Ylli Baka: Tepelena më ka dhuruar gjithçka që i jep të birit një nënë

1574
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i talentuar i muzikës popullore, Ylli Baka

Takimi me ‘të ishte i veçantë. I qeshur, me atë humorin karakteristik tepelenas, ai nuk nguron të flasë për gjithë rrugëtimin e tij muzikor. Dhe pse tashmë është në majat e këngës popullore shqiptare, sërishmi ai është i thjeshtë, i shoqëruar, komunikues. Nuk i mohon aspak vitet e para në Greqi kur rruga e artit çahet me shumë vështirësi. Por primare në jetë për të është puna. Tymos dhe mendohet të mos gabojë në vite dhe emra, pasi jeta e tij tashmë është mbushur me koncerte në të katër anët e globit ku ka emigrantë shqiptarë, ku ai pritet me entuziazëm. Në arkivin e tij ka 48 këngë të vetat dhe 6 albume, të cilat tregojnë rrugën e bukur të suksesit, pasi këngët e tij, kurrsesi nuk mund t’i këndojë këngëtarë tjetër për vetë ngjyrimin e zërit. Kur flet duket sikur intereson, ku në bisedë mendon se ai jo vetëm është këngëtar, por dhe një poet i mirë.

  Albumi juaj i fundi i realizuar në fund të verës ka pasur shumë sukses. Ku qëndron e veçanta?

“Vetëm ty të dua” është një album i realizuar i gjithë live, i realizuar në gusht 2013. Këtë album e realizova jashtë shtetit, pra cilësia është shumë e mirë.  Vetë kjo këngë që ka marr dhe titullin e albumit për mua mbetet e dashur, pasi është pëlqyer shumë nga publiku.

 Kë do të veçoje tjetër si event vitin e kaluar?

Në vjeshtën e kaluar mora pjesë dhe në Festivalin e dytë të këngës Popullore të realizuar nga RTSH me një këngë me tekst të Arben Dukës dhe muzikë të Roland Qafokut.

 Kur lindi dëshira për këngë për Yllin?

Shumë shpejt. Unë kam filluar të këndoj qysh në moshën 20- vjeçare në Shtëpinë e Kulturës, Memaliaj, por dalja ime në tregun muzikor shqiptar ka ndodhur vonë. Ndoshta kam qenë një talent i lindur. Por talenti lind dhe zhvillohet, sigurisht, nëse di të zgjedhësh komponentët kyç të suksesit.

 Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të mirë?

Janë shumë, por unë do veçoj Adi Hilën, Arben Dukën, Trebickën, Roland Qafokun, Jorgo Papingjin, Valentin Veizin, i cili më ka kompozuar dy balada mes ët cilave “Sa e dua Shqipërinë”. etj..

 Albumi juaj i fundit ishte i gjashti, çfarë përbën në karrierën tuaj artistike?

 Përbën më shumë seriozitet, më shumë këmbëngulje, më shumë kërkesa ndaj vetes, më shumë përgjegjësi. Një album profesional, ku u pa shumë shpejt rezultati në treg.

 Albumi i parë juaj është bërë në Athinë, a është ai një album që ju hapi dyert e suksesit të këngës?

 Albumi i parë mbetet album i parë. Aty është starti, është dëshira për të parë rrugën e artit. Po të kthej sytë pas them se sërishmi ai mbetet një album që më hapi shumë shtigje, ishte hapi im i parë dhe thyeji shumë pengesa të fillimit.

 Sa këngë të tuat regjistroni në arkivin tuaj?

Unë në arkivin tim regjistroj plot 48 këngë të miat, këngë të reja të pa kënduara nga askush. Këto këngë kanë për herë të parë zërin tim,

Mund të përmend “Rrugët e fatit”, “Sa e dua Shqipërinë”, “Burrë e grua”, “Vajza jetime”, “Rruga e mbarë” “Kurbetllinjtë”, “Baba Tomorri”, ku këtë këngë dua ta veçoj pasi ngelet hit në çdo kohë.  Këtë këngë e këndoj kudo pasi kërkohet me ngulm. Veçoj dhe “Vallja e hajdutëve” një këngë e realizuar me parodistët e Vlorës.

 Shpesh flitet se dhe tekstet e këngëve Ylli i ka të veçanta?

Kjo është e vërtetë, pasi unë i kam zgjedhur autorët e teksteve, por nga ana tjetër mund të them se ua sugjeroj vetë bashkëpunëtorëve temën e teksteve pasi ua përshtat kërkesave të publikut.

Keni qëndruar shumë kohë në Greqi, çfarë keni marrë nga kënga greke?

Greqia është një vend që e do shumë muzikën, kryesisht këngët popullore. Aty mësova shumë gjëra, pasi dhe kam kënduar në shumë vende. Mund të them se aty fillova t’i ngjis një e nga një shkallët e suksesit duke kënduar dhe në kalbe të vegjël, ashtu siç i kanë nisur këto rrugë të gjithë këngëtarët e mëdhenj. Por di që më kanë respektuar dhe nuk e kam ndjerë racizmin, por media ka bërë punën e saj. Në Greqi dëgjohej vetëm muzikë greke dhe shumë rrallë mund të dëgjoje muzikë të huaj.

 Këtë zë magjik e keni dhuratë të krahinës së Tepelenës?

Besoj se po, se krahina jonë ka një ujë të mrekullueshëm, ka një klimë të ashpër, por të suksesshme dhe një tokë që rrit pyje dhe bagëti me famë. Ky zë ndoshta është dhuratë e këtyre karakteristikave që thashë.

 -Një nga miqtë tuaj më të mirë është dhe Agron Llakaj…

Po, Agroni është një artist i papërsëritshëm, një aktor specifik, me të cilin kam filluar bashkëpunimin që kur ai ishte Drejtor i Pallatit të Kulturës, Tepelenë. Më ka përkrahur dhe çdo bashkëpunim i imi me ‘të ka qenë miqësor, profesional dhe mjaft korrekt. Aktualisht ai mbetet (për mua), aktori më i kërkuar në treg.

Kur lindi dëshira për këngë për Yllin?

Unë kam filluar të këndoj qysh në moshën 20- vjeçare, por dalja ime në tregun muzikor shqiptar ka ndodhur vonë. Ndoshta kam qenë një talent i lindur. Por talenti lind dhe zhvillohet, sigurisht, nëse di të zgjedhësh komponentët kyç të suksesit.

Sot shumë njerëz janë penduar për profesionet e zgjedhura, po Ylli hynë në këtë kategori?

Aspak! Përkundrazi e dashuroj marrëzisht profesionin që kam. E them me bindje se më pëlqen profesioni im, në të cilin sot bëj pjesë. Madje, e them me po kaq bindje se jam i gatshëm që t’i shkoj deri në fund të kësaj rruge që kam nisur të bëj. Edhe nga ana ekonomike mund të them që unë si këngëtar jam shumë i kënaqur, pasi ana ekonomike është e lidhur ngushtë me suksesin. Jashtë ekonomisë, mua më ka bërë të zgjedh këtë profesion pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës.

Besoj se rruga e një këngëtari është e vështirë…

Normal. Çdo profesion ka të vetat, por i yni është pak më i vështirë dhe i ashpër. Konkretisht çdo material, çdo këngë, çdo sukses, ka vështirësitë e veta, por ajo superohet me punë dhe seriozitet maksimal. Në çdo profesion në çdo zanat ekziston fjala popullore: “Duhet 99% punë dhe 1% talent”.

Thonë se këngëtarët janë më xhelozë dhe e ndjejnë konkurrencën shumë?

Xhelozia profesionale për mua nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi të mobilizon. Më pëlqen konkurrenca, sigurisht, po flasim për atë konkurrencë që ka muzikë të mirëfilltë Dhe më vjen realisht mirë kur ka konkurrencë,e cila gjithmonë ka marrë vlerësimin dhe respektin tim maksimal. Pa këtë konkurrencë nuk do ishim këtu ku jemi por do binim në vetëkënaqësi. Realisht sot ka konkurrencë të dyfishtë si reale ashtu dhe të pandershme. Pjesë e jetës. S’ke çi bën. Ka dhe këngëtarë që kanë marrë grada të pamerituara, por tani për tani ka dhe falsitete. Koha do bëjë të vetën.

Si është një ditë e zakonshme për Yllin?

Eh si është. Jo si ajo e zyrtarëve. Zgjohem në orën 10:00 të mëngjesit, pi një kafe me shokët ose familjen ose shpesh edhe me koleg që mund të jenë këngëtarë, poetë, kompozitorë. Pastaj filloj punën.

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Cilësitë dhe virtytet e njeriut janë të shumta. Personalisht vlerësoj sinqeritetin e tij. Miqësia dhe shoqëria kanë qenë dhe janë gjithmonë të pandashme në jetën time.

Ne flasim më lehtë për të tjerë, po të flasim për veten?

Edhe unë nuk di ç’të them, por do ta përmbledh në dy fjalë…Jam njeri i thjeshtë, i komunikueshëm dhe i qeshur, korrekt në punë. Këto them unë për veten, por nuk di ç’thonë të tjerët për mua.

Ju shpesh herë jepni tematikat tek poetët për të bërë tekstet e këngëve, madje keni bërë dhe tekste, çfarë do të bëhej Ylli, n.q.s s’do të bëhej këngëtar?

Jeta të njeh me shumë të papritura. Ndaj njeriu duhet të jetë i përgatitur për jetën. Mendoj se çdo njeri sot ka dy dhe më shumë profesione. Personalisht mendoj se do bëhesha poet sepse më vjen dorësh për poezi dhe pasi disa nga  tekstet e këngëve i kam shkruar vetë.

Keni shkuar në shumë vende kush ju ka ngelur më shumë në kujtesë?

Kam vizituar shumë, por Amerika më ka mbetur në mëndje padyshim. Mbi të gjitha më ka pëlqyer patriotizmi i shqiptarëve aty. Pastaj vijnë Londra, Roma, Athina etj…Kurse përsa i përket bukurive shqiptare mbeten të patjetërsueshme,Vlora, Saranda dhe vendlindja ime Tepelena.

Muzika dhe shqiptarët, cili është mendimi juaj?

Populli ynë është një popull muzikëdashës. Në Shqipëri dëgjohen shumë rryma, por ajo gjë që unë njoh mirë është se shqiptarët tanimë janë kthyer të dëgjojnë muzikën e mirëfilltë popullore. Pjesa dërrmuese e tyre e bëjnë këtë dhe mund të them me plotë gojë që ato që e dëgjojnë kanë filluar ta shijojnë,sepse janë velur më pseudo-këngëtar dhe pseudo-këngë.

Le të flasim pak për fansat?

Jam shumë i kënaqur me fansat. Dhe madje kam bërë edhe një këngë dedikuar atyre, sepse e meritojnë ajo titullohet: “Jeni miqtë e mi të nderit,ndaj ju them faleminderit”! Gjithmonë ato janë të pranishëm edhe në punën time dhe në krijimtarinë tim të re dhe kjo është një mbështetje e madhe, e cila më fal energji pozitive.

Ylli Baka i mungon familjes?

Shumë. Puna ime është me rroba në valixhe. Udhëtar i përjetshëm. Më mungojnë të gjithë pasi jam larg tyre për ditë të tëra. Kam një familje solide, ku të gjithë i dua dhe më duan.

Çfarë janë më të interesuar njerëzit që të dëgjojnë nga repertori juaj?

Të gjitha këngët e mia janë të kërkuara, por kryesisht kur shkoj nëpër dasma preferojnë normalisht këngët e krahinës së tyre, por këndoj edhe këngë të tjera të cilat unë i këndoj me kënaqësi. Pak më lart fola dhe për këngët e mia Hit, të cilat s’ka shans të mos i këndoj në çdo koncert.

Sot ka shumë prurje këngëtarësh popullorë. A ndikon në cilësi?

 Po, ka. Ka prurje të shumta dhe shumë të mira në treg për muzikë të mirëfilltë. Shikojmë një shmangie të kopjimit, siç ka qenë ritual i yni gjithmonshëm dhe shikojmë një rivalitet të mirëfilltë midis atyre që prodhojnë këngë të mirëfilltë dhe kush prodhon më mirë.

Jeni pjesëmarrës në shumë aktivitete, si do t’i komentoni?

Në radhë të parë kudo që kam shkuar, kam shkuar falë zotit dhe punës dhe njerëzve që më kanë mbështetur duke më falur adhurimin e tyre. Më kanë mbështetur duke më bërë që asnjëherë të mos i zhgënjej në krijimtarinë time si këngëtar i tyre.

Lidhjet me librin?
I kam lënë pak pas dore. Por më pëlqejnë më shumë librat me poezi, pasi janë pjesë e profesionit. Por edhe librat e vjetër rapsodik shqiptar. Lexoj, por lexoj më shumë gjatë pushimeve.

A keni pengje?
Nuk kam kurrfarë pengu në jetë, për asnjë dhe për asgjë!

Jeta e përditshme?
S’e ndjej fare ditën, ikën sa hap e mbyll sytë. S’e kuptoj as vetë! Puna jonë është intensive, koncerte, prova, aktivitete.

Çfarë planesh për të ardhmen?
Kam disa plane për të ardhmen, objektivi im është që shumë shpejt të nxjerr disa këngë të reja deri në pranverë. Besoj se, 2014-a do të jetë më i suksesshëm se 2013-a. Plus shumë koncerte brenda dhe jashtë atdheut. Kohën e kam të mbushur, ndaj duhet ta shfrytëzoj në mënyrë racionale.