Në këtë 100-vjetor të lirisë edhe populli i krahinës së Lunxhërisë, brenda e jashtë saj, kremton e krenohet me ndihmesën e tij. Ka shumë evenimente, shumë ngjarje ku Lunxhëria ka dhënë ndihmesën e saj të shquar për më të mirën e mundshme të popullit tonë. Janë me dhjetëra e qindra bijtë e shquar të saj. Sot sytë e mendjen, nderimet e falënderimet më të përzemërta i kemi tek këto:
Kur plaku mjekërbardhë
ngriti flamurin në Vlorë
ishte dhe një nga anët tona
që në Vlorë ja bëri fora.
Kështu pohon dhe krenohet me të drejtë lunxhoti me Petro Vito Pogën, vazhdues i veprës së rilindësve të mëdhenj, i cili me më të shumtit prej tyre ishte shok rilindas si ata, ideolog e luftëtar i shquar për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Petro Poga u lind më 1850 në fshatin Erind të Lunxhërisë. Rridhte nga një familje e madhe që edhe më të madh ja bëri emrin biri i saj Petrua. Mësimet fillestare i kreu në Erind dhe, siç ishte në natyrën dhe formimin e lunxhiotëve, edhe familja e Petros e dërgoi të birin për studime të mëtejshme në Gjimnazin me emër “Zosimea” të Janinës, ku studiuan dhe shumë shqiptarë të tjerë. Studimet e larta i kreu në Stamboll, ku u diplomua në fushën e Jurisprudencës. Stambolli ishte qendra e madhe ku shumë shqiptarë, ndër ‘ta dhe shumë lunxhiotë, kishin emigruar, punonin dhe më të shumtët e tyre mendonin e luftonin për lirinë e përparimin e popullit të tyre. Ndër këta ishte dhe Petro Poga. Vepra e tij ogur i hapave të tij atdhetare, ishte drejtimi i gazetës “Drita”, siç do ta kujtonte me mall e nderim atë ngjarje: “Titulli “Drita” më kujton ditën 14 Kallnuer 1883, kur për të parën herë në Stamboll botova fletoren e parë me emrin “Drita” gja më dëshirore për zgjimin e idealit kombëtar”. Fletorja “Drita” e zgjoi idealin e shenjtë dhe deri diku çrrënjosi nga zemrat e shqiptarëve mendimin që fetë e ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që formojnë kombin. Poga, më 1906 ishte në Gjirokastër ku përhap e propagandon idetë atdhetare. Është nismëtar dhe drejtues i klubit patriotik “Drita” ku bashkë me atdhetarë të tjerë si Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha, Elmas B&çe etj. kryejnë një veprimtari të madhe. Gazeta “Liria” e Selanikut, në janar 1909 shkruante: “Shqiptaria këtu në Gjirokastër ka hedhur rrënjë të shëndosha. Klubi “Drita” ka mbledhur në gji të tij një tog burra të vyer e të zotë, që të bëjnë një shoqëri të shëndoshë dhe me të vërtetë kombëtare.
Puna si Ministër i Drejtësisë
Veprimtaria atdhetare e Pogës erdhi përherë e më shumë në ngjitje. Në Nëntor 1912 parësia e Gjirokastrës i telegrafonte Ismail Qemalit : “Ju bëjmë të ditur se për të marrë pjesë në bisedimet që po bëhen atje për shpëtimin e vendit, janë zgjedhur delegatë nga popullsia krishtere e Gjirokastrës, lartësia e tij Myfit Beu, Z. Petro Poga dhe Jani Papadhopulli”. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ku u zgjodh Qeveria e parë e shtetit shqiptar, Petro Pogës i besohet posti i Ministrit të Drejtësisë. Ishte ky një vlerësim i merituar për aftësitë dhe atë veprimtari atdhetare që Poga ynë kishte zhvilluar në vite. Ai e kreu me devotshmëri detyrën. Mendimet dhe gjykimet e tij për një drejtësi të shkëputur nga Perandoria Osmane, për një drejtim në shërbim të popullit e të vendit të tij gjenden në dhjetëra shkresa e akte të rëndësishme zyrtare. Veprimtaria juridike e Petro Pogës meriton studim të veçantë. Ai ka shumë merita që nga periudha 1912 si Ministër Drejtësie e deri në fund të jetës së tij. Ai hodhi bazat e legjislacionit të ri shqiptar me mendim e frymë perëndimore. “28 Nëntori për proklamimin e pavarësisë sonë… më kujtojnë gëzime të mëdha për realitetin e idealit kombëtar për të cilin ëndërronin të gjithë shqiptarët e vërtetë. Por më kujtojnë edhe tmerrin e ngjarjet e këqija të brendshme që hoqi Shqipëria që nga dita e proklamimit gazmor. Peripecitë e kësaj Qeverie janë të shumta dhe vetëm historia mund t’i përshkruajë një ditë me detajet e tyre…..”. Edhe pas vdekjes ja ndjejmë nevojën mendjes së ndritur të Petro Pogës. Dhe janë edhe më të shumta shpjegimet e tij sidomos tani që bëhet një zhurmë për rishikim të historisë së popullit tonë. Referimi tek figura të tilla si Petro Poga e të tjerë, është detyrim për të dhënë e ndriçuar saktë historinë tonë. Gjithë jeta e veprimtaria e Petro Pogës, gjithë çka shkruar e ka bërë, qëndrimet e tij në situata e kohë të ndryshme, ruajnë aktualitetin dhe kemi shumë për të mësuar. Në gazetën “Albania”, Bukuresht 1897 Poga boton artikullin “Propaganda” ku, midis të tjerave, bën thirrje për aktivizimin e një propagande të gjerë, të gjithanshme, të vazhdueshme me qëllim që të shtojmë e të përhapim idenë e lirisë, gjithashtu për mëmëdhenë të punojmë. Të nxitojmë të marrë vesh bota ç’të këqija na bën turku, bullgari, serbi, greku, malazezi. Të luftojmë e të marrim lirinë tonë, bën thirrje Poga dhe përsëri thërret fort: “propagandë, propagandë që të shtohen mëmëdhetarët e vërtetë. Dhe në këtë propagandë, thotë Poga, theksin ta vëmë tek gjuha shqipe, tek ngritja e shkollave, tek botimet”. Për gjuhën shqipe do të shkruante një tjetër artikull me titull “Gjuha Shqipe dhe shqiptarët” ku, midis shumë vlerësimeve e përgëzimeve për gjuhën shqipe, ngre dhe rëndësinë e madhe të saj si mjet komunikimi etj.. Poga thumbon ata që thonë se gjuha shqipe është shumë e varfër, që nuk ka shumë fjalë etj. Ja si përgjigjet ai: “Mund që nuk ka aq fjalë sa të mundim të lëvdojmë mjaft punët e mëdha që kanë bërë stërgjyshërit tanë dhe kjo është e vërtetë. Por nuk është më pak e vërtetë së mundim të shkruajmë me gjuhën tonë dhe të marrim vesh ato që ata kanë bërë për mëmëdhenë tonë, për atë dhe të stërgjyshërve që mban në gji sot eshtrat e tyre…..Dhe, siç është në stilin e tij dhe si atdhetar i flaktë”. Poga ynë thërret duke dhënë kushtrimin: “Nuk na mbetet kohë të presim më; duhet të mundohemi e të hapim shkollën shqipe në Shqipëri, të mësojmë me gjuhën tonë, se vetëm kështu do të mundim të njohim veten cilët jemi dhe do të na dhimbet për mëmëdhenë tonë – po s’bëmë kështu do të qajmë fatin tonë”. Petro Poga na jep një shembull të vyer në përdorimin e shqipes. Ai shkroi një shqipe të pastër dhe, si lunxhiotë që jemi, na vjen mirë që përdor shumë fjalë dhe shprehje të bukura lunxhiote. Por nuk është vetëm kjo që e bën të afërt dhe të dashur Petro Pogën me Lunxhërinë dhe Erindin. Ai emigroi në shumë shtete të botës, migroi brenda Shqipërisë në Gjirokastër e Tiranë, por shtëpinë në Erind e ruajti, e pajisi e mobiloi bukur. Në Erind kalonte pushimet, për prindërit ndërtoi një varr madhështor të rrethuar me kangjella hekuri e të zbukuruar me lule. Kujtesa historike flet për të tjera dëshmi që e lidhin Pogën me krahinën, me ruajtjen e traditave. Vajzat i martoi me lunxhiotë në Dhoksat e Erind, i nxori nuse me veshje tradicionale lunxhiote që i qepi e i qëndisi Vito Poga, babai i tij, i cili e ushtroi zanatin e terziut në Stamboll e në Erind. Aq të bukura ishin lunxhiet e Lenës kur shkoi nuse në Dhoksat sa ranë në merak Bogarajt dhe porositën një për vajzën e tyre. Petro Poga jetoi 94 vjeç, nga këta mbi gjysmën ua kushtoi Shqipërisë. Nga jeta politike u tërhoq në moshën 89 vjeçe. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Erind, deri në fund me mendje të kthjellët dhe konsekuent në idetë e tij atdhetare. Bashkëkohësit tregojnë që Ali Bej Këlcyra i dërgoi lajm, por Poga nuk ishte me mendjen “Dalmaco – Këlcyra”; ai ishte kundër pushtimit italian, ashtu siç ishte dhe më parë kundër synimeve greke. Këta për ta turpëruar Pogën i dhanë vaj ricini. Ja kishin “në xhep” qëndrimet e Pogës kundër idesë së marrë greke për Vorio Epirin. Që më 1912 kur Ismail Qemali e dërgoi Pogën të bisedonte me ushtarët grekë që bombardonin Vlorën, ai nuk u miklua me dredhinë greke që e mirseardhi duke i thënë “qirje” Poga. Nuk jam “qirje”, por zoti Poga u ishte përgjigjur ai. Ndërsa sejmenët e Ali Beut i përcolli me një gjest sa diplomatik dhe patriot: “I thoni Aliut jam plak dhe nuk dua të turpërohem”.