Artur ROSHI/ Fitorja e të djathtëve në Parlamentin Europian, duhet të afrojë edhe Shqiptarët me të djathtën

473
Sigal

Para disa ditësh Europa votoi për Parlamentin Europian. Zgjedhje që u fituan nga e djathta europiane dhe në disa vende nga të djathtat ekstreme, por jo ato që shkojnë drejt nazizmit. Të djathtat qe patën rezultat të vërtetë, që sipas meje do të jetë i qëndrueshëm, janë ato që kombinuan parimet konservatore klasike me fuqinë e veprimit të emocionit nacionalist. Kemi një shigjetë të nisur nga nacionalizmi drejt parimeve konservatore, që do të thotë korrektim të të qëndrimeve të tyre të mëparshme. E kam fjalën për të djathtën Franceze, e cila nuk ka krahasim me Agimin e Artë Grek. Kjo besoj se është arsyeja e fitores.

Këto zgjedhje treguan jo vetëm që qytetërimi perëndimor nuk gaboi në këtë vendim të tijin, por përkundrazi, që Europa korrigjoi vetveten. Pas kësaj periudhe të gjatë krizash ekonomike dhe politike, qytetërimi i rikthehu sytë dhe vëmendjen e tij drejt politikave te djathta. Pas një lodhje të shoqërisë nga politikat e majta dhe nga gjysmë politikat e lodhshme të qendrave, Europa tenton të kthehet tek politikat e vërteta të djathta, që sjellin rritje të ekonomisë dhe zhvillim të shoqërisë, duke forcuar familjen, shenjtërinë e saj, rritjen e rolit të individit në shoqëri dhe jo rritjen e presionit të shoqërisë mbi individin.
Vota e djathtë gati unanime e shteteve europiane, ishte një votë kundër burokracisë të Brukselit, bën një korrigjim dhe një rakordim të vlerave të përbashkëta kulturore të Europës, që çon në rritje e nivelit të standardit europian. Ajo që është më e rëndësishmja është përqasja me parimin e lirisë së sjelljes së kombeve mbi parimet e lirisë së tregut. Këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Europa nuk mund të dominohet nga internacionalizmi i majtë dhe as nga globalizmi pa identitet kombëtar, sepse edhe pse njerëzit janë të njëjtë, nën të njëjtin qiell, njerëzit janë edhe shumë të ndryshëm, ndryshim që vjen nga kultura dhe individualitetet me formim kombëtar.  Sigurisht pas këtyre zgjedhjeve Europa nuk do t’i mbylli dyert e saj, përkundrazi ato dyer do të jenë më të arritshme për ato vende, të cilat do të përmbushin detyrimet e tyre. Europa do jetë më e hapur ,me rregulla të mirëpërcaktuara, më praktikë, më afër realiteteve politike dhe më afër realiteteve demokratike. Tani nga Brukseli do të vijnë deklarata më të qarta, më pak të kamufluara nga gjuha diplomatike, siç ka ndodhur rëndomtë. Si kryetar i një partie të djathtë me filozofi konservatore moderne europiane, pavarësisht pozicionit tonë të mirëpërcaktuar si e djathtë jo e ekstremit, pres që këto zgjedhje të sjellin efektin e tyre edhe në Shqipëri, duke potencuar të djathtën, për shkak të vlerave dhe moralit që sjell në shoqëri. Vlera, të cilat sot janë nëse të nevojshme, dhe që qytetari shqiptar ia ndjenë mungesën. Vlera që, janë thelbësore për një sistem demokratik. Në vendin tonë ka një vakum të vlerave të qytetërimit perëndimorë, familja po humbet kuptimin dhe rëndësinë e saj, biznesit po i zihet fryma me taksën super, liritë dhe të drejtat e njeriut shkelen çdo ditë, vendin e ka pushtuar droga, të rinjtë kanë për model parlamentarë që bëjnë pazar me gjithçka.
Të paktën tani shoqëria shqiptare duhet të orientohet më shumë nga e djathta, sepse mungesa e tyre në realitetin politik shqiptar e ka çorientuar shoqërinë dhe modelin politik të saj. Sepse tharmi i së djathtës është i ngjizur me tharmin e demokracisë. Ne jemi një vend që nuk e respekton votën e lirë, madje politika jonë ka frikë nga vota e lirë. Kjo votë ende del në treg dhe vlerësohet nga lekët e trafikut. Ne ende jemi një vend që nuk ka drejtësi. Sistemi i drejtësisë ka shumë probleme, por përveç kësaj, gjykatat dhe prokuroritë shantazhohen nga politika. Kërcënime që u vijmë të njëra pas tjetrës sa herë që kanë në duar çështje të rëndësishme,ndërkohë që qeveria vet nuk zbaton vendimet e gjykatave. Ne ende jemi një vend që nuk garanton dot lirinë e mediave, prandaj pak të tilla kanë mbetur media të lira dhe gazetarët kërcënohen për të vërtetat që guxojnë të shkruajnë. Ne ende jemi një vend që nuk respekton lirinë e biznesit, nëse ky nuk ka lidhje me politikën. Një vend që ushtron trysni dhe që nuk e konsideron biznesin si partnerë. Ne ende jemi një vend që nuk e ka mbyllur me historitë e së shkuarës,që ende respekton hijen dhe ritet e diktatorit dhe diktaturës. Nuk e kanë, pra, fajin të tjerët për dështimet tona. Këto zgjedhje europiane nuk kanë efekt ne marrjen apo mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. I gjithë faji ose merita është jona, e politikës sonë që ecën me stilin e tangos, një para dy mbrapa. Ne ende nuk e kemi kuptuar dhe pranuar se e majta na rikthen atje ku ishim, drejt lindjes ose edhe rilindjes, që do të thotë lindje e rilindur sipas modelit të Putinit, ndërsa e djathta na çon ku nuk kemi qenë, drejt perëndimit. Ai që është i majte nuk mund të jetë njëherësh edhe i djathtë. E majta është pjesë e lojës demokratike, por nuk mund të jetë, dhe as mund të bëj ajo demokracinë. Shembulli më i qartë është ky ritmi i tangos që ka vallëzuar vendi ynë këto 23 vite. E majta në Shqipëri duhet të pranojë të djathtën si natyralitet politik dhe jo si fatalitet, ndërsa shoqëria duhet ta kërkojë të djathtën si zgjidhjen më të moralshme të realitetit politik.