Sot në Çorovodë festohet me madhështi, 70-vjetori i Brigadës së VII Sulmuese

    495
    Sigal

    Në këtë festë madhështore do të marrë pjesë Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta

    Ka dy ditë që në Skrapar kanë filluar festimet e 70-vjetorit të krijimit të Brigadës së VII, Sulmuese. Në këtë festë madhështore marrin pjesë ish- partizanë të kësaj brigade të lavdishme, veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare, fëmijë, nipër dhe mbesa të ish- partizanëve të kësaj brigade që nuk jetojnë më, drejtues të pushtetit vendor, politikanë, historianë, akademikë etj.. Pritet që në këtë festë të marrë pjesë dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili para disa ditësh është shprehur se, “do të marrë pjesë në të gjitha festimet e krijimit të brigadave partizane, aq më tepër të Brigadës së VII”, që është krijuar në Skrapar, nga është origjina e tij.

    Historia

    Brigada e VII-të Sulmuese ishte një nga brigadat më të shquara të Ushtrisë Nacionalçlirimtare gjatë Luftës Antifashiste të zhvilluar në Shqipëri. Komandanti ushtarak ishte Gjin Marku, ndërsa komisarët politikë ishin Kadri Hoxha dhe Adil Çarçani. Një muaj para se të formohej Brigada e VII  Sulmuese në Vlushë të Skraparit, në Panarit ishte organizuar një mbledhje e kuadrove politikë, që kishte qenë drejtuar nga Enver Hoxha. Në fotografi dallojmë Myqerem FugënAdil ÇarçaninRamiz Alinë, Sadik Bocajn, Mihal Bishën, Zihni SakonBehar Shtyllën dhe pranë titullarit Shpresa Hoxhën (Fugën). Fotografi të tilla origjinale vuajnë nga sëmundja e retushimit, sepse në to janë fshirë disa titullarë. 60 -vjetori i krijimit të Brigadës së VII na kujton disa nga kuadrot që përmendëm më lart, të cilët përbëjnë bërthamën e kuadrove politikë si: Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Niazi Demi, Tajar Grepcka, Ramiz Alia, Nexhmedin Ballka etj.. Më vonë dolën kuadro drejtuese të kompanive të kësaj Brigade, komunistë që ashtu si e nënvizon Myqerem Fuga, u bënë promotori i celulave të kompanive dhe dhanë një kontribut të madh në forcën goditëse të Brigadës, si Foto ÇamiKoli Myzeqari, (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Guçe Stropani etj..

    Dita e krijimit dhe roli i Gjin Markut

    Me të marrë urdhrin, Gjin Marku iu vu punës organizuese të kësaj brigade. Në shtëpinë e Kahreman Yllit, në prani të Myqerem Fugës u bë organizimi i Brigadës ashtu si është dhënë në historik. Batalioni i Parë u formua kryesisht me partizanë të Qarkut të Beratit me një kompani nga Devolli, Batalioni i Dytë kryesisht me partizanë të grupit të Skraparit, ndërsa Batalioni i Tretë u formua nga partizanë të Qarkut të Gjirokastrës, me në krye Gani Nivicën (dëshmor), me një kompani nga Batalioni i Dëshnicës. Ceremonia u zhvillua më 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit, në atë fshat, ku dy muaj më parë nazistët gjermanë vranë 114 skraparllinj, duke përfshirë edhe ata të fshatrave Krushovë, Kapinovë e Turbehovë. I njëqindepesëmbëdhjeti, Veseli, rrojti, jetoi, për t’u treguar ditëve të pasçlirimit tmerret e luftës dhe vuajtjet e atij populli liridashës. “Vlusha vlon”, “Stalini sulmon”. Këto ishin parulla e kundërparulla të natës së parë, drejt aksionit, drejt Beratit. Në garnizonin e Beratit e kryesisht në Kuçovë kishte pak gjermanë, kryesisht kishte forca të Ballit Kombëtar dhe të Xhandarmërisë. Mbrojtja ishte organizuar kryesisht me pikëmbështetje të forta. Mund të përmendim Kalanë, Shëndëllinë, Lisin e Beçit dhe vetë kazermat ushtarake. Kuçova, vetë fusha e Otllakut dhe Ura- Vajgurore kishin të tjerë garnizone mbrojtjeje. Këto objekte, të lidhura me copa transhe dhe hendeklidhje përbënin një mbrojtje të fuqishme, me të cilat do të përballej Brigada e VII. Sekreti i armikut qëndronte në shumëllojshmërinë e pozicioneve të zjarrit. Disa nga këto ishin të pushtuara dhe disa jo. Tanket nuk qëndronin në qytet. Ato afroheshin pranë kazermave vetëm kur partizanët e Brigadës së VII e rrezikonin qytetin. Pas urdhrit të Komandantit vinin urdhra të tjerë, të nënshkruara nga Spiro Moisiu për çlirimin e Beratit, për përballimin e Operacionit të qershorit, për çlirimin e Kuçovës etj. Për çlirimin e Beratit dhanë ndihmesën e tyre vetë beratasit. Qysh në goditjen e parë mbi harkun e parë mbrojtës ra partizani Thoma Shqina, një nga të rinjtë e zjarrtë të këtij qyteti. Po atë ditë ra Rahmi Stropani nga treva atdhetare e Devollit. Nuk mund të numërohen aktet heroike të partizanëve nga Zona e Skraparit dhe e Dëshnicës.