Ekzekutohen 7 urdhër -ndalime për inventarizuesit e Bankës: 2 vjet kontrolle, s’hapën arkat e vjedhura

765
Sigal

“Tërmet” tjetër në Bankën e Shtetit. Shtatë personat që kishin detyrë të inventarizonin paratë e Thesarit, janë prangosur si përgjegjës për lejimin e vjedhjes për gati tre vjet rresht, të 713 milionë lekëve. Prokuroria e Tiranës ka firmosur sot dhe Policia, ka ekzekutuar pasdite, ndalimin e 7 inventarizuesve të parave të Bankës së Shtetit, të dyshuar për “shpërdorim detyre”. Ata kanë qenë anëtarë të Komisionit të Inventarizimit të Bankës në vitet 2012-2013 dhe, duke mos e kryer inventarin sipas rregullores, ata nuk i kanë pikasur 8 kolitë e vjedhura të parave. Për këtë arsye dhe për faktin që ata nuk e parandaluan vjedhjen në një fazë të mëparshme, ndodhen sot nën hetim. Deri në orën 18:20 u ekzekutuan të gjithë urdhër – ndalimet. Tashmë pritet që Gjykata të japë për të ndaluarit, masën e sigurisë. Të ndaluarit: 1. Gentian Jahja. Ilir Dedja3. Emiljano Lamçe4. Mehdi Marku. Bahri Allushi 6. Mehdi Molla, 7. Fatbardha Gurthi.  Prokuroria ka bërë të qartë me detaje, arsyet pse u ndaluan 7 inventarizuesit: Inventarizimi i Vitit 2013 “Në arkën për veprim”. Në 2013, për kryerjen e inventarit të vlerave monetare në arkën për veprim, Komisioni përbëhej nga: Bahri Allushi Kryetar; Fatbardha Gurthi – anëtare, Ilir Dedja – anëtar dhe Mehdi Molla – anëtar. Inventarizimi nisi më 9 dhjetor 2013 dhe përfundoi më 24 dhjetor 2013, si në degën qendrore ashtu edhe në të gjitha degët. Rezulton se gjendja kontabël më datë 06.12.2013, është e njëjtë me gjendjen e pasqyruar në inventarizimin fizik të kryer me datë 09.12.2013. Pra, do të thotë se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare. Nga aktet e hetimit paraprak rezulton se në muajin Dhjetor 2013, përgjegjës i “Arkës për veprim” në Departamentin e Emisionit, ka qenë personi nën hetim Petrit Ramohitaj, se bashku me dy kolegët e tjera të ngarkuar me vlera, personat nën hetim Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola. Nga këqyrja e kolive në arkën për veprim, rezulton se tetë kolitë e prekura (në të cilat janë vjedhur lekët) kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare , do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin me të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21 qershor 2014. Komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes së inventarizimit, nuk ka verifikuar të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkat e dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin. Verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5 % e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga Kryetari, Bahri Allushi dhe anëtarët Fatbardha Gurthi, Ilir Dedja dhe Mehdi Molla. Gjithashtu përgjegjësi penale kanë edhe të ngarkuarit me vlera, personat nën hetim Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola. Inventarizimi i Vitit 2012 “Në arkën për veprim”. Komisioni i ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga Gentian Jahja – Kryetar, Emiljano Lamçe – anëtar, Ilir Dedja – anëtar dhe Mehdi Molla – anëtar. Inventarizimi nisi më 14 dhjetor 2012  dhe përfundoi më 24 dhjetor 2013. Rezulton se gjendja kontabël më datë 21 dhjetor 2012, është e njëjtë me gjendjen e pasqyruar në inventarizimin fizik të kryer me datë 24 dhjetor 2012. Pra, do të thotë se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare. Nga aktet e hetimit, rezulton se në muajin Dhjetor të vitit 2012, përgjegjës i “Arkës për veprim” në Departamentin e Emisionit, ka qenë personi nën hetim Petrit Ramohitaj, së bashku me dy koleget e tjera të ngarkuar me vlera, personat nën hetim Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola.Edhe në këtë rast, komisioni i inventarizimit nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkat e dëmtuara, çka do të shmangte vjedhjen në të ardhmen. Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga Kryetari Gentjan Jahja dhe anëtarët Ilir Dedja, Emiljano Lamçe dhe Mehdi Marku. Gjithashtu, përgjegjësi penale kanë edhe të ngarkuarit me vlera, personat nën hetim Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola. Në këtë konkluzion arrihet duke ju referuar procesverbaleve të deklarimit të personit nën hetim Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, për faktin se vjedhja në arkën për veprim, është kryer në kohën kur Ardian Bitraj ka qenë përgjegjës i arkës për veprim, pasi vetëm në këtë periudhë, ai ka pasur mundësi veprimi për të vjedhur shuma të konsiderueshme nga arkat (kolitë) e parave me prerje 5.000 lekëshe, siç është pasqyruar edhe në procesverbalin e këqyrjes me datë 22.07.2014. Në momentin që në arkën për veprim, është emëruar shtetasi Petrit Ramohitaj dhe më pas si e ngarkuar me vlera edhe personi nën hetim Liljana Kola, këto koli të cenuara, duhet të ishin konstatuar. Pavarësisht kësaj, nga komisionet e inventarizimit në vitet 2012 dhe 2013, këto mangësi duhet të ishin evidentuar, nëse inventari fizik do kryhej sipas rregullores.