Nikolla Lena/ Divjaka, një vend i bukur, det, pyll dhe histori

    593
    Sigal

     Zakonisht fundjavat nuk më pëlqen t’i kaloj në Tiranë dhe aq më shumë që fundjavën që shkoi, kisha një motiv për t’u larguar prej saj. Kryeministri Rama bëri një vizitë në Divjakë. Shoqërohej në vizitën e tij nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe deputeti Braçe. Motivi ishte përurimi i investimeve të bëra kohë më parë në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë. Vërtet ishte bërë një punë shumë e mirë, ishin hapur rrugë pyjore, investime në mbrojtjen e parkut, në mbrojtjen e florës dhe faunës, sidomos faunës së rrallë si Pelikani Kaçurrel, një specie gati në zhdukje. Ishin bërë investime në pastrimin dhe mirëmbajtjen e zonave turistike dhe të vizitueshme nga shqiptarët dhe të huajtë.

    Të vizitosh Divjakën në këto ditë të ngrohta vjeshte është vërtet një mrekulli natyrore. Det, pyll, laguna, grykëderdhje lumenjsh, peshkatarë, fusha të mbjella me prodhime bujqësore që konkurojnë tregun evropian si dhe specie të rralla siç janë buallicat që rriten në ligatinat e kësaj zone dhe numërohen si specia e vetme në Ballkan.

    Kur përmend dhe flas për buallicat, ose buajt e Divjakës, më kujtohet thënia e Strabonit kur flet për Dodonën Pellazgjike dhe përcakton vendsundimin e saj. Ai përmend qytetin Sella të Sellopisë si vend të tempullit të Dodonës dhe tregon, se “Sellopija është vend me plot dhera (ara) pjellore në drithëra, me plot livadhe të mira për kullotje, ka tufa të mëdha dhensh, ka tufa qesh e lopësh nga ata që i përdredhin ose i heqin zvarrë këmbët kur ecin. Këtu banojnë dhe burra të pasur shumë me dhen (d.m.th. dhenarë të pasur në bagëti) dhe të pasur në gjë të trashë (buaj e lopë) dhe në kullotje (mushara). Thonë se më të parët e këtij vendi kanë qenë loparë (vuvotë)”.

    Pra, këtu bëhet fjalë për buajtë e Myzeqesë. Kam dëgjuar para ca kohe se buajt e Myzeqesë, pra ata që sot kanë arritur të mbijetojnë në zonën e Divjakës, e kanë prejardhjen nga Azia, nga koha e pushtimeve të Xhinxhis Kanit. Me sa di, për këtë specie pati dhe disa investime  nga donatorë aziatikë. Nuk është e vërtetë që kanë prejardhje aziatike. Ata janë autoktonë dhe kanë qenë aty prej mijëra vjetësh. Në fshatin Sheqishtë nën gërmadhat e fshatit Navoselë, pranë Fierit, është gjetur një statujë bualli prej guri arduazi të errët. Sipas Tukiditit,  Myzeqeja në shek V para Krishtit përmendej si Taulantija, ndërsa Straboni e sjell me emrin Talarija, fis të Mollosëve, që banojnë pranë Malit të Tomorrit.

    Më vonë, krijimi i dy kolonive greke, njëra në Apoloni (Pojan) dhe tjetra Epidamna ose Durrachim (Durrës), erdhi si rezultat i pjellorisë së famshme të Fushës së Myzeqesë. Nga këto dy qytete tregtia me vendet e jashtme filloi që nga shek 6-të para Krishtit. Në tregti futeshin prodhimet bujqësore dhe ato blegtorale.

    Por si erdhi emri “Divjakë” dhe kur erdhi?! Ka shumë hipoteza. Dikush përmend dy vijat e ujit që kalonin dikur përmes fshatit, dikush tjetër nga pushtimet bullgare të mbretit Kamenic, ndërsa Dhimitër Pilika përmend pushtimet romake dhe rrugën “Egnatia”.

    Divjakë! ”Due vie”, nga latinishtja. Dy rrugët…”Dyviakë”, kështu e thërrasin pleqtë e vjetër edhe sot, jo Divjakë, por Dyviakë. Ka rënë “T”-ja dhe është vendosu”K”-ja. Pra dy viat, dy rrugët, që njëra zë fill nga Apolonia, përshkon vargkodrën Fier, Ardenicë, Divjakë, Vilë, Karpen, (në fushën ku u ndesh Çezari me Pompein) dhe bashkohet me rrugën tjetër, me atë kryesoren që nis nga Durrësi, “Egnatia”. Dy rrugët bashkoheshin në Klodiana (Peqini i sotëm) dhe Divjaka e lashtë, shtrihej në ato kodra, buzë lumit Shumbin, ku bashkoheshin këto dy “Via”, dy rrugët. Lumi Shkumbin, para se të futet përmes kodrave, bëhet më i gjerë dhe më i qetë. Aty ishte vendkalimi i lumit (vau) dhe vendbashkimi i dy rrugëve, asaj që vinte nga Durrësi dhe tjetrës që vinte nga Apolonia. Aty ndodhej Divjaka.    Mes  “due vie”, mes dy rrugëve latine, aty mori dhe emrin. Kjo është provuar edhe nga zbulimet në kodrat ku shtrihej vendbanimi i vjetër.

    Kur flasim për Divjakën, përfytyrojmë pyllin me pisha dhe detin. Pisha të buta krejt të veçanta nga pishat e tjera në vendin tonë. Kush e solli këtë pishë  këtu?! Mbase  ushtarët e Çezarit në aventurën e gjeneralit të tyre për të shkatërruar ushtrinë e Pompeut që ishte arratisur nga Roma, përmes Greqisë, Apolonisë dhe  kishte ngritur çadrat në Karpen të Kavajës pranë Durrësit, më 10 korrik të vitit 48 p.k, ku Çezari iku i mundur. Ata hodhën kokrrat e para të stikave të marra me vete në xhepat e kapotave të grisura në marshimin e gjatë që niste prej Romës së vjetër. Rrugët e saj hijeshoheshin prej pishave të buta njëlloj si këto këtu. Mbase i konsideronin si çamçakiza të kohës së tyre. Relaksoheshin me to para betejës. Kokrrat e para ranë nga xhepat e grisur të kapotave ushtarake gjatë fushimit dhe mbin e morën jetë në plazhin e bukur të Divjakës. Ky plazh ishte vendi ideal për zbarkim dhe rigrupim për betejë. Ndodhej në grykëderdhjen e Shkumbinit dhe fare pranë fushëbetejës. Ushtarët e lodhur, në këtë ranishte, përgatiteshin për sulm. Përballë kishin varkat me rrema të lundrimit, detin e gjerë dhe pas tij atdheun. Mbrapa shpine Pompeun dhe një tokë të huaj.

    Kjo ishte historia e vjetër e Divjakës dhe emrit të saj, por sot Divjaka është një vend turistik tepër i vizitueshëm në të gjitha stinët e vitit.

    Aty ka det, pyll, ajër të pastër, specie të rralla dhe peshk të freskët.

    Fermerë që me prodhimet e tyre, nxjerrin fitime të mira dhe prezantohen në tregjet evropiane.

    – Jemi të kënaqur me vendin tonë, shprehen ata. I kemi të gjitha, është vend i bekuar nga Perëndia! Kështu shprehen doktor Jani, Saimiri, Teo, Berti, Nekiu, Fatbardhi, Musai e plot miq të tjerë që më shoqërojnë. Investimet që premtoi Kryeministri për Divjakën,do ta bëjnë vërtet një qytet shumë pranë Tiranës dhe vizitorëve- thonë ata. Rrugë të reja, poliklinikë e re, Park Kombëtar i mbrojtur…

    – Je lodhur nga rrugëtimi besoj?- më pyet doktori. Sigurisht, një udhëtim i gjatë ka hak dhe një drekë të shijshme dhe këtë nuk mund ta realizosh më mirë se në Divjakë. Deti, pylli, peshku i freskët…Ali Kali po na priste në majë të kalit me zgarën mbushur me ngjala të ngritura lartë. Ishte ditë e bukur dhe kishte shumë vizitorë. Tavolinat ishin shtruar jashtë në natyrë. -Hani, hani sa më shumë, se më jeni ligur… u thërriste ai klientëve. Kudo shikoje shoqëri të mbledhur, turistë të huaj, familjarë, fëmijë që loznin në parkun e bukur …  Divjaka, vërtet një vend turistik, ku mund të kalosh këndshëm fundjavën dhe çdo ditë të saj…