralele të punonjësve të rinj që do të zëvendësonin naftëtarët e larguar “vullnetarisht”.

4. Të zvogëlonin sa më shumë që të ishte e mundur fondin e pagave për punonjësit e mbetur me qëllim që të ulej fatura financiare që do të duhej të përballonte në vitin 2015 blerësi fatlum i shoqërisë “Albpetrol” sh.a