Si do të plotësohen kuotat e mbetura bosh tek Inxhinieria e Ndërtimit, ndryshimet për vitin akademik

    562
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Andrea Maliqari

    F akulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka endevende bosh që presin të plotësohen nga dalja e Formuarit A3. Një fakt të tillë na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, dekani Prof. Andrea Maliqari. Sipas tij vendet e mbetura bosh, do të jenë në listën e Formularit A3. Një risi për këtë vit për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit është shtimi i kuotave, i cili është bërë për shkak të rritjes së kërkesave të tregut për specialistë që dalin nga ky fakultet.

    -Zoti Maliqari, sa kuota kanë ngelur bosh për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, pas regjistrimit të fazës së parë?

    -Nga faza e parë e regjistrimit kanë mbetur disa vende bosh, por di të them që nuk janë shumë. Megjithatë një llogaritje më e saktë për këto kuota do të bëhet pasi të mbyllet dorëzimi i dokumenteve në sekretari që mbyllet me datë 13. Por nga vitet e kaluara Arkitektura, Urbanistika, inxhinieria e Ndërtimit ka qenë e plotësuar që në fazën e parë të regjistrimit. Kështu që edhe këtë vit nga të dhënat që unë kam marrë më rezulton që Arkitektura, Urbanistika, inxhinieria e Ndërtimit janë të plotësuara. Ndërsa për degët tjera kanë ngelur nga 20 vende bosh apo 15 vende. Këto vende që kanë ngelur bosh do të jenë të përfshira në Formularin A3 që do të dali nga data 15 sipas informacioneve të marra. Në si fakultet do të nxjerrim kuotat përfundimtare që janë bosh dhe do t’i dërgojmë kuotat që kemi bosh që më pas të jenë të përfshira në Formularin A3.

    -Si po shkon programi i masterave në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit për vitin e ri akademik?

    -Në kemi bërë propozimet tona për këtë vit akademik dhe na kanë ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kuotat e përcaktuara si për Masterin Shkencor, ashtu dhe për Masterin Profesional. Sigurisht që nëse kërkesat do të jenë më të mëdha se sa kuotat kryesisht për Masterin Shkencor, atëherë ne kemi notën mesatare që mund ta vendosim. Por Masteri Shkencor kërkon një formim tjetër. Nga eksperienca e viteve të kaluara ne kemi marrë një kontingjent që e kanë pasur notën mesatare mbi shtatë. Pra unë e thashë që Masteri Shkencor kërkon një kualitet tjetër në ndryshim nga Masteri Profesional. Edhe këtë vit në Masterin Shkencor do të jenë të përfshirë studentë që janë më të mirët sepse edhe vetë programi që ka ky master është më i specifikuar dhe kërkon një përgatitje më të lartë. Ndërsa në programin e Masterit Profesional ne pranojmë të gjithë atë kategori që është e orientuar drejt profesionit.

    -Studentët që duan të ndjekin studimet për master janë më shumë të orientuar drejt Masterit Profesional apo drejt atij Shkencor?

    -Dy llojet e masterit shihen ndryshe nga studentët. Por unë mund tu them që studentët në këtë ndarje duhet të gjejnë veten e tyre në momentin që vendosin për të ndjekur një master. Ata që janë të mirë në lëndët shkencore dhe që janë të prirur ndaj shkencës duhet të zgjedhin Masterin Shkencor. Ndërsa ata studentë që nuk kanë rezultate të mira dhe që nuk kanë prirje në lëndët shkencore duhet që të zgjedhin për të ndjekur Masterin Profesional.

    -Këtë vit keni pasur një rritje të kuotave për fakultetin e inxhinierisë së Ndërtimit, a është studiuar tregu i punës kur është marrë vendimi për tu rritur kuotat?

    -Po në ndryshim nga vitet e tjera këtë vit ka pasur një rritje të kuotave për arsye është e nevojshme rritja e kuotave, aq më tepër që është edhe në politikën e qeverisë që të rriten specialistët që dalin nga degët e fakultetit tonë. Por rritja e këtij viti është bërë edhe duke pasur parasysh rritjen e numrit të kërkesave që ka pasur nga viti në vit.

    -Këtë vit sa ka qenë numri i konkurrentëve, ka pasur interesim të të rinjve për këtë fakultet?

    -Unë do të thoja që numri i konkurrentëve të këtij viti ka qenë shumë i afërt më atë të një viti më parë. Afërsisht kanë qenë gati 300 konkurrentë që kanë konkurruar për degën e Arkitekturës dhe degën e Urbanistikës. Po ashtu edhe rritja e kuotave më e madhe ka qenë në degët e Arkitekturës dhe Urbanistikës.

    -Çfarë projektesh ka Fakulteti i inxhinierisë së Ndërtimit për sistemin e Doktoraturës për vitin e ri akademik?

    -Një tjetër element mjaft i rëndësishëm është dhe kualifikimi i stafit akademik, pra ndërtimi i një shkolle të doktoraturës. Ne kemi filluar vitin e kaluar me studimet e thelluara teorike dhe është risi, që për herë të parë kemi arritur që të ndërtojmë një shkollë me pjesëmarrjen e profesorëve të huaj të universiteteve të huaja partnere. Aktualisht, në shkollën e doktoraturës të Arkitekturës japin mësim rreth 12 profesorë francez dhe italianë, të cilët drejtojnë shkollën e doktoraturës. Ne në muajin tetor mbyllim fazën e studimeve të thelluara teorike me një konferencë dhe më pas hapin fazën e studimeve individuale për përgatitjen e disertacioneve. Më pas do vazhdojmë me shkollën e doktoraturës, për Hidroteknikën, Mjedisin etj.. Të cilat kanë filluar studimet dhe do të mbështeten dhe ato nga një pjesë e profesorëve të huaj, të cilët janë aq të domosdoshëm jo vetëm në formimin e pedagogëve tanë, por njëkohësisht për të nxitur dhe kërkimin tonë shkencor aq të munguar në universitetet tona.

     -Sa është numri i personave që janë në Shkollën e Doktoraturës?

    -Ne i kemi të përcaktuara nga këshilli i ministrave kuotat për doktoraturën. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, në doktoraturë janë 12 kuota shqiptarëve dhe plus dy kuota janë nga trojet. Ne kemi tre shkolla doktorature dhe për secilën nga këto shkolla kemi 12 kuota plus dy kuota të trojeve. Sigurisht që, zhvillimi për herë të parë i studimeve të thelluara teorike, na bëri që ne ta rritim numrin, sepse për herë të parë ne arritëm që të ftojmë një grup profesorësh dhe muaji tetor do të jetë muaji i analizës të studimeve teorike për t’i dhënë një zgjidhje definitive dhe të mirëorganizuar shkollës së doktoraturës. Për ta transformuar më pas shkollën e Arkitekturës që ne kemi në një shkollë ndërkombëtare, për t’i dhënë mundësinë shkëmbimit të informacionit. Sivjet për herë të parë vjen një student francez për të plotësuar 30 kredite të një semestri në Masterin Shkencor të ndërtimit, duke përzgjedhur një seri lëndësh që atij i interesojnë.