Lida LAZAJ/ Poezi

    407
    Sigal

    Mendime pa lidhje në pikë të mëngjesit

     Teksa sodis dritën e ditës së re

    përfytyroj kurmin e dikurshëm,

    kredhur kështu si unë në kolltuk

    njëtrajtësuar me peizazhin përreth

    dhe sytë e atëhershëm, bërë zogj,

    duke soditur të njëjtën pamje.

    Teksa sodis kredhur në kurmin e tanishëm

    përfytyroj një kurm njeriu a lulen,

    ku do rimishërohem.

    Po sytë e tanishëm a do bëhen zogj?

    E kam një pemë molle tek vetja

     

    Me një pemë molle tek vetja

    dola prej ëndrrës,

    ku mallin për vendlindjen

    e munda, duke përtypur petale lulemollësh,

    Në çastin kur nisa jetën prej molle

    u çlirova nga tirania e akrepave të orëve

    Me një pemë molle tek vetja

    jetoj vallen e petaleve me xixëllonjat,

    netëve me hënë e yje, në maj

    pjalmimin me këmbkat me nektar të bletëve,

    jetoj pastaj,

    e mandej, vjeljen e frutave të pjekura.

    Pjesën e mbetur të kohës

    e jetoj me ëndrrën e farëzës së grurit, në

    palët e ugarit

    nën mantelin e ngrohtë të borës.

    Syth i erës së shkuar

     

    Me syt` e një tjetri e shoh veten: ngjaj démodé,

    si personazh romantik i romaneve të Damës Daphne,

    si relikt i erës së shkuar

    syth i mbetur në degën e jetës,

    kur besoj se,

    mendimet, që emetoj,

    me të njëjtin intensitet dhe ngjyrë

    do mbërrijnë në bregun tjetër,

    ku duart janë plot narcisa

     plot me puthjet e verës.

    Mirmëngjes

    Agimi më vjen mbi sqepin e zogut

    tingëllimat e klorofilta të kopshtit,

    uturimën e qytetit e shndërrojnë  mërmërimë

    Horizontin e përvijon fill` e flokut të Ninës

    diellin ma sjellin syçkat e Perlës,

    Flakëzës së shkrepëses i falem si tempull

    këngë e zemrës e vogla pëshpërimë

    Ç`të kërkosh më shumë, ç`të kërkosh

    kur dita valëzon mëndafsh i qëndisur

    me perla e fillosh.

     

    E njëjta pamje

     

    E njëjta pamje

    si dje, si sot, si nesër

    mbi supin e Dajtit një re

    Ndër re, ndërtesa gri

    Ndërtesa gri me dritare me qelqe

    Përtej qelqeve frymëmarrje jetë,

    E njëjta pamje

    si dje, si sot, si nesër

    vetëm mua më ndryshon çdo çast

    Dikur, fëmijë

    me ndihmën e mjegullave sheshoja malet

    tani si kuptoj as ngulitjen e patundur

    të maleve, as qelqet, as retë.

     

     

    Te shkallët e shkollës të kthyer në muze

    Në cep të memories, shoh veten:

    vogëlushe syshkruar, ulur galiç

    teksa peshon në pëllëmbët e vogla

     kokën e mbushur me ëndrra të mëdha

    Më duhej të ngjisja shkallë të larta

    për të trokitur te abetarja.

    Për të hyrë te abetarja

    më duheshin germat a dhe b

    Për të mësuar germat

    më duhej të stërvisja kotelen të vetushqehej,

    të bindja fluturën t`i bënte shoqëri luledeles

    Tanimë, shkollën  kthyer në muze

    dhe shkallët e zvogëluara si lodra

    sërish e gjej vogëlushen sy shkruar

    ulur galiç në një cep të memories

    teksa ndërton dhe shemb kështjella

    me hirin e ëndrrave të djegura

    Puna e parë: do bëhem cicerone

    e fotos sime ne muze.

     

     

    Koktej

     

    Prej syve gri: qiell i murrëtyer dimëror

    pah i bardhë, i ftohtë

    hem si dëborë, hem si sheqer

    Prej zemrës sime: trëndafil çelur në dorë

    dy tre petale: gjuhëza flake

    Pasi shëtisin fytyrën time, s` gjejn` asnjë shteg

    kopshtesh të tjerë frutash të shijshme

    dy syt` prej akulli në gotë kridhen

    Pakëz më tej, mes pluhurit, trafikut, turmës

    çapitet dielli mesditës,dembel