Sergei Hrushov flet mbi Krimenë : Ja si ja fali Babai im Ukrainës

    444
    Sigal

    Kthimi i Krimesë tek Rusia nuk është një alternativë, shpresoj që kjo të mos ndodhë

    Dhënë “Zërit të Amerikës”

    Krimea tani është nën kontrollin e forcave të armatosura ruse. Për të diskutuar mbi situatën në atë rajon, korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Andre de Nesnera zhvilloi një bisedë me zotin Sergei Hrushov, djali i ish-udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov. Krimea është një gadishull ukrainas, por dhe bazë e flotës ruse të Detit të Zi, që lejon Moskën të zgjerojë praninë e saj ushtarake në Mesdhe. Shumica e popullsisë është e etnisë ruse, një e katërta është ukrainase dhe rreth 12 për qind janë tatarë të Krimesë. Për shekuj me radhë, Krimea ishte pjesë e Rusisë, deri në vitin 1954 kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov ia dha gadishullin Ukrainës, e cila në atë kohë ishte republikë sovjetike. Djali i Nikita Hrushovit, Sergei, thotë se vendimi për t’ia dhënë Krimenë, Ukrainës kishte të bënte me ekonominë dhe bujqësinë, me ndërtimin e një dige hidro-elektrike mbi lumin Dniepër për ujitjen e rajoneve jugore të Ukrainës, përfshi Krimenë.
    “Meqenëse lumi Dniepër dhe diga hidro-elektrike ishte në territorin e Ukrainës, u mendua që të transferohej dhe pjesa tjetër e territorit të Krimesë nën mbikëqyrjen e Ukrainës, në mënyrë që ata të ishin përgjegjës për çdo gjë. Dhe kështu vepruan. Kjo nuk ishte një lëvizje politike, nuk ishte një lëvizje ideologjike, ishte vetëm biznes”.  Zoti Hrushov thotë se ishte diçka e arsyeshme që të kishte vetëm një njësi territoriale përgjegjëse për ndërtimin e një projekti kaq të madh.

    “Tani ka zëra që thonë se babai im donte të kënaqte demokracinë e Ukrainës apo që ai madje e bëri si dhuratë për gruan e tij, nënën time, sepse ajo ishte ukrainase, por të gjitha këto nuk kanë aspak lidhje me realitetin. Ajo ishte vetëm një çështje ekonomike dhe jo politike.”

    Krimea tani është nën kontrollin e plotë të forcave ruse. Zyrtarët rusë thonë se ky veprim është bërë për të mbrojtur popullatën e etnisë ruse që jeton në gadishull. Por zyrtarët perëndimorë thonë se nuk ka prova se rusët atje kanë nevojë për mbrojtje. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e përshkroi dislokimin e trupave si “një akt agresioni i pabesueshëm”.

    Tensionet midis Moskës dhe Kievit u rritën muajin e kaluar pasi presidenti pro-rus i Ukrainës Viktor Janukoviç u rrëzua nga protestues që kërkonin lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian. Më shumë se 80 demonstrues u vranë dhe zoti Janukoviç u largua në Rusi.
    Zoti Sergei Hrushov thotë se nuk ka ngjashmëri mes asaj që po ndodh në Krime dhe luftës së vitit 2008 mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, për dy rajonet e saj separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

    “Në luftën e vitit 2008, presidenti gjeorgjian Saakashvili u përpoq të rivendoste kontrollin mbi këto dy rajone rebele duke përdorur forcën dhe duke i sulmuar, kështu që Rusia reagoi. Ajo ishte një luftë.”

    Tani për tani, thotë zoti Hrushov, në Krime nuk ka pasur shkrehje armësh.
    “Dhe unë shpresoj që të mos ketë, sepse askush nuk është i interesuar të luftojë. Dhe ushtarët ukrainas të cilët po shërbejnë në Krime, janë vetë  nga Krimea, kështu që ata nuk duan të fillojnë luftën që do të ishte kundër interesave të popullit të tyre dhe të vendit të tyre. Mendoj se dhe rusët nuk duan të luftojnë.” Sa i përket të ardhmes, zoti Sergei Hrushov thotë se kthimi i Krimesë tek Rusia nuk është një alternativë.
    “Nuk mendoj se do të ndodhë. Dhe unë shpresoj që kjo të mos ndodhë. Gjithashtu nuk dëgjuar asnjëherë që Putin të thotë se dëshiron të bëjë një gjë të tillë.”
    Megjithatë ligjvënësit në Krime kanë planifikuar një referendum për bashkimin me Rusinë për në datë 16 Mars, një veprim që do të shkallëzojë tensionet edhe më shumë.

    Ngjarjet në Ukrainë

    Më 21 shkurt 2014, pas demonstratave 2- mujore të opozitës kundër mënyrës së qeverisjes së Presidentit Viktor Janukoviç, ku humbën jetën rreth 80 demonstrues, Parlamenti i Ukrainës shkarkoi nga detyra Presidentin Viktor Janukoviç dhe caktoi 25 majin si ditën e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale. Deputetët e motivuan vendimin e tyre me mospërmbushjen e detyrave kushtetuese të Presidentit, të cilat kanë ndikuar në mosqeverisjen e vendit, rrezikimin e integritetit territorial dhe shkeljen masive të të drejtave të njeriut. Por, në një intervistë të shkurtër të regjistruar dhe të transmetuar në një televizion të qytetit të Harkovit, në kufi me Rusinë, Janukoviç deklaroi se ajo që po ndodh në Kiev është grusht shteti.
    Kryetari i ri i Parlamentit ukrainas, Oleksandr Turchynov, u zgjodh më 21 shkurt menjëherë, pasi kryetari i mëparshëm pro-qeverisë, Volodimir Rybak, dha dorëheqjen, duke thënë se kishte probleme shëndetësore. Ndryshimi i Kryesisë së Parlamentit erdhi, ndërkohë që Presidenti Janukoviç njoftohet se u largua nga Kievi dhe për të është dhënë nëj Urdhër arresti ndërkombëtar. Pas largimit të Viktor Janukoviç nga Ukraina, Rusia dislokoi 16 ooo  trupa në Krime për të mbrojtur  interesat e shtetasve të vet.

    Krimea

    Krimea është një gadishull në pjesën veriore të Detit të Zi dhe republikë autonome rusisht-folëse, në territorin e Ukrainës. Ajo u bë rajon ukrainas në vitin 1954, kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov transferoi juridiksionin e saj nga Republika Sovjetike e Rusisë tek ajo e  Ukrainës, një masë që atëherë ishte thjesht një formalitet brenda kufijve të Bashkimit Sovjetik. Por pas rënies së Bashkimit në vitin 1991, Krimea mbeti pjesë e Ukrainës së pavarur. Në historinë e saj të hershme, ajo është kolonizuar dhe pushtuar në mënyrë të vazhdueshme nga grekët, romakët, Perandoria Bizantine, etj. Në shekullin e 13-të, Krimea u pushtua nga tatarët, një popullatë myslimane turqisht-folëse, që ishte pjesë e Hordhisë së Artë, degë e Perandorisë mongole të themeluar nga një nip i Genghis Khanit. Krimea u bë një shtet vasal i Perandorisë Osmane në shekullin e 15, por ishte njëkohësisht dhe një fuqi rajonale më vete, duke kërkuar zotërim të territorit që sot përbën rajonin e Vollgës kaspike, në Rusi. Krimea u pushtua nga Perandoria Ruse në vitin 1783. Lufta e Krimesë në shekullin e 19-të (1853-1856), e cila vuri Rusinë përballë një aleance mes Britanisë së Madhe, Francës, Sardenjës dhe Turqisë, u zhvillua kryesisht në këtë gadishull. Pas një rrethimi të gjatë, forcat aleate morën nën kontroll qytetin e Sevastopolit, ku ishte baza e Flotës së Detit të Zi të Carit. Në fund të luftës, Krimea ishte kthyer pothuajse në gërmadhë. Gjatë luftës civile në prag të Revolucionit rus të vitit 1917, Krimea u bë skenë luftimesh brutale mes forcave cariste, bolshevike dhe anarkiste. Pas fitores së bolshevikëve, gadishulli i Krimesë u bë pjesë e Republikës Sovjetike të Rusisë. Në vitin 1944, diktatori sovjetik Josef Stalin dëboi të gjithë popullsinë tatare të Krimesë në Azinë qendrore dhe pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik, nën akuza për bashkëpunim me nazistët.