Teknika të reja për zhvillimin e Bujqësisë

    1030
    Sigal

    FSHZH: Projekt për teknologjitë e reja në sektorin agro-ushqimor dhe eksperienca e BE-së

    Bujqësia konsiderohet si një ndër sektorët ku, mund të gjenerohen me tepër vende pune. Për këtë arsye, ky sektor kërkon edhe ndërhyrjet e nevojshme në infrastrukturë dhe në makineritë bujqësore. Shqipërisë i kërkohet të ketë një legjislacion të përbashkët me vendet europiane edhe në sektorin agro-ushqimor, e për këtë arsye ekspertë të Fondit shqiptar te Zhvillimit, me ekspertë të huaj, ishin pjesë e një tryeze të përbashkët për të parë përvojat dhe teknologjitë e reja që mund të vijnë dhe të përdoren në Shqipëri. Projekti financohet nga program i bashkëpunimit ndërkufitar IPA Adriatik, i quajtur “Teknologji në miniaturë: sinergjia e kërkimeve dhe risive për të përmirësuar zhvillimin ekonomik të Adriatikut – IPATECH”. Projekti ka filluar ne tetor 2012 dhe do të përfundojë në mars 2015. Qëllimi i projektit është të fuqizojë kompetencat kërkuese dhe inovatore të sektorit të agrobiznesit në rajonin e Adriatikut nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, social dhe institucional që përfshirë qeverinë, por edhe pushtetin lokal. Projekti IPA Adriatik përfshin Qarkun e Tiranës, duke u shtrirë tek të gjitha njësitë vendore të këtij qarku. Por përse është i nevojshëm ky projekt në Tiranë? Sipas gjetjeve të bëra nga anketat dhe studimet në terren, nga ekspertë të FSHZH-së, rezulton se, në Tiranë rreth 23% të forcave të përgjithshme të punës në vend i zë bujqësia. Kjo gjë e bën kryeqytetin të krahasueshme në Ballkan, Europë e më gjerë. Vetëm në këtë rajon ka 21.020 ha tokë bujqësore ndërkohë që industria e lehtë është sektori më i zhvilluar. Gjithashtu sipas gjetjeve të këtij studimi, numri i fermave për rajonin është 22 598. Bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit në këtë projekt janë pjesëmarrës dhe 7 organizata të tjera nga 4 vende të rajonit të Adriatikut, Itali, Kroaci, Greqi, Bosnjë&Hercegovinë. Në seminare u trajtuan gjetjet kryesore nga analiza dhe studime mbi sektorin agro-ushqimor, praktika të suksesshme në Shqipëri dhe në rajonin e Adriatikut, teknologji të reja dhe inovative në miniaturë. Informacioni i ofruar në këtë seminar u plotësua me prezantimin e standardeve dhe kërkesave të BE-së në lidhje me produktet organike dhe eksportet. Pjesëmarrës në këtë seminar ishin përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, përfaqësues të Universitetit Bujqësor, përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe përfaqësues të organizatave kërkimore dhe studimore, përfaqësues të organizatave joqeveritare, përfaqësues të shoqatave të agrobiznesit dhe të bizneseve private në industrinë agro-ushqimore. Përfaqësuesi i FSHZH, Blendi Bushati, Drejtor i Departamentit të Zhvillimit Rajonal tha: “Ky projekt është kontribut në plotësimin e misionit të FSHZH-së në funksion të zbatimit të politikave e të instrumenteve të zhvillimit rajonal dhe vendor. Materialet e prodhuara nga projekti në formën e studimeve, kontaktet dhe të dhënat bazë mbi sektorin në rajonin e Adriatikut, si edhe investimi në teknologjinë në miniaturë, do të shkojnë si kontribut në ndihmë të sektorit agro-ushqimore dhe aktorëve të përfshire në të. Aktualisht FSHZH është e përfshirë në zbatimin e programeve të integruara investimesh në nivel kombëtar dhe rajonal, të tilla si programi i rrugëve dytësore dhe lokale, programi ujësjellësve rurale, programe për zhvillimin e turizmit etj.