Myrshit Vorpsi: “Qeveria po bën fushatë me pronarët, në realitet nuk ka kompensuar as gjysmat”

    415
    Sigal

    INTERVISTA/Flet përfaqësuesi i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi, për ndryshimin e ligjit

    Ndryshimin e bërë nga qeveria në kuadër të ligjit për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi, e cilëson si një lëvizje në kuadrin e fushatës elektorale. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Vorpsi, shprehet se qeveria që nga 2008 ka nxjerrë një numër të madh vendimesh, por nuk i ka zbatuar dhe nuk ka kompensuar as gjysmën e pronarëve.

    -Zoti Vorpsi qeveria ka bërë një ndryshim në vendimin për kompensimin e pronarëve. Sa pozitiv e shihni ju ndryshimin e bërë?

    -Faktikisht unë mund të them që ky vendim është më tepër për të justifikuar faktin që qeveria në kundërshtim me legalizimet, i cili parashikon që gjashtë muaj nga dalja e vendimit të Këshillit të Ministrave pronari merr paratë. Kjo është për një arsye të thjesht. Këtë thotë ligji i legalizimeve pasi Gjykata Kushtetuese e ka parashikuar këtë pjesë të heqjes së të drejtës së titullit të pronësisë pronarit për efekt legalizimi si një interes publik. Në funksion të kësaj ka qenë e detyrueshme për Parlamentin që për shpronësimin e pronarëve t’i referohej ligjit për shpronësimin për interes publik. Por qeveria nuk e bëri këtë, por e bëri në ligjin për legalizimet. Në të cilin thuhet se, brenda një periudhe gjashtë mujore nga data e daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave, pronari duhet të merrte paratë. Qeveria nuk ka bërë asgjë tjetër, por ka miratuar një ligj tjetër në kundërshtim të hapur me këto dy ligjet e tjera, si ligjin për krijimin e fondit special për kompensimin e pronarëve, i cili i jep dorë të lirë qeverisë shqiptare që në mënyrë të hapur të mos bëjë në kohë kompensimin e pronarëve, por këtë pagesë ta shtyjë në kohë dhe në afate të papërcaktuara. Ligji i ri që ka bërë qeveria padyshim që mbron interesat e saj, është në ligj i bërë totalisht në funksion të interesave ekonomike të qeverisë. Ky ligj ka parashikuar që pronarët do ti marrin lekët kur ti ketë qeveria. Nuk ka afate kohore që të parashikoj se kur do të merren këto para nga pronarët.

     -Ju thoni që ligji i ka dhënë dorë të lirë qeverisë, në çfarë pike i ka dhënë dorë qeverisë ky ligj sipas jush?

    -Ky ligj i ka dhënë dorë të madhe qeverisë, për arsye se atë detyrim që ka për dhënien e parave sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave të mos i paguajë paratë. Duhet të dini që nga viti 2008 deri më sot që flasim, kanë dalë mbi 7 vendime të Këshillit të Ministrave për shpronësimin e pronarë që kanë parashikuar sipërfaqen e tokës dhe sasinë e parave që u duhet dhënë pronarëve. Ky detyrim i qeverisë është i parashikuar as më shumë e as më pak që qeveria shqiptare për aq sa ka nxjerrë në vendimet e Këshillit të Ministrave duhet t’u paguajë pronarëve shqiptarë 9 miliardë lekë të reja. Kjo është shuma që qeveria duhet t’u kishte paguar pronarëve shqiptarë nga 2008 e deri më sot.

    -Realisht a ka një numër të saktë të pronarëve që janë paguar, sa është numri i tyre?

    -Edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 vjet nga viti  2008, qeveria shqiptare nuk ka paguar as 50% të kësaj shume. Atëherë nëse është ekzakte shifra që qeveria ka publikuar në muajin dhjetor të vitit që kaloi atëherë ajo i bie që të jetë 4.5 miliardë lekë, kjo është e tërë historia.

     -Atëherë përse e bëri këtë ndryshim të ri qeveria dhe a mendoni se do të ketë ndonjë impakt pozitiv?

    -E nxori për arsye që dihen dhe për të justifikuar mungesën e parave. Ajo që mund t’ju them hapur dhe pa doreza është që fondi për kompensimin e pronarëve për efekt të legalizimit është 200 milionë lekë të reja më pak se fondi i një viti më parë. Sepse dhe fondi për kompensimin e pronarëve është ulur në këtë raport. Qeveria shqiptare thotë që pronarët duhet të më kërkojnë mua. Nuk ka pse pronarët të kërkojnë qeverinë shqiptare. Qeveria ka nxjerrë një vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka thënë që unë do të marr këtë sipërfaqe toke dhe për këtë sipërfaqe unë do të jap kaq para dhe këto para duhet të ja jepte për gjashtë muaj. Por qeveria shqiptare nuk ka lekë dhe nuk ja ka dhënë këto lekë sepse nuk ka dhe sepse strategjia është ndërtuar gabim, dhe këtë qeveria nuk e pranon, sepse jemi në një fushatë elektorale. Dhe qeveria thotë që unë jap para atij që më kërkon, por përse duhet të kërkojë pronari lekët kur tokën ja ka marrë qeveria dhe ajo duhet t’i japi paratë pronarit brenda gjashtë muajve. Llogaria është e thjeshtë dhe nuk ka përse të bëjë kërkesë pronari kur tokën ja ka marrë shteti dhe duhet të ja kompensojë. Këto janë lodra të qeverisë dhe nuk fitojnë asgjë pronarët. Këto shifra që përmend qeveria kanë që pesë vjet më parë. Kjo është manovër për fushatë elektorale dhe ajo nuk duhet të luajë me fatin e pronarëve.