Lista e barnave të rimbursueshme “fluturon” në Salzburg

    462
    Sigal

    Ofertat turistike dhe bonuset e kompanive farmaceutike xhenerike. Bie poshtë procedura e zarfave të mbyllura të deklarimit të çmimeve të barnave

    Zbardhet skema e përfitimit nga lista e barnave të rimbursueshme. “Suksesi” i listës me 55 barna të reja rrezikon të hidhet në erë nga hallka të papërgjegjshme të tregut farmaceutik. Janë pikërisht kompanitë farmaceutike xhenerike që i bëjnë farmacistëve oferta turistike dhe i japin bonuse deri në vlerën 150 %, për të dalë në listën e barnave të rimbursueshme si alternativë e parë apo e dytë (e renditur më lart se pozicioni aktual). Me ofertat dhe bonuset e duhura, kompanitë xhenerike i diktojnë farmacistëve se cili bar duhet të ketë prioritet në listën e rimbursueshme. Duke vepruar në këtë mënyrë, bie poshtë e gjithë procedura e zarfave të mbyllura të deklarimit të çmimeve të barnave, e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë për hartimin e listës së barnave të rimbursueshme. Mesa duket, këto kompani kanë bërë deklarim të rremë për çmimin e barnave, për të rritur në këtë mënyrë normën e tyre të fitimit. Ndërsa ajo që është më shqetësuese, ndërsa kupton të tilla mekanizma është siguria e cilësisë së barit. I takon Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave që të sigurojë qytetarët shqiptarë për cilësinë e këtyre barnave. Për të kuptuar më qartë skemën e përfitimit të kompanive xhenerike nga listat e rimbursueshme, gazeta “Telegraf” zbardh ofertën e radhës turistike dhe bonuset që përfitojnë farmacistët nëse blejnë barnat e listës së parashtruar nga kompania.

     Oferta turistike

     Një tjetër ofertë turistike për farmacistët vjen sot nga kompania farmaceutike “Actavis”, e cila është dhe përfaqësuesja e xhenerikëve, mbështetës të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Kompania merr përsipër t’i çojë farmacistët në një udhëtim turistik në vendin e Moxartit dhe Shtrausit, në Austri. Oferta është 4 ditore dhe itinerari i saj është: Dita e parë: Tiranë-Klagenfurt; Dita e dytë: Graz; Dita e tretë: Salzburg; Dita e katërt: Bled-Ljubjanë dhe kthimi: Ljubjanë-Tiranë. Ndërsa në këmbim të udhëtimit, farmacistët duhet të blejnë barnat e ofruara nga kompania “Actavis”, e cila bën dhe një ofertë dopje, mundësinë prë të vajtur çift në këtë udhëtim, sigurisht në këmbim të një blerje me vlerë të dyfishtë. Ndërkohë farmacistët kanë kohë deri në datë 13 qershor për të bërë gati valixhet për udhëtimin turistik.

     Kushtet e ofertës dhe bonuset

    Në ofertën e bërë nga kompania farmaceutike për udhëtimin, përveçse udhëtimit turistik, farmacistët përfitojnë dhe bonuse të tjera. “Actavis” u ka parashtruar farmacistëve një listë me barnat që duhet të blejnë, për të fituar udhëtimin. Në këtë listë, nëse farmacistët blejnë disa prej barnave, të cilat janë dhe alternativa në listën e barnave të rimbursueshme, përfitojnë një bonus që shkon deri në 150 %. Në listën e mëposhtme do të kuptoni se sa më lart të jetë i renditur bari në listën e rimbursueshme, aq më e vogël është dhe oferta. Por duke qenë se në të shumtën e rasteve këto barna janë alternativë e 4 apo e 5 në listën e rimbursueshme, atëherë edhe bonusi në të shumtën e rasteve është 100 %.

    Lista e barnave të rimbursueshme me bonus

    -Acetysal Cardio 100 mg*30, nëse blen 90 ke dhe 60 të tjera bonus; alternativë e 5 në listën e rimbursueshme

    -Atacor 10/20 mg*30, nëse blen 10/20 ke dhe 10/20 të tjera bonus; alternativë e 5 në listën e rimbursueshme

    -Carvilex 12,5/25 mg*30, nëse blen 10 ke dhe 10 të tjera bonus; alternativë e 4/5 në listën e rimbursueshme

    -Finasterid Actavis 5 mg*30, nëse blen 15 ke dhe 5 të tjera bonus; alternativë e 2 në listën e rimbursueshme

    -Fluvastatine Actavis 80 mg*28, nëse blen 12 ke dhe 4 të tjera bonus; alternativë e 2 në listën e rimbursueshme

    -Metoprolol Tartrate 100 mg*30, nëse blen 20 ke dhe 10 të tjera bonus; alternativë e 2 në listën e rimbursueshme

    -Nebivolol Actavis 5 mg*30, nëse blen 10 ke dhe 5 të tjera bonus; alternativë e 4 në listën e rimbursueshme

    -Rison 2 mg*20, nëse blen 20 ke dhe 10 të tjera bonus; alternativë e 7 në listën e rimbursueshme

    -Tamsudil * 30, nëse blen 30 ke dhe  15 të tjera bonus; altërnativë e 3 në listën e rimbursueshme

    -Topiramate Actavis 100/25/50 mg, nëse blen 12/12/5 ke dhe 6/6/5 të tjera bonus; alternativë e 3/2/4 në listën e rimbursueshme

    -Valpress 160/80 mg, nëse blen 20/20 ke dhe 10/20 të tjera bonus; alternativë e 4/5 në listën e rimbursueshme

     Pazare me listën e barnave të rimbursueshme? Ku qëndron rreziku?

    Të tilla pazare me farmacistë e mjekë rrezikojnë tërësisht tregun tonë farmaceutik, rrezikojnë konkurrencën e ndershme dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shëndetësisë. Të tilla pazare rrezikojnë shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Nëse për blerjen e një bari ka kaq shumë oferta dhe bonuse, atëherë duhet gjurmuar origjina e këtyre barnave, çmimi i tyre dhe si rrjedhojë dhe cilësia. Është e domosdoshme që institucionet përkatëse të “zgjohen” nga gjumi dhe të fillojnë t’i shërbejnë atij që i ka dhënë votën.

     Për ministrin Ilir Beqja

    Ka kaq ditë që gazeta “Telegraf” zbardh me fakte dhe faksimile makutërinë e kompanive farmaceutike, të cilat luajnë rolin e agjencive turistike për të shitur barnat e tyre. Ndërsa ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja hesht përpara këtij skandali dhe shkatërrimi të hallkave të sistemit shëndetësor. Këto skandale ndodhin pikërisht para hundës tuaj z. Ministër! Ndaj është në nderin tuaj të reagoni dhe të merrni masa për këto kompani që kanë ndryshuar destinacionin e licencës së tyre. Nëse e kanë pasion turizmin, le të marrin licencën e agjencive turistike dhe të mos përdhosin shëndetësinë, apo të rrezikojnë jetën e qytetarëve shqiptarë me papërgjegjshmërinë e tyre. Është koha që të reagoni z. Ministër!