Sot mbledhja mes 2 qeverive Shqipëri-Kosovë,  nënshkruhen marrëveshje në disa fusha

147
Sigal

Në orën 11:15 do të nisë takimi mes dy qeverive dhe do të vijojë me fjalën e dy kryeministrave e më pas fjala nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore. Sot zhvillohet mbledhja e 8-të mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Në Prishtinë, janë takuar delegacionet e dy qeverive. Axhenda e plotë e kryeministrit Edi Rama është bërë e ditur për mediat: AXHENDA: 11:15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë – Shqipëri
Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

12:20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”
Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.

12:30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
12:45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave
18:00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” të Enver Hoxhaj

Gjatë kohës së zhvillimit të kësaj mbledhje, Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike. Në një deklaratë për media, Policia ka njoftuar se ata do të kujdesen dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë së Shqipërisë. Si shkak i mbledhjes, Policia sot pasdite dhe nesër do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojnë delegacionet. Marrëveshje që pritet të nënshkruhet do të përfshijnë fushat si ajo e arsimit, drejtësisë, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit, e sigurisë, por jo vetëm. Mbledhja e fundit e dy qeverive u zhvillua në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan 13 marrëveshje të reja në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive në qytetin e Elbasanit. Kyeministri Rama ka mbërritur në Kosovë një ditë më herët ku ka vizituar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë. Kryeministri është ndalur në takime edhe me biznesmenët në Gjakovë.