Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: GONGËL

157
Sigal

Sapo kishte hyrë tetori dhe unë ende s’e kisha hequr këmishën me mëngë të shkurtra. Veç, sipër saj kisha veshur një jelek të hollë leshi ngjyrë blu të errët, thurur dikur nga mamaja. Thellë, në xhepin e djathtë të pantallonave kisha fundosur mikun tim De-Lux-in, ndërsa në dorën e majtë çantën e zezë të kohës studentore, tashmë të rrjepur në anët e zinxhirit. S’mbërthehej më nga tërë ato që më ngjeshte Vojsava brenda. Pagova shoferin, i urova një “rrugë të mbarë” dhe zbrita. S’kish shkuar ende shtatë. Ndala një çast aty, anë rrugës kombëtare veri-jug dhe, meqë nga të dy anët s’dukeshin makina, kalova përtej. Hyra përmes hapësirës së gardhit që rrethonte kopshtin e madh, në mes të të cilit ndodhej ndërtesa e zyrave të Drejtorisë së fermës dhe përshkova ato njëzet metra rruginë të betontë që të çonin gjer te porta e saj. Dukej, që asgjë s’pipëtinte. Ishte ende e mbyllur dhe as u përpoqa t’i afrohesha e të ulja dorezën.  Kalova anash murit lyer me gëlqere, që ndërpritej nga ca dritare me veshje të dyfishtë, rrjeta teli dhe skara hekuri dhe zura vend, ashtu në pritje, pranë trungut të pemës frutore më të afërt. Gjethet e vogla të rralla, që sapo kishin nisur të zverdheshin, s’ma mbulonin dot diellin e ngritur andej nga kodrat e fshatit Gosë e më tej akoma, të malësisë së Rrogozhinës. Cilido që do të më shihte kështu, pa më njohur, me atë çantë të fryrë cit, do të më merrte si shpërndarës i postës dhe i gazetave të ditës. Për pak çaste, sigurisht, se ja, nisën të duken, më në fund, nëpunësit e parë, me pjesën më të madhe të të cilëve isha njohur prej kohësh: Et-hemi i pari, ekonomisti i zyrës së planit dhe Veliu, revizori i brendshëm i ndërmarrjes, si pjesë e zyrës së financës. -Mirëmëngjes! Mirëmëngjes ju! – shkëmbyem përshëndetjen e zakonshme, shtrënguam duart. E, ndërsa Veliu shkoi të hapte portën me një çelës të madh në dorë, Et-hemi m’u afrua edhe më. – Eja, – më tha. – Shkojmë në sektor. Ata po të presin – dhe më zuri për krahu. Përshkuam anën e pasme të kopshtit, rrugën tërë pluhur që të shpinte tek ofiçina dhe u gjendëm në skajin e djathtë të një hangari që shërbente si strehë dimërore për makineritë bujqësore. Pjesa ballore e tij qe përshtatur në dy zyra me një koridor në mes: djathtas, zyra e përgjegjësit të sektorit, majtas e llogarisë. Porta e korridorit qe e hapur. Sapo kish kaluar shtatë. Një shkallë vetëm dhe brenda. -Kanë ardhur, këtu janë, – më foli Et-hemi me zë të ulët. Bashkë me fjalët më fryu dhe një duhmë me erë të padurueshme që erdhi nga përtej një sëre dhëmbësh të vërdhemtë. Trokiti në portën e djathtë dhe, vetëm kur dëgjoi atë fjalën “hyr”, uli dorezën. E kisha parë dhe herë të tjera përgjegjës Myrtezain në ato mbledhjet analizë që mbaheshin në Klubin e Kulturës, ku nganjëherë isha ndodhur edhe unë, po dorën s’ia kishim dhënë kurrë njëri tjetrit. Ditë më parë, kur ishim ndarë, Met Gjonbala ma kish përmendur atë si emër pa më vështruar në sy. Kjo kishte qenë shpesh gjuha e tij që, sipas meje, donte të thoshte shumë. E s’ish mjaftuar me kaq. Më kish shtuar, po me sytë poshtë, ca fjalë me të cilat kisha përtypur ndodhi të tëra, që të çonin në ca funde pa fund. “Ka qenë rritës derrash, Patri, gjer para dy vjetësh. Mbaroi shkollën e Partisë dhe…” Kështu, kur hyra pas Et-hemit, krejt serioz, me atë “mirëmëngjesin” me ca sss-ra të zgjatura nga pas, s’pata asgjë tjetër në mendje veç atij përfundimi se pata lënë në humbëtirë një Naun për të gjetur këtu një Myrteza. Sesi qeshi pak… Sigurisht ishte nga ata që mendonin se i ishte shtuar edhe një vartës me probleme biografie dhe që ky rast ishte nga ata që ia shtonin rëndësinë e pozicionit dhe lartësinë e autoritetit… Shkel dhe hip. Mirë se na erdhe, – tha dhe më dha dorën pa u ngritur. – Fillo menjëherë. Normisti ka ditë që s’është më. E ngritën ushtar. – E solla unë Patriotin, sipas porosisë. – shtoi Et-hemi. – Ta njoh me atë pjesë të punës që ka të bëjë me evidencat operative, mujore apo ditore qofshin. Ato që shtroi drejtori ditë më parë në këshillin teknik. Përsëri duhma e erës së padurueshme më kaloi prekazi fytyrës, ashtu e padukshme, po që s’linte vrimë pa zhbiruar e pa u futur. -O burra, Et-hem. Të fitojmë kohë. – Me këto fjalë m’u duk se përgjegjës Myrtezai donte të thoshte se kishte mbaruar punë me ne. Madje uli dhe kokën në fund. Dolëm menjëherë. Et-hemi përpara, unë pas tij. Porta përballë ishte e hapur dhe njëra nga gratë normiste spërkaste sheshin me ujin, që e merrte me grushta nga një brokë, ndërsa tjetra i shkonte pas me një fshesë me bisht të gjatë. Ndërsa shefi atje në fund të zyrës, pas tryezs së tij, në këmbë, seç ngatërronte një kapicë letrash me një vëmendje të atillë sikur kërkonte ndonjë dokument të rëndësishëm humbur mes tyre. -Mirëmëngjes! Mirëmëngjesi, – përshëndetëm ne të dy njëri pas tjetrit. Çdo veprim i tyre ndali. M’u afruan. Më rrethuan të tre. Dukej që më pritnin. Sidomos gratë. Vështrime që të zhvishnin. E prapë ndjeva dashamirësi. Pas përshëndetjeve të rastit, ato vazhduan pastrimin gjer jashtë, te shkalla e vetme, madje edhe përtej, tek sheshi përpara, ndërsa Et-hemi bashkë me shefin u ulën me mua prapa asaj që, si dukej, do të ishte tryeza ime dhe nisën të më shpjegonin detyrat e punëve që më prisnin. Ishin po ato që kisha patur më parë veç me volum më të madh. Sidomos sektori i blegtorisë. Stallat e reja të majmërisë së viçave s’kishin mbushur vitin dhe kapaciteti i tyre ishte thuajse i dyfishtë me atë që kisha pasur më parë atje në humbëtirë, si në kafshë, ashtu dhe në personel. Stallat e derrave gjithashtu, edhe pse të vjetra e të fundosura në fushë jo larg zyrës sonë, në anën tjetër të rrugës, shumë më të mëdha se ato të Vilë-Bashtovës. Po edhe sektori i rritjes së shpendëve, për mish e për vezë s’ishte pak. Do të përballoja kështu dhe një ecejake transporti në funksion të furnizimit të tyre me ushqim, gjer edhe me mbeturina gluteni që, tërhiqnin furnizim ditor me bote mbi rimorkio zetorësh nga Fabrika e Niseshtesë Shijak, apo lloje bërsish nga Fabrika e Zhveshjes së Orizit apo edhe e Vaj-Sapunit Rrogozhinë. Po ajo që shtohej këtu si e re ishte përgatitja dhe hartimi i evidencës operative të prodhimit që duhej ndjekur dhe dorëzuar çdo ditë: një kopje te përgjegjës Myrtezai dhe një në zyrën e planit. Me këtë, atje ku kisha qenë, ishte marrë vetë shef Ramiu, po si dukej përgjegjës Myrtezai apo edhe shef Sinani e donin nga unë. I thamë të gjitha. S’kishin ç’të shtonin më. Et-hemi u ngrit. Gratë s’ishin kthyer ende nga jashtë. -Do të vijë Veliu, – më tha kur po ikte. Do të të shpjerë në magazinë. Të tërheqësh dyshekun e gjithë të tjerat. Të shohësh dhe vendin e fjetjes. Ishte hera e parë që shikoja një buzëqeshje që të gostiste edhe me një duhmë të padurueshme fryme. Ia ktheva me një “faleminderit” dhe u ula përsëri në vendin që, nga ai çast, do ta quaja “timin”. Kështu e nisa punën në atë qytezë, pas asaj tryeze përballë dritares së madhe, me veshje të dyfishtë, rrjetë teli dhe skarë hekurash, nga ku shihej çdo mjet që kalonte në xhade për në Vilë – Bashtovë, apo për te stallat. Edhe pse nisa të plotësoja menjëherë kokat e paqyrave, apo të hapja kartelat e njohura për çdo individ, i ngreja dhe i rrotulloja herë pas here sytë edhe nga kolegët e mi të rinj, ndonëse i kisha parë edhe herë të tjera. Në të djathtë, shef Sinani, meso burrë, me ca buzë të trasha që dukeshin sikur do t’i binin mbi tryezë sa herë që e përkulte kokën të shkruante diçka apo të ngatërronte ca letra me njëra tjetrën. Me flokë të drejtë, paksa të gjatë, me një cullufe që i binte edhe ajo mbi sy, ku spikatnin plot fije të bardha, ndarë anash me një vijë që shkonte gjer prapa kokës, dukej një burrë më i rëndë seç ish në të vërtetë. Banonte në Kavajë dhe vinte çdo mëngjes me Zis-in e punëtorëve. Përballë, Minushja, normiste dhe arkëtare njëkohësisht. Edhe kjo kaluar të tridhjetat, me ca sy të zinj, të thellë e me kurorën e flokëve të dendur e të ashpër që formonin një kaçube të shpupurisur, të ngjashme me një nga ato foletë e lejlekëve ngritur në majat e kavakëve andej sipër, përtej rrugës kombëtare, ku nisnin kodrinat e buta, përmes së cilave kalonte treni plot zhurmë, disa herë në ditë. E zhurmshme edhe kjo Minushja, po e mirë, në s’më gabonin sytë dhe veshët. Sa shumë lëvizte në karrike dhe me çdo të tillë ma errësonte një pjesë të ekranit – dritare me siluetën e kurorës së flokëve të saj.  Kurse majtas, në krah, Dija, një nuse jo dhe aq e re. Ndoshta në moshën time. Kish ardhur nga Tirana, e dashuruar dhe e martuar me një agronom rrogozhinas, që punonte në kooperativën fqinjë të Gosës fshat. Me një fytyrë meite, si të sëmurë, që nuk e çelnin dot të kuqtë e buzëve që në të vërtetë anonin nga vishnja, me sytë larushë, me trup të dobët dhe, në pamje të parë, me një qëndrim paksa të sikletosur, që të jepte përshtypjen sikur ndodhej gjithmonë përpara një problemi të pazgjidhshëm. Epo, s’ishte aq e lehtë të lije Tiranën e të vije të jetoje në një

qytezë të sajuar ca vite më parë tek dyndeshin njerëz nga të gjitha anët e vendit, sidomos nga jugu, për të gjetur punë në ndërmarrjet bujqësore të sapongritura… Këta pra ishin njerëzit me të cilët do të punoja këtej e tutje. Vazhdoja të mbaja kokën ulur e të shëtisja nëpër dokumenta duke pritur të kalonte ora. Sa rrënuese kjo për një njeri, aq më tepër për mua që isha mësuar me punë vërtet të prekshme në favor të dikujt apo edhe të disave dhe jo si një mjet që shërbente për të të rrëmbyer kohën dhe kujtesën njëkohësisht. Por, pas një ore, nisën të hynin e të dilnin brigadierët e arave, ata të blegtorisë si dhe zetoristët. U njoha me ta, një nga një, ashtu siç erdhën: për të më sjellë një dokument, me ndonjë pyetje që mezi e mbanin prapa buzëve, për ndonjë sqarim, me ndonjë kërkesë, po më shumë për të më takuar e njohur. U ngrita sa herë, shtërngova duar, u ula përsëri. S’e di sa herë e mora lapsin në dorë në përpjekje për të shkruar diçka gjersa erdhi ora të vinte Veliu. Eja të shkojmë, – më tha ai pasi i përshëndeti të gjithë me një zë që mezi u dëgjua. – Është ora t’i mbarojmë këto punë që kemi gjer në vaktin e drekës. Dhe dola pas tij me mendimin se kjo paradite më ishte dukur më e gjatë se kurrë.