Shqiptarët mbeten në mëshirë të fatit, spitalet nuk kanë as anestezi për operacione

    384
    Sigal

    VËZHGIM/ QSUT, vendi ku shkon për t’u shëruar dhe nuk gjen dot zgjidhje për disa arsye

    Qendra spitalore “Nënë Tereza” padyshim mbetet qendra më e madhe spitalore në Shqipëri, ku pacientët duhet të “përplasen” për hallet dhe problemet e tyre shëndetësore. Çdo ditë dëgjojmë deklarata dhe premtime politike për përmirësime që janë bërë, apo dhe premtime boshe për ato që do të bëhen në të ardhmen. Por shumëpak i “beson” këto sot, pasi po të bësh një paralelizëm midis realitetit dhe premtimeve nuk gjen asnjë pikë të përbashkët. Dhe këtë realitet aspak të këndshëm e has sapo futesh në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Atje nuk gjen as higjienën dhe as shërbimin që meritojnë qytetarët që paguajnë taksa dhe që me të drejtë duhet ta marrin, ashtu si qytetarë të tjerë në vende të ndryshme të botës. Përsëri jemi larg po të mendohet që të krahasohet shërbimi shëndetësor në Shqipëri me ndonjë shërbim shëndetësor në vendet fqinje. Por le të kthehemi në realitetin e padëshiruar shqiptar. Situata në disa prej ambienteve të saj lënë shumë për të dëshiruar, aq më tepër, kur bëhet fjalë për shërbimin që u bëhet pacientëve që shkojnë në dyert e këtij spitali. Personat që për arsye shëndetësore janë gjendur në dyert e këtij spitali shprehen të pakënaqur me kushtet që ofron ky spital. Qoftë pacientët e sëmurë apo qoftë edhe të afërmit e tyre që qëndrojnë pranë tyre ankohen për mungesën e kushteve. Kjo gjë duket fare mirë edhe në reagimet e tyre. Ndonëse shumë njerëzve u duhet të përballen me jetën e tyre, të luftojnë deri në momentin e fundit për fituar atë, mungesa e kushteve cilësore atyre ia bën edhe jetën më të vështirë. Imazhet që mund të marrësh nga qendra spitalore janë  pamje të zymta dhe shumë gri, kjo pasi gjithçka është mbuluar nga pluhuri dhe merimangat, nga lagështia dhe papastërtia. Ndaj nuk është shumë e vështirë, që pacientëve përveç sëmundjes që kanë, të mbartin mjaft lehtë edhe ndonjë virus apo infeksion, nga mungesa e papastërtisë. Në qendrën spitalore “Nënë Tereza” mund të gjesh gjithçka, përveç pastërtisë dhe rregullit apo edhe qetësisë. Përveç mungesës së kushteve, në këto ambiente mund të përballesh edhe me sjellje burokratike dhe mediokre, të cilat i drejtohen njerëzve të thjeshtë, kjo për arsye përfitimi.

    Probleme me shërbimin që ofrohet

    Po qytetarët çfarë mendojnë dhe çfarë bëjnë përballë këtyre kushteve? Asgjë tjetër përveçse të “përshtaten me kushtet që janë, pasi nuk kanë asnjë rrugë tjetër dhe se nuk e ngrenë dot zërin për disa arsye. Ndër arsyet më kryesore që njerëzit zgjedhin të heshtin përballë këtyre kushteve, është se nuk i dëgjon njeri për problemet dhe kushtet aspak normale që gjejnë në qendrat shëndetësore. Personat që për arsye shëndetësore janë gjendur në dyert e këtij spitali shprehen të pakënaqur për gazetën “Telegraf”, për kushtet që ofron ky spital, por në instancat drejtuese nuk i dëgjon njeri edhe nëse ankohen. Ku ndër të tjera qytetarët shprehen për “Telegraf” se, nëse nuk paguan nuk të bëjnë dot as një serum infermieret, apo doktorët s’të bëjnë vizitat. “Këtu nëse nuk paguan, harroje se të kapin për të vizituar. Nëse nuk jep para je i mbaruar për doktorët dhe infermierët. i kanë humbur ndjenjat njerëzore janë kthyer si robot, vetëm për shkak të parave doktorët sot”, shprehet Olta. E nga Peza. Ndërsa i pyet se përse i japin para, por nuk e denoncojnë një fakt të tillë, përgjigja është shumë e trishtueshme. “Duhet të japësh para që të mbarosh punë se në të kundërt nuk shërohesh dhe nuk e zgjidh kurrë hallin që ke, por kështu jemi mësuar të shkojmë ne shqiptarët. E pra për këtë je i “detyruar” të paguash, sepse në të kundërt nuk gjen zgjidhje”, shprehet Hysni, S.

    Probleme me mungesën e ilaçeve

    Mungesa e ilaçeve, është një problem më vete që i shqetëson qytetarët, në momentet që i drejtohen spitaleve. Personat që shkojnë në spitale duhet të mendojnë për të gjitha gjërat vetë, pasi atje nuk mund të gjesh as higjienën, por as ilaçet që u duhen. Madje, situata shkon në ekstremitet kur nuk ka edhe anestezi për kryerjen e operacioneve. Cilado që mund të jetë arsyeja kjo është e pajustifikueshme. I.M, një qytetar nga një qytet i vogël i jugut tregon për “Telegraf”, se ka ardhur në Tiranë për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale në tëmth dhe ndërhyrjen kishte menduar ta kryente në Spitalin Ushtarak, për shkak se kishte më shumë besim tek stafi atje. Por pengesa që nuk mund ta bënte ndërhyrjen atje, është mungesa e anestezisë. Ai tregon për “Telegraf” se: “Unë erdha nga qyteti im për të bërë një ndërhyrje më të specializuar në Tiranë dhe zgjodha Spitalin Ushtarak, për arsye se kanë staf më të mirë, sipas mendimit tim. Por nuk e realizova dot ndërhyrjen para një jave atje, sepse më bënë të ditur se nuk kishte anestezi në periudhën që ishte përcaktuar për të bërë ndërhyrjen time”. Por nuk është rasti i parë që në spitale nuk ka ilaçe, por fakti që mungon anestezia për të bërë edhe ndërhyrjet e bën edhe më të rëndë situatën. Këto janë disa nga rastet që mund të shihen në spitalin “Nënë Tereza”, por ka me dhjetëra raste të tjera që nuk bëhen publike për mungesën e ilaçeve, apo mungesën e shërbimit nga mjekët.