Autostrada Rrëshen – Kalimash, abuzimet me 1 miliardë e 422 milionë për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës

884
Sigal

KLSH/Raporti i auditimit për ARRSH: Abuzimet me prokurimet publike dhe fondet për mirëmbajtje të mjeteve që nuk ekzistojnë

Vetëm për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës janë shpenzuar nga fondi i investimeve 684,992,038 lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, që sipas KLSH rrit në mënyrë artificiale koston e Autostradës Rrëshen – Kalimash, pasi këto duhet të futen në shpenzimet e mirëmbajtjes. Gjithashtu janë shpenzuar nga ARRSH 836,5 milionë lekë për roje dhe mirëmbajtjen e mjete të rënda që nuk funksionojnë. Këto shifra vijnë nga

Raporti Përfundimtar i Auditimit të ushtruar në ARRSH, me objekt “Mbi vlerësimin e aktivitetit ekonomik dhe financiar” për periudhën 01.01.2011-30.9.2013. mungesa e inventarit të rrugëve në sasi dhe vlerë, abuzimet me prokurimet publike, abuzime me fondet për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e mjeteve të cilat janë të shkatërruara ose nuk ekzistojnë fizikisht janë disa nga shkeljet të audituara nga KLSH.

 ARRSH nuk ka në pronësi gjithë rrugët e vendit

Nga auditimi mbi zbatimin e legjislacionit për shpronësimet për vitin 2013, në referim të

detyrimit ligjor të shprehur rast pas rasti në VKM-të përkatëse për efekt të shpronësimit,

ARrSH, në bashkëpunim me Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme(ZVRPP) brenda afatit ligjor bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit. Por nga ana e ZVRPP-ve nuk ishte bërë regjistrimi (hedhje e trupit të rrugës), me pretendimin se ARrSH nuk përmbush detyrimin për kryerjen e pagesave (taksës për aplikimin për regjistrim), në përputhje me kërkesat e ligjit. Për pasojë ARrSH nuk ka të regjistruar në favor të saj pronat e fituara përmes shpronësimit me vendim qeverie duke i lënë ato jashtë paraqitjes së tyre si aktive në pronësi të saj. Meqenëse procesi i aplikimit për regjistrim të pasurive të paluajtshme ka kosto (taksa e regjistrimit) dhe ARrSH nuk ka fonde të mjaftueshme për përmbylljen e tij në kohë reale, regjistrimi i pasurive të paluajtshme mbetet në proces. Për këtë është rekomanduar që: Autoriteti Rrugor Shqiptar, të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë që në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës t’i propozojë Këshillit të Ministrave të bëhen shtesa në VKM nr. 576, datë 29.8.2012 “Për caktimin e listës së shërbimeve që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, në mënyrë që të përjashtohen nga tarifat e shërbimeve për të gjitha veprimet që do të kryejnë pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për regjistrimin e pasurive të paluajtshme publike të përfituara nga shpronësimet që i kanë kaluar me vendim të Këshillit të Ministrave në pronësi.

Abuzimet me njoftimet në media

Nga auditimi i dokumentacionit mbi publikimin e njoftimeve për shpronësimet e tokës dhe objekteve me qëllim ndërtimin e rrugëve dhe by-pass-eve, konstatohet se në ligjin nr. 8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, në asnjë nen nuk përcaktohen kriteret dhe rregullat e përzgjedhjes së mediave të shkruara, ku do të bëhet publikimi i njoftimit.

Për këtë është rekomanduar që: Autoriteti Rrugor Shqiptar, të kërkojë nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, të bëhen shtesa në VKM nr. 336, date 16.05.2012, ku të përcaktohen kërkesat që duhet të plotësojnë mediat e shkruara (gazetat), kriteret e përzgjedhjes së mediave që do të bëjnë publikimin e njoftimit, me qëllim shmangien e subjektivizmit në përzgjedhjen e gazetave, nxitjen e konkurrencës midis tyre, ofrimit të këtij shërbimi nga subjekte serioze në aktivitetin e tyre duke minimizuar shpenzimet.

Autostrada Rrëshen – Kalimash

 Abuzimi me 684,992,038 lekë për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës

Nga periudha 01.06.2009 deri 14.05.2013 për menaxhimin, funksionimin e mirëmbajtjen e pajisjeve dhe operimin e Tunelit të Thirrës janë shpenzuar gjithsej 684,992,038 lekë. Përdorimi i fondeve të investimeve (artikulli 231) për mbulimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe menaxhimit të tunelit të Thirrës, rrit në mënyrë artificiale vlerën reale të autostradës Rrëshen Kalimash, pasi këto janë shpenzime mirëmbajtje dhe nuk ndryshojnë në strukturën dhe konstruksionin e veprës së përfunduar, por kryejnë vetëm funksion mirëmbajtjeje.

 836,5 milionë lekë për roje dhe mirëmbajtjen e mjete të rënda që nuk funksionojnë

Auditimi i përdorimit të fondeve buxhetore (artikulli 602) “Mallra e shërbime të tjera” nga drejtoritë rajonale tregoi se gjatë vitit 2013 janë shpenzuar fonde për mirëmbajtje rrugësh dhe shërbim roje për automjete dhe makineri të rënda, të cilat janë në inventarin e tyre, por nuk janë në funksionim ndër vite, pasi këto institucione varësie nuk e kryejë më funksionin e mirëmbajtjes së rrugëve si pasojë e ristrukturimit të DPR në ARrSH. Vlera e përdorur jo në mënyrë efektive me pasoja negative për buxhetin e ARrSh është 812,6 milionë lekë si shpenzime mirëmbajtje dhe 23,9 milionë lekë si shpenzime për ruajtjen e këtyre mjeteve.

-Janë shpenzuar fonde për qira dhe roje për makineri dhe mjete që nuk janë në inventarin e institucionit gjithsej 74,7 milionë lekë, veprime që bien ndesh me ligjin në fuqi. Për këtë është rekomanduar që:

-Të shikohet mundësia ligjore për një mirëmenaxhim dhe përdorim sa më efektiv të

fondeve buxhetore për mirëmbajtjen e tuneleve si dhe të autostradës Rrëshen-Kalimash dhe objekteve të tjera rrugore të së njëjtës rëndësi, në mënyrë që të ulet kosto e mirëmbajtjes së tyre.

-Në planifikimin e fondeve buxhetore për investime sidomos për vitin 2015, prioritet të

kenë investimet në rrugë të cilat janë drejt përfundimit, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe garancisë së përfundimit të punimeve, në zbatim të dispozitave ligjore për planifikimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit. Financimi i kontratave në proces sjell përfundimin e punimeve në kohë, rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të rrugës.

  Mungon inventari i rrugëve në sasi dhe në vlerë

Nga auditimi u konstatua se në ARrSH mungojnë të dhëna kontabël për inventarin fizik real të rrugëve sipas kategorive të tyre në sasi (km dhe më pas në m2) dhe në vlerë totale në lekë, të dhëna që do të shërbenin për regjistrimin dhe hipotekimin e tyre si aktive në administrim të ARrSH. Mungesa e një evidence analitike të këtyre aktiveve në formën e kartelave ose e sintetizuar sipas kategorive të rrugëve në km e më pas në m2 dhe në vlerë, ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit ndër vite të disa sektorëve të rëndësishëm ARrSH, si Sektori i Menaxhimit të Kontratave dhe Sektorit të Mbikëqyrjes dhe Kolaudimit të Kontratave me Sektorin e Financës.  Për këtë është rekomanduar që:

Të merren masa, që të ngrihet grupi i punës për inventarizimin e rrugëve të përfunduara dhe/ose të marra në dorëzim sipas kategorive dhe parametrave në sasi (km, m2 ) dhe në vlerë. Të përfundojë hipotekimi i rrugëve, aktualisht në administrimin e ARrSH.

 8 milionë lekë për ruajtjen e makinerive që nuk figurojnë në kontabilitet, (jashtë përdorimit), me vlerën e 5 milionë eurove, të sekuestruara nga Firma Turke “BE-HA-SE”

Nga auditimi u konstatua se nuk gjejnë pasqyrim në kontabilitet, mjete transporti dhe

makineri të sekuestruara nga Firma Turke “BE-HA-SE”, me vlerë prej 5,033, 000 euro, për të cilat nga ARrSH kryhen shpenzime rreth 8 milion lekë në vit për ruajtjen me roje private si dhe qira për tokën ish ambient i kantierit, ku janë vendosur në ruajtje këto makineri e pajisje. Rezulton se të gjitha aktivet nuk janë në gjendje pune dhe shumica e tyre janë jashtë përdorimit.

 Objekte që figurojnë në kontabilitet, por nuk janë fizikisht

-Nga auditimi u konstatuan raste të objekteve të cilat figurojnë në kontabilitet, por nuk janë fizikisht në administrimin e institucionit pasi janë zaptuar nga persona të tretë ose që

rezultojnë të rrënuara si rastet e magazinave në fshatin Bërzhit, Qaf-Mollë, Baldushk, Zall- Dajt, Mullet, Priskë, Kamëz, Vorë- Ura e Limuthit, Krrabë, në total në vlerë të mbartur kontabël 109,484 lekë dhe ndërtesë në qytetin e Laçit e zaptuar me vlerë 202,200 lekë.

 Abuzimi me çmimet në kontratat e punimeve të ndërtimit, dëmi 24,478,685 lekë

Nga auditimi i zbatimit të kontratave për punime ndërtimi konstatohet llogaritje jo e saktë e analizave të çmimeve të zërave të punimeve të ndërtimit, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej 24,478,685 leke me TVSH (24,139,392 lekë + 339,293 lek). Për këtë është rekomanduar që: Drejtoria Teknike dhe Sektori i Projekt-Preventivave të analizojë dhe të vlerësojë saktësinë e të gjitha çmimeve sipas zërave të ndërtimit, të paraqitur nga projektuesi në preventiv të cilat nuk ndodhen në manualet teknike të çmimeve të ndërtimit, duke bërë testimin e tregut dhe krahasuar këto të dhëna me ato të raportuara në organet tatimore.