Orkid Spahiu: Do të hapen 3000 dosje të ish të burgosurve politikë

    508
    Sigal

    Flet z. Orkid Spahiu, juristi i Institutit të të Përndjekurve: Greva, e instrumentalizuar nga politika e mbrapshtë dhe sigurimi i shtetit

    Do të ketë rishikim të afateve të dorëzimit të dokumentacionit për rreth 3000 dosje të cilat “flejnë” në Ministrinë e Drejtësisë prej kohësh. Këtë e bën të ditur për “Telegraf” z. Orkid Spahiu, drejtues i Departamentit Ligjor pranë Institutit të të Përndjekurve dhe anëtar i grupit të punës në hartimin e projektligjit të ri. “Ky grup pune sapo e ka nisur punën e tij për kuadrin ligjor të ligjit të dëmshpërblimit dhe do vazhdojë edhe për ndryshime të tjera, gjithmonë duke patur në konsideratë kërkesat e grupimeve të interesit në lidhje me pensionet e kategorisë së të internuarve, rishikimin e afatit të dorëzimit të dokumentacionit dhe njohjes së tyre për efekt pranimi në sistem”, shprehet z. Spahiu. Ai citon dhe të tjera ndryshime që pritet të ndodhin, apo çështje që janë ende në diskutim. Gjithashtu z. Spahiu e ka definuar grevën e urisë të të përndjekurve politikë si të instrumentalizuar nga politika e mbrapshtë dhe sigurimi i shtetit.

     Z. Spahiu, si fillim do të doja të dija cili është qëndrimi juaj si institucion për grevën e urisë të një grupi të përndjekurish. A ju duken të drejta kërkesat e tyre, që për hir të së vërtetës kanë karakter ekonomik?

     Qëndrimi ndaj të gjitha formave të protestave deri tek ato që quhen sublime, me hyrjen në grevë urie, duhet të vlerësohen rast pas rasti nga kauza, përfaqësuesit dhe kryesuesit, respektimi ligjor i ndjekjes së procedurave administrative e ligjore për zgjidhjen e çështjes në fjalë. Unë si individ, pjesëtar i shtresës sociale të përndjekurve politikë në diktaturë dhe tani si drejtues i Departamentit Ligjor pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë  këto 6 muaj, duke parë nga afër legjislacionin e Republikës së Shqipërisë, adresuar kësaj kategorie sociale dhe politike, vërej se politika dominuese në partitë parlamentare deri më tani ka abuzuar dhe instrumentalizuar nevojën, kërkesën dhe domosdoshmërinë e integrimit real të kësaj shtrese duke e futur atë në labirinte ligjore e institucionale.

    Kërkesat ekonomike të përndjekurve politikë në Shqipëri përbëjnë një nga drejtimet e shumta dhe me jo pak rëndësi për integrimin, respektimin dhe rehabilitimin e vuajtjeve të asaj periudhe dhe nëse këto kërkesa me hir, ose pahir, nga përfaqësues të ndryshëm të kësaj shtrese, dalin në plan të parë për opinionin publik, në krahasim me kërkesat e tjera morale, sociale dhe politike, duket haptazi që ky instrumentalizim vazhdon të jetë prezent edhe tani dhe i nxitur nga politika e mbrapshtë dhe nga sigurimi i shtetit për të denigruar, përbuzur dhe zhbërjen totale të sakrificës në vuajtjet e diktaturës komuniste.

     Ju jeni pjesë e grupit të punës në hartimin e projektligjit të ri për të përndjekurit. Cila  është risia e këtij projektligji?

    Risia është tek rregullimi me ligj dhe kritere të paanshmërisë në mënyrën e pagesës së kësteve për të përndjekurit  politikë që iu është miratuar dosja për dëmshpërblim nga Ministria e Drejtësisë.

    Për qasjen sa më të drejtë u ngrit urgjentisht edhe me kërkesën tonë, një grup pune në ministrinë e linjës për rishikimin e kuadrit ligjor për dëmshpërblimin, sepse ishte në një kaos të vërtetë për sa i përket kritereve dhe solidaritetit njerëzor në respektim të gjendjes aktuale të individëve të përfshirë në skemën e dëmshpërblimit me Ligjin nr. 9831 dt. 12.11.2007 ( i ndryshuar me Ligjin nr. 10111 dt 02.04.2009), i cili sapo ka filluar punën me problemet më emergjente të ligjit në fjalë, siç janë barazia në shpërndarje, mosha, gjendja shëndetësore dhe sociale e të interesuarve në skemën e dëmshpërblimit.

      A do të ketë ndryshime të tjera dhe ku konsistojnë ato?

    Siç e thashë më parë, ky grup pune sapo e ka nisur punën e tij për kuadrin ligjor të ligjit të dëmshpërblimit dhe do vazhdojë edhe për ndryshime të tjera gjithmonë duke patur në konsideratë kërkesat e grupimeve të interesit në lidhje me pensionet e kategorisë së të internuarve, rishikimin e afatit të dorëzimit të dokumentacionit dhe njohjes së tyre për efekt pranimi në sistem, të cilat kanë qenë të parregulluara në ligj.

     Çfarë po bëhet me trashëgimtarët, të cilët nuk përfitojnë, pasi klasifikohen si dosje me probleme?

    Si procedurë e ndjekur nga Ministria e Financave për klasifikimin e dosjeve me probleme, për shkak të aktit të trashëgimisë, deri tani nuk ka qenë e specifikuar në ligj me udhëzim ndjekja e procedurës dhe ka lënë vend për shumë abuzime, por ne si grup pune kemi propozuar që me një udhëzim të veçantë të rregullohet edhe ky ngërç.

    Për shkak të lëvizjeve demografike të popullsisë dhe emigracionit, ky problem ka qenë gjithë kohës prezent dhe së shpejti do të zgjidhet ligjërisht kjo procedurë, por e rëndësishme është që media e shkruar të jetë më e kontrolluar dhe më e saktë në dhënien e informacionit, sepse ngatërrohen lajmërimet me listat e emrave që nuk kanë marrë asnjë këst, me ata që u del emri për pagesë nga Ministria e Financave dhe që do afatin e vet kohor për bankën e nivelit të dytë.

      A kanë akses ish të përndjekurit në gjurmimin e dosjes së tyre (për të ditur se në ç ‘fazë është)?

    Të përndjekurit politik kanë akses direkt në tre sektorë të ministrive që janë bashkëpunuese në këtë proces dhe në veçanti në Institutin tonë, por që me Nenin 22 të Ligjit ekzistues nr. 9831 dt 12.11.2007 (i ndryshuar) duhej të kishin akses edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë të përditësuar në mënyrë periodike çdo javë, gjë që nuk ka ndodhur dhe që tani me grupin e punës është futur në rend të ditës vazhdimi i detyrimit ligjor të këtij neni me anë të një database me akses të lirshëm nga çdokush për të parë gjendjen aktuale administrative të dosjes së dëmshpërblimit.

     Cilat janë prioritetet e grupit të punës dhe cilat janë detyrat që u parashtruan në mbledhjen e fundit?

    Prioritetet e grupit ndërministror të punës janë që ligjin në fjalë dhe të gjithë legjislacionin e shtresës së të përndjekurve politikë në Shqipëri, pikë së pari të jetë më afër nevojës dhe domosdoshmërisë për integrim real dhe rehabilitimin me dinjitet të kësaj kategorie në bashkëpunim me grupimet joqeveritare, duke marrë në konsideratë mundësitë ekonomike në përpalljen e faturës financiare për të mos rënë në demagogji elektorale.

    Është ngritur një nëngrup pune, që është në varësi tonën, për bërjen e një analize të saktë shkencore mbi gjendjen sociale dhe ekonomike të shtresës së dënuarve politikë në Shqipëri me qëllim evidentimin dhe zbatimin e një politike të veçantë nga qeveria për amortizimin e gjendjes së tyre.

    Trajtimi me pension për të internuarit

    Rishikimi i afatit të dorëzimit të dokumentacionit

    Udhëzim i ri për dosjet me probleme

    Database për gjurmimin e dosjes

    Ngritja e grupit të punës për të analizuar gjendjen social-ekonomike të ish të përndjekurve politikë

     Ish të përndjekurit marrin këstin e parë, Veliaj: S’i detyrohemi gjë  Fatmir Hoxhës. Hoxha: Nuk bëhet fjalë për para

     Ndërkohë që greva e urisë së ish të përndjekurve ka shkuar në ditën e katërt të saj, Ministria e Mirëqenies Sociale ka shpërndarë dje këstin e parë për 80 të përfitues nga kjo kategori. Ministri Veliaj ka reaguar dhe për grevën që po zhvillohet pranë ambienteve të Institutit të të Përndjekurve Politikë, sipas të cilit pretendimet e grevistëve janë shumë qesharake. Sipas tij, personi që drejton grevën e urisë, Fatmir Hoxha nuk ka bërë asnjë ditë burgu, por vetëm e ëma e tij dhe daja. Fill pas deklaratave të ministrit Veliaj, ka reaguar Fatmir Hoxha, duke shtuar se kjo grevë bëhet për kauzën dhe nuk bëhet fjalë për lekë.

    Erion Veliaj

    Për ministrin Erion Veliaj pretendimet e grevistëve, ish të përndjekur janë qesharake. Sipas tij, ai ka kërkuar të dialogojë vërtetë me persona që janë në grevë, por që realisht kanë bërë vite burg. “Dje kam kërkuar negociata me të përndjekurit politikë. I vetmi kusht që kam pasur është që të flasim me dikë që ka bërë burg. Fatmir Hoxha, edhe pse e pranoi se s’ka bërë burg, pretendoi se nëna ka bërë 9 muaj burg, i ka marrë 19 milionë lekë. Në vend që ta merrte me 8 këste, i mori lekët të plota. Për çfarë është ai në grevë urie?!”- kështu ka deklaruar Veliaj.

    Fatmir Hoxha

    Në lidhje me deklaratën e ministrit Erion Veliaj, ka reaguar Fatmir Hoxha, i cili që prej ditës së martë ka hyrë në grevë urie, së bashku me ish të përndjekur të tjerë. Sipas Hoxhës, greva është bërë për kauzën që përfaqësojnë ish të përndjekur. “Nuk bëhet fjalë për para, por për pafajësi”- deklaroi Hoxha. Ai shtoi më tej se grevistët janë të vendosur të vazhdojnë deri në flijim, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

      Konferenca, ish të përndjekurit politikë: Zgjidhje për kërkesat tona

     Të burgosurit politikë të regjimit komunist në konferencë e tyre kombëtare kanë parashtruar disa kërkesa, sipas të cilëve duhet të zgjidhen nga qeveria. Ata kanë kërkuar një seancë plenare në të cilën Kuvendi të dënojë aktivitetin e diktatorit Enver Hoxha, mbi bazën e konventës mbi torturën. “Të dalim nga e shkuara komuniste dhe të dënohen krimet”- deklarojnë të ish-të burgosurit politikë. Ndërkohë, të burgosurit politikë kanë parashtruar dhe një tjetër kërkesë që ka të bëjë më dënimin e krimeve të atij regjimi. Gjatë kësaj konference të burgosurit kanë parashtruar gjashtë kërkesa.

    Kërkesat

    -Një seancë plenare në të cilën Kuvendi të dënojë aktivitetin e diktatorit Enver Hoxha, mbi bazën e konventës mbi torturën

    -Largimi nga e shkuara komuniste dhe të dënohen krimet

    -Gjetja e eshtrave e 4500 qytetarëve të vrarë nga regjimi

    -Ndërtimi e një varreze kombëtare në Tiranë për të pushkatuarit e diktaturës

    -Ngritjen e një muzeumi Kombëtar në Tiranë për ata që u martirizuan për fjalën e lirë dhe paqen

    -Ndalimin e botimeve të historisë së diktaturës në median televizive