Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Shkrues i zemëruar

457
Sigal

 Pak çaste pasi ishte mbyllur mbrëmja dëfryese, Kalem Kodra, një shkrues që jetonte tek i biri në një qytet të vogël të Amerikës, ishte ulur dhe po zhgrapte diçka në kompjuter. Ai dukej tepër i zemëruar; ishte edhe pak i pirë.  -Çfarë po bën, ti Kalo? – E pyeti e shoqja. -Ë? Ja, po ia qëndis.. -Kujt, ore? -Këtij të Shoqatës. Por edhe Kryesisë… -E pse? -Si pse, Dafinë? – Ai s’e përmbajti dot një si ngashërim. – E pe me sytë e tu: një program copë-copë; si të themi, aktivitet shumë i dobët. Përveç kësaja, të mos ma jepnin ata fjalën mua. Hë? -Ç’fjalë, o ditëzi? -Që të mbaja fjalim… -U të fshiftë!  -Ehë, s’më kanë njohur mirë ata. Tani bëhem me n/Kryetarin unë dhe e rrëzojmë atë që më lë në hije. S’e dinë Kalemin ata!“Këtu Shoqata e Shqipëtarëve – vazhdoi tw shkruante ai shatrapatra – nukë po i kryen si duhet Detyrat, që të cilat janë të rëndësishme pra si ta themi s’është në vete…………..Shoqata. Domethënë Kryesia s’është në vete. Përveç kësaja, kemi dëgjuar që Kryetari vjedh Fondet.”  Ehë! Le të mos ia jepnin fjalën tjetër herë e ta linin pas dere! Jo për gjë, por ai sapo ka botuar librin e tretë: Të parin e kishte me vjershërime; të dytin me tregime; të tretin me kujtime. Dale pa do ta shikonin! S’e njihnin ata Kalem Kodrën; por kur ta njihnin ama: “Përveç kësaja, Kryetari nuk mban qëndrim Politik për situatën, ai e dredh me ata të Opozitës. Posi.”  Për hir të së vërtetës, shkruesi i xhindosur e kishte parandjerë që më parë se diçka nuk po shkonte mirë. Pas mbrëmjes për Pavarësinë, ku gjithashtu nuk ia kishin dhënë fjalën e, ndërsa prapë nuk po i vinte asnjë ftesë, asnjë ofertë, për të dhënë ndonjë mendje në hartimin e programit për aktivitetin e radhës, ai filloi të mbushej. Gjatë asaj darke të trishtë, kishte pritur me orë të tëra… t’i jepnin fjalën; pothuaj nuk e kishte shijuar fare. Priste plot ankth. Mirëpo ata nuk po ia jepnin fjalën; nuk po ia jepnin që nuk po ia jepnin. Epo, këtë herë e mbushën kupën. Ai do të zhgrapte një shkrim, një letër, që t’iu vinte festja rrotull.

Kohë të shkuara, njerëzit në fshat dridheshin prej tij. Vërtet, një të mesme për pyjore kishte mbaruar, por letrat anonime i thurrte bukur. Të gjithë i druheshin: Kryetari i Kooperativës, Kryetari i Këshillit, Drejtori i Shkollës; përpiqeshin ta kishin grurë me të. Jo po le të bënin ndryshe dhe ta harronin po të donin. Njëherë, në të ngrysur, kur kthehej nga magazina, ku kishte qenë për një kontroll, ai kishte hasur ballë për ballë Ndinin. Ky punonte në Komitetin Ekzekutiv dhe kushedi për çfarë kishte ardhur. Si kaloi aty përbri dhe nuk i foli fare! E ore, Kalemit. Oo, kjo s’durohej. Më vonë, miku do të thoshte se nuk e kishte vënë re, se kishte qenë i hutuar nga një çështje e ngatërruar në Këshill. Po kujt do t’ia hidhte ai? Një t’u kthyer në shtëpi Kalemi, një të qëndisur letrën: “Si mund të punojnë në Komitetin Ekzekutivë njerëz fodullë mendjemëdhenjë, që ata nuku u flasin Kuadrove…………… A e di pushteti vallë që ky Ndini ka një motër të martuar me një nga Tomorrica ku ky ishte i lidhur me ballistët????” Për ta bërë edhe më dramatike gjendjen, Kalemi ia kishte mbytur edhe një ‘thonë’ krejt të helmatisur; puna ishte se ky miku i vërtitej një mësueseje: “Thonë që ky njeri… ka një Figurë të papëlqyshme për Normat e Partisë!!!! Përveç kësaja, në një kohë që gjithë populli është mobilizuar……ky njeri……”  Letrat ishin pasioni i vjetër i z. Kodra. I vinte doresh për laps. Ai shkroi njëherë për gazetën e rrethit një skicë shumë të bukur, të titulluar “Lulet e Partisë”; për kopështin e ri të fshatit. Po kur emëruan edukatore një vajzë nga Lagjia e Gështenjave, atij i kërceu damari. Ou! E pse të mos punonte atje Dafina, e shoqja? I kishte ajo dy të mesme. Në mbrëmje, ai e derdhi gjithë këtë subjekt në një letër anonime: “Edukatoreja që kanë emëruarë këta të Këshillit, një prej Dajallarëve të saja ka marrë grua te Haskollët i cili njëri ka qenë xhandar i Zogut……..” Mënyra se si ai shkruante – përpos shumë gabimeve gjithfarë, ishte i papërtuar për pika, pikëpyetje, pikëçuditëse, shkronja të mëdha, etj. – nuk e pengoi aspak që në të hyrë të Demokracisë të hartonte dhe të botonte një skicë tjetër për kopështin; këtë herë për rinovimin e tij. “Lulet e Demokracisë” ishte titulli i shkrimit. Dhe u pëlqye shumë. Por sapo që edukatore nuk çuan të bijën, por një tjetër, ai ua qëndisi sakaq një anonime: “Kjo që kanë sjellë këta si ta  themi, një Tezja e saja burrin e dytë e ka pasur puro Komunist !!!!!” Kalem Kodra psherëtiu. Jo. Edhe në këtë rast, ai s’mund të heshtte. Kryesia e Shoqatës e kishte shkelur: “Përveç kësaja, ata më Patriotët i kishnë lënë në fund të sallës. Si ta kuptojmë këtë?????” Ai po hynte thellë e më thellë në shpjegimin e normave dhe të sjelljeve në një komunitet të diasporës, por edhe të qasjes mëmëdhetare në tërësi: “Si mund të drejtojënë Shoqatën e Emigrantëve njerëz fodullë dhe mendjemëdhenjë që Ata nuk ja japin fjalën në ngjarje të rëndësishme shkrimtarëve dhe intelektualët e njohur???? Përveç kësaja, Kryetari ka pasur një vëlla kunata e atij ishte  komuniste e thekur. Dhe përveç kësaja e kam dëgjuar me këta veshë kur shante Ministrin. Pra, personi në fjalë.” E shoqja i solli një gotë ujë dhe ilaçet.  -Ke nevojë të qetësohesh, Kalo. Mos u merr më me letra. Letrat shqip kanë nevojë për mua, – tha ai, në një mënyrë që e shkreta grua veç mund të ngrinte supet, se s’kishte çfarë t’i thosh tjetër. As ai vetë s’e dinte më se çfarë ishte duke qarë më lot: “Njëherë edhe për ne Shkrimtarët nuk ka respektë se ja ku po jua them troç…….u shuajtëm në vjersha, kujtime e rrëfenja dhe shpërblim nëc…..” Atij i qe dukur për një moment sikur avujt e alkolit ishin hequr tutje, mendjen e kishte më të freskët; por jo. Frazat që po prodhonte tani, tregonin se ishte bërë edhe më keq. Ai zuri të ngatërronte e të bënte lëmsh tematikën: “Përveç kësaja…….. yshqimet e kësaj Darke nukë e justifikonin pagesën. Pra, është e qartë që ata……..”  Të gjitha ishin të qarta, me përjashtim të një hollësie, të cilën Kalem Kodra nuk e kishte rrokur deri në atë kohë. Adresa. Ku do ta niste këtë deli shkrim, kujt do t’i drejtohej? Dikur ishte e kufizuar dërgesa, letra i shkonte Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv ose Degës së Punëve të Brendshme. Kurse tani, kishte kaq shumë ente, gazeta, portale, blogje, saqë mund të humbisje duke shkruar tërë jetën. “Përveç kësaja……….. Çfarë propozoj unë si intelektualë ku i cili është në të drejtën tonë t’i themi Qeverisë se këta njerëz nuk po vlerësohen si duhetë gjë për të cilën kemi vënë në dukje edhe te blogu “Batall!”  Hë! Blogu “Batall” ishte njëra nga adresat. “Deri kur?” ishte adresa tjetër. Por ai mund të zgjidhte edhe më tej: “Degë e lulëzuar”, “Diaspora”, “Kush e bën shqiponjën me pëllëmbë”, “Rruga e vërtetë”, “Folë e qesh!”, “Shqipëria-lumturia”, “Moj Kosovë, Luaneshë”, “Tundimi”, “Kalaja Shqiptare”, “Frymëzime rinore”. Hm, te kjo e fundit mund ta niste ai letrën, shkrimin; thuhej se kishte mirë lexues. Oheee! Atij po i mbylleshin sytë e mund ta linte edhe për nesër aktin e fundit…  Ndërkaq, gjithçka ishte gëlltitur nga heshtja. Ndihej vetëm era që frynte pakëz në kopësht. Dhe një degë që përplasej pareshtur te xhami i dritares, duke sjellë atje hije figurash; këto ndryshonin çast pas çasti dhe bëheshin herë pendë, herë kthetra, pastaj mikrofon, cfurk, qylyke, dyfek. Ishte shumë vonë.