Opozita e Bashkuar: Në javët e ardhshme aksione radikale kundër krimit dhe korrupsionit të qeverisë

520
Sigal

Petraq BARJAMI

Platforma politike do të zbardhet në ditët që vijnë, nuk kanë vendosur as për djegien e mandateve, as për protesta

Në ditën e parë të sezonit politik, pas pushimeve të verës, opozita nuk ka ndryshuar asgjë nga sjellja e saj politike në marrëdhëniet e saj me qeverinë dhe parlamentin. Bojkotoi seancën e parë plenare, siç ka bërë edhe herë të tjera, ku nuk dha asnjë fryt, sepse u rikthye sërish. Bojkotoi edhe dje komisionin parlamentar, siç ka bojkotuar edhe më parë, ndërkohë që mazhoranca e pa shqetësuar, ka vijuar punën e saj, duke miratuar ligjet e saj.

Pse nuk është gati platforma politike e opozitës?

Protesta e qytetarëve të Kukësit kundër pagimit në Rrugën e Kombit, duhet të kishte shërbyer për opozitën, si pikë referimi të ndërtimit të platformës së saj opozitare. Mirëpo, ai shembull u harrua shpejt, siç u harrua edhe “mosbindja civile” e cila mbeti thjesht në thirrje patetike. Mazhoranca u detyrua të shtyjë shqyrtimin e projektligjit, që nuk dekretoi Presidenti Meta “Për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe kjo erdhi për shkak të protestave të shumta të artistëve, por edhe të veprimit të opozitës. Kjo është një provë, se arroganca e mazhorancës mund të ndalet vetëm me përplasje konkrete. Si aksion i parë politik, shkuarja e opozitës së bashkuar në qytetin e Shkodrës, aty ku kanë ndodhur krime të rënda, të cilat ende nuk janë zbardhur, ishte nj veprim i vlerësuar, por jo i mjaftueshëm. Elektorati i djathtë, është i zhgënjyer nga kohëpritja, nga amullia e mosveprimeve konkrete, nga mungesa e strategjisë së qartë të opozitës. Deri tani është mjaftuar vetëm me deklarata, denoncime, disa bojkote parlamentare dhe kaq. Kryetari i opozitës Lulzim Basha u premtoi shqiptarëve se platforma opozitare e Opozitës së Bashkuar do të jetë gati deri në mes të muajit shtator. Pyetja është: Përse nuk e ka gati opozita këtë platformë?

Basha: Aksione radikale

Mbase edhe vetë kryetari i PD-së Lulzim Basha e ka kuptuar se mjetet politike që ka përdorur kundër keqqeverisjes kanë qenë të pamjaftueshme për të rikthyer besimin tek elektorati shqiptar se PD është një alternativë qeverisëse. Prandaj, edhe dje, për herë të parë pohoi, se duhet “ aksion radikal” kundër mazhorancës”. Ndoshta kryetari i PD-së Basha nënkupton bojkotin? Protestat e vazhdueshme, siç ka premtuar, që do të nisin në shtator? Kryetari i opozitës Lulzim Basha nisi nga Shkodra mobilizmin e strukturave të Partisë Demokratike për t’iu përgjigjur sfidës jetike të vendit, çlirimit të qeverisë nga krimi. Basha: “Ajo që ka rëndësi, është shkalla e mobilizimit me të cilën ne si PD, do të mund t’i përgjigjemi thirrjes për një aksion radikal politik, që të ketë synim largimin e këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie. Sot rrugë tjetër përveç përballjes nuk ka’, tha Basha.

Oponionisti Fatos Lubonja: Duhet aksion radikal nga opozita

Sipas Lubonjës kjo qeveri ndalet vetëm me radikalizëm, kur vjen puna për çështje si ajo e Teatrit. “Kjo mazhorancë me një kryeministër si Edi Rama ka treguar se nuk gjen rrugë tjetër për të ndryshuar mendim, përveç presionet si varianti Kukësi apo presion i fortë nga ndërkombëtarët. Rama i ka kapur institucionet, ka dhe bandat mbrapa. Problemi është sa i ka opozita këto deklarata serioze. Duhet aksion radikal nga opozita. Legjitimitetin opozita e fiton nga zullumet e qeverisë. Mekanizmi është ta lësh mazhorancën në minorancë, t’i marrësh deputetët me mendim ndryshe. Dihet që po vazhdoi kjo rrugë, do vijë një moment që kriza e madhe të bëjë që t’i lihet faji të mëdhenjve dhe ata t’i largohen trenit të Ramës.