Master Shkencor dhe Profesional, 7000 kuota më shumë se vjet

    385
    Kuotat e pranimeve të reja në programet e studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, për vitin 2015-2016 janë 18 mijë e 239 në total, nga të cilat 10 mijë e 360 kuota për Master Profesional dhe 7 mijë e 879 kuota për Master i Shkencave. Krahasuar me një vit më parë kemi rritje të kuotave në krahasim me vitin e kaluar, ku për të ndjekur studimet për Master Profesional ofroheshin 5833 kuota, ndërsa për Master Shkencor ishin 6087.
    Sipas një përllogaritje matematikore, këtë vit akademik kemi një rritje të kuotave për Master Shkencor me 3708 kuota më shumë ndërsa për Master Profesional me 3962 më shumë se vjet. Sipas vendimit, studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi, në kohëzgjatjen normale të tij dhe konsiderohen studentë mbetës/përsëritës për lëndët përsëritëse, do të paguajnë çdo vit akademik dyfishin e tarifës për kredit të parashikuar në këtë vendim.
    “Përzgjedhja e studentëve për vitin akademik 2015-2016 do të bëhet në bazë të kritereve të vendosura nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Studentët, që do të transferojnë studimet në programe të ngjashme studimi, do t’i nënshtrohen tarifës për kredit të programit të studimit përkatës, të parashikuar në këtë vendim. Shtetasit e huaj, që do të vazhdojnë studimet e ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur, në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore është parashikuar ndryshe”, sqarohet në vendimin për “Kuotat e pranimit në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë”.
    Sipas vendimit, kuotat e pranimit për shtetasit e huaj, për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, për të verbrit, për romët dhe ballkano-egjiptianët, për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe shpërndahen bazuar në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
    Sigal