Mihal Gjergji: Dukati dhe Vlora, historia intriguese e dy vendbanimeve të hershme

742
Sigal

Qyteti i artë të cilin francezët dhe grekët e quajnë Avlona, ndërsa italianët Valona

 

Qyteti i Vlorës u ndërtua pas shkatërrimit të qytetit antik të Apollonisë, si një nevojë komunikimi me botën perëndimore. Pikërisht, atje ku këmbejnë prurjet e tyre Deti Adriatik dhe ai Jonian, u hodhën themelet e këtij qyteti, të cilin francezët dhe grekët e quajnë Avlona, ndërsa italianët Valona. Kjo natyrë e virgjër, rrethuar me kurorën e maleve, aq shumë e lakmuar nga të gjitha perandoritë, u shndrrua në qendër kryqëzatash dhe përballjesh mes oksidentit dhe botës orientale. Emra prijësish dhe sundimtarësh kanë mbetur në kujtesën e një kohe të largët. Edhe Balshajt, s’mundën t’i thyenin hordhitë osmane, prandaj u detyruan t’ua shisnin qytetin vendikasve në vitin 1460. Interesi i pushtuesve s’ka qenë qyteti, dikur i pazhvilluar dhe me pellgje moçalesh të ndotura, por vetëm porti i tij. Dhe po kaq e rëndësishme ka qenë pozita gjeografike.

 

Mushkëritë e fuqishme të qytetit bregdetar kanë qenë Kanina e ngritur në kodrat përballë dhe krahina e Dukatit. Pikërisht këto ishin edhe furnizueset e tregëtarëve të huaj me vaj ulliri, gjalp dhe prodhime të tjera blegtorale, me verë, mjaltë dhe lëndë drusore. Studiues të huaj tregojnë se Krahina e Dukatit është banuar para qytetit të Vlorës, mirëpo askush s’na afron të dhëna shteruese, se kur konkretisht. Qytetërimet e reja janë ngritur mbi themelet e atyre të rrënuara, kështu ka ndodhur gjithmonë. Për shembull, atje ku është ndërtuar qyteti ekzistues i Tepelenës, në kohën e Romakëve ishte një tjetër qytet, mbase më i zhvilluar dhe quhej Fanota. Barbarët e shkretuan atë dhe 70 fshatra të begata përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa dhe në grykën e Këlcyrës. Kështu ka ndodhur edhe në krahinën e Dukatit. Dhjetra fshatra të rrënuara kanë lënë si dëshmi ekzistence vetëm themelet shekullore. As emrat nuk ua dimë. Edhe gjurmët e qytezës së dikurshme të Sofes kanë mbetur si dëshmitarë të pagojë. Edhe kalaja e Gjon Boçarit. Mbi burimin e Izvorit, apo rrëzë kodrave të Lungares, është fshati i Tragjasit. Një lumë i ndan me Dukatin dhe së toku, shtrihen si krahët e një shqiponje me kryet tek malet e Vetëtimës. Mitologjia e cilëson atë si strehën e Zeusit. Këto dy fshatra i bashkon historia e mijëvjeçarëve. Sa të ngjajshëm, aq edhe të ndryshëm. Ndoshta qyteti i Triestes, ka dashur të krijojë simotrën e saj në brigjet jugore të Vlorës, sepse Tregasi apo tregasajt e dikurshëm ishin furrnitorë të tregjeve italiane. Pyjet e dendur sipër Tragjasit dhe në lartësitë e Dukatit, tashmë të shkatërruara, ishin lënda e parë e mjeteve të lundrimit detar. Por edhe mishi, për ushqimin e popullatës dhe të ushtrisë, sepse malet e kësaj krahine ishin të stolisura nga zilet dhe këmborët e tufave të shumta. Edhe luftëtarët vendas ishin të lakmuar për perandorët evropianë, dëshironin t’i kishin në drejtimin e taborreve të tyre. Gjithsesi, historia e krahinës është e veshur me mistere. Nuk dimë se cili prijës apo sundimtar vendas ka trashëguar titullin e Dukës, nga i cili duhet të ketë marrë emërin edhe fshati. E them këtë, sepse sundimtarët e huaj s’mund të gëzonin privilegje brenda kësaj krahine. Sipas kronikave, porti i Orikut është ndërtuar nga skllevërit, jo nga banorët vendas. Edhe Cezari u detyrua të bënte marrëveshje me këtë krahinë në kohën e përballjes së tij me Pompeun. Shikoni pra, këtë titull të lartë fisnikërie vetëm një kryezot nga Dukati mund ta meritonte. S’dua të besoj te monedhat apo tumat ilire për të kërkuar etimologjinë e kësaj fjale.

DUKËT E DUKATIT

Në mungesë të arkivave, ajo që na vjen në ndihmë është polifonia e kësaj treve, kënga labe. Grupi i Dukatit, në historinë e tij të hershme dhe të re, u këndon vetëm kordhëtarëve, bijve vendas, krenarisë së trashëguar e të merituar, por asnjë pushtuesi, asnjë sundimtari, të huaj apo vendas, dhe kjo është shumë domethënëse. Sepse më shumë respekt meriton një hajdut nga fshati, sesa një kryehajdut në krye të shtetit. Le të bëjmë një krahasim mes dy grupeve labe. Dukati këndon me dhimbje: O, Rremo, hajduto!. Është pabesia e ozurpatorëve italianë që i merr jetën këtij djali. Shikoni gjuhën e përdorur, fjalët e gdhendura: “Mulla Dautin ç’e thirrë/ që t’u flasë talikinë”. Çfarë ironie therëse për fqinjët pushtues, çfarë tallje. Talikia s’nënkupton vetëm bërjen e riteve fetare, është më shumë sesa kaq, është gjuha italiane, pse të mos themi, ajo gjuhë kurvash, ndryshe nga gjuha e sertë dhe e prerë e dukatasve. Ajo që më trishton është një tjetër këngë, jo e banorëve të Dukatit. Janë këngëtarë të mbledhur si fëmijët në kampin e jeniçerëve. Po kujt i këndojnë ata? Dëgjojeni: “Gjiri maleve përtej/ për Zeusin shtron çiltenë” . Sa turp, dhe sa keq. Një Kryevezir i kohëve moderne cilësohet si Zeus tokësor, sepse ka vizituar qytetin bregdetar! Po kënga është vështirë të meritohet së gjalli. Çfarë ndryshimi mes dy grupeve dhe dy këngëve! Sa lart qëndron Dukati, si fshat dhe si krahinë. Aty i gjeni aristokratët e rinj, Fatosh Liko, ai që i këndon dukatçe Hanko Selimesë, Idajet Muka, me zërin violinë dhe i qeshur si diell, Barjam Hunda, mbiemëri i të cilit tregon kryeneçësi, Remzi Allushi, që kërkon të zbresë poshtë argjendin e hënës, Piro Latifaj –aq njerëzor, apo Tartar Avduli i Tragjasit. Ka edhe emra të tjerë, mes tyre edhe zonja të nderuara. Këta janë Dukët e rinj të Dukatit, të cilët na ushqejnë shpirtin me mrekullinë e këngës labe.

Historia me pak fjalë

Vlora në lashtësi quhej Aulona. Ajo përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj, si një nga qytetet – skelë kryesore të Ilirisë së Jugut, që lulëzoi pas rënies së Apollonisë dhe Orikut.
Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia. Në bregdetin e banuar sot nga popullsia shqiptare, ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ato të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografikë nuk do t’i kishin rezistuar kohës në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre, nuk do të kishin pasur një vazhdimësi përdorimi në radhë të shekujve… “Një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t’u rezistonte procesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik”, nënvizon në studimet e veta akademiku Prof. Shaban Demiraj.

Sipas materialeve arkeologjike, dëshmohet se në bregdetin e Vlorës, ashtu edhe në prapavijën e tij, për vendbanime parahistorike e zhvillime ekonomike-kulturore të shumë qytezave e qendrave urbane dallohej karakteri i tyre fortifikues-mbrojtës. Të tilla janë ato të “Shpellave të Velçës”, “Shpellave të shkruara të Lepenicës” (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe), “Shpellat e Spilesë”(Himarë), apo “Mozaikët e Mesaplikut”, pasuri e rrallë kombëtare. Vendbanimet tumulare të Vajzës, Dukatit, Mavrovës, “Pitosa” të Mallkeqit, tregojnë për autoktoninë dhe vazhdimësinë etno-kulturore të ilirëve në periudhën e bronxit dhe të hekurit. E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vetë Vlora (Aulona) etj.

Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor, i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.