Legjenda e shtangës, Mirjan Hakani: “Si ma shpëtoi jetën Edi Rama”

    318

    “Mjeshtri i Merituar i Sportit” iu nënshtrua një operacioni tepër të komplikuar në zemër në Spitalin Amerikan të Tiranës: “Mjekët më shpëtuan nga vdekja e sigurt. Tashmë jetoj me një defibrilator në zemër”

    Legjenda e peshëngritjes shqiptare, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Mirjan Hakani, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale tepër të vështirë dhe të kushtueshme në zemër, të realizuar me sukses në Spitalin Amerikan të Tiranës. Miri ia detyron jetën e tij të dytë ndërhyrjes dhe kujdesit të posaçëm të Kryeministrit Edi Rama. Gazeta “Telegraf” bashkëbisedoi me kampionin e madh, realizuesin e mbi 100 rekordeve, menjëherë pas daljes së tij nga Spitali Amerikan.

     – Zoti Mirjan, urime për operacionin e suksesshëm në zemër dhe një shërim të shpejtë, për ta parë sërish Hakanin me dinamizmin që e ka shoqëruar gjithë jetën e tij…

    – Faleminderit gazetës “Telegraf”, për kujdesin që po tregon, vetëm pak ditë pas kryerjes së operacionit.

    – Prej sa kohësh vuanit nga sëmundja e zemrës?

    – Në fakt, për hir të së vërtetës vuaja prej kohësh nga zemra, por e kisha të pamundur për arsye objektive t’i nënshtrohesha një ndërhyrjeje jo vetëm specifike, por dhe të kushtueshme nga pikëpamja financiare e që ishte e papërballueshme për mua dhe familjen time. Kisha tentuar të isha në kontakt edhe drejtuesit kryesorë të Qeverisë së mëparshme, por për arsyet që ata i dinë nuk ma mundësuan ndërhyrje. I dërgova një mesash Kryeministrit Edi Rama, duke i shpjeguar situatën time: “Edi, jam duke vdekur. Duhet me patjetër dhe në mënyrë urgjente të bëj një ndërhyrje shumë komplekse në zemër”. Menjëherë u morën masat e duhura dhe, në harkun e pesë-gjashtë ditëve u organizua shtrimi im në spital.

    – Kur e kryet operacionin?

    – Të enjten e kaluar, iu nënshtrova operacionit nga ana grupit të mjekëve të kryesuar nga kardiologu i talentuar, dr. Bekim Jata, i cili kishte kryer specializimin në Turqi dhe i profilizuar vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale për vendosjen e defibrilatorit. Jetoj me këtë aparat në zemër. Kushtet dhe trajtimi në Spitalin Amerikan ishin ideale, asnjë ndryshim nga spitalet në të cilët unë jam shtruar e kuruar më parë, në Gjermani, Turqi apo gjetkë. Një falënderim i veçantë kam edhe për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili u interesua disa herë për përgatitjen, kryerjes edhe gjendjen time pas operacionit. Por, dua të them se jeta ime e dytë është “Made in Edi Rama”.

    – Flisni me një ton konfidencial për Kryeministrin Rama. Keni njohje të vjetër me të?

    – Po. Jam rritur me Edin. Në fakt, familjet tona kanë një miqësi shumë të vjetër, kjo për shkak dhe të njohjes së baballarëve tanë, skulptorit Kristaq Rama dhe babait tim, regjisorit Hysen Hakani. Deri ditën përpara se Edi të kthehej nga Franca, kam pasur kontakte telefonike me të, të paktën dy herë në muaj dhe shpesh këto telefonata i bëja nga shtëpia e Netës. Gjithsesi, secili nga ne ka pasur atë “egoizmin” e tij, unë për të bërë mirë punët e mia në sport dhe ai të vetat në detyrat e tij.

    – A keni pasur rastin të bashkëpunoni me Ramën?

    – Edi është një njeri me vizion modern dhe ide të mëdha, të cilat i ka mëshiruar në punët e bukura që ka bërë në Tiranë si Kryebashkiak dhe, unë jam i bindur se të njëjtat gjurmë do të lërë padyshim edhe si Kryeministër. Kam pasur fatin të bashkëpunoj më të, ai në rolin e Ministrit të Kulturës, Rinisë e Sporteve (1998-1999) dhe unë në atë të Drejtorit të Sporteve në Bashkinë e Tiranës, si dhe ai në detyrën e Kryetarit të Bashkisë (2000-2011) dhe unë në atë të Drejtorit të Agjencisë së Sporteve.

    – Cila është një nga punët tuaja të përbashkëta?

    – Një nga projektet tona të realizuara së bashku, në kohën kur ishte Kryeministër Fatos Nano, ishte urbanizimi me të gjithë infrastrukturën e nevojshme të zonës rrugës prapa stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në prag të ndeshjes me Greqinë, më 4 shtator 2004 dhe të kurorëzuar me një fitore historike 2-1 ndaj kampionëve të sapo shpallur të Europës. Aty kuptova një gjë, se të gjithë së bashku dhe të përkushtuar, mund ta bëjmë këtë Shqipëri edhe më të mirë.

    – Mirjan, ju jeni një nga peshëngritësit e njohur shqiptarë të viteve 1980-1990, bashkëkohës e garues me Aleksandër Kondon, Muharrem Berishën, Erlin Nikollën, Agron Haxhihysenin dhe emra të tjerë të shquar, duke thyer e mbajtur shumë rekorde, por ajo që i intereson gazetës sonë është “zbulimi” i Hakanit në rolin e një regjisori “sportiv”, një zanat të trashëguar nga babai juaj, “Mjeshtri i Madh i Punës”, regjisori Hysen Hakani. Miri, cilat janë disa nga punët e tua?

    – Në fakt, puna ime e parë, po e quaj “Made in Mirjan” është ngritja e sallës së forcës në palestrën e shkollës “Ismail Qemali”. Vegla të bëra me saldatriçe dhe jo si tani që vijnë të gatshme nga Gjermania apo Turqia. Më pas, kam bërë sistemin e ndriçimit në fushat sportive. Këto punë u vlerësuan nga drejtuesit e saj kohe, pra të fillimeve të viteve 1990, të cilët më akorduan titullin “Mësues i Merituar”, edhe pse isha vetëm 30 vjeç. Një nga aktivitetet, që unë e konsideroj si një nga sukseset e mia dhe që e kam shumë për zemër është “Për ty Kosovë! Faleminderit NATO!”. Atëherë NATO kishte disa zyra në ish-Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, kontaktova me komandantin e NATO-s në Shqipëri dhe mbi dhjetë oficerë të lartë amerikanë, në kohën kur ishte Kryeministër Pandeli Majko. Sipas programit të ideuar prej meje, dy oficerë të NATO-s, një major gjerman dhe një kapiten anglez u hodhën me parashutë dhe u ndalën në mes të fushës së stadiumit “Qemal Stafa”, duke mbajtur njëri flamurin e NATO-s dhe tjetri atë shqiptar. Ky aktivitet është i filmuar dhe ndodhet në arkivin e televizionit.

    – Keni qenë promotor i shumë aktiviteteve dhe spektakleve, sa sportive aq dhe artistike. E gjithë Tirana “çmendej” pas tyre…

    – Kam organizuar shumë të tilla, por një aktivitet që e kam për zemër është dhe dokumentari për të parët e sportit shqiptar, duke filluar me shqiptarin e Lojërave Olimpike Moderne, Vangjel Zhapa, e për shumë sportistë të tjerë të mëdhenj të ndarë nga jeta. Në sallë ishin vetëm familjarë të atyre sportistëve. Një aktivitet tjetër është ai i organizuar në Kosovë, ku çova 280 veta në vitin 2000. Kemi bërë një super aktivitet, boll të kujtoj se solla nga Shqipëria një flamur rreth 480 metra katror. Një tjetër aktivitet është “Ekspozita e Filatelisë”, me pullat që i kushtoheshin sportit. Pulla e parë datonte në vitin 1946.

    Rama: “Mirjan, nuk do të lëmë të vdesësh!”

     “Mjeshtri i Merituar i Sportit” i dedikon “jetën e tij të dytë’, siç thotë Hakani, Kryeministrit Edi Rama. Të dy i lidh një miqësi shumë e hershme, qysh kur ishin fëmijë dhe i bashkonin shumë pasione, përtej marrëdhënieve të afërta që kishin familjet Rama e Hakani. “Kisha tentuar të isha në kontakt edhe me drejtuesit kryesorë të Qeverisë së mëparshme, – tregon për “Telegraf”, Hakani, – por për arsyet që ata i dinë nuk ma mundësuan atë ndërhyrje. I dërgova një mesash kryeministrit Edi Rama, duke i shpjeguar situatën time: “Edi, jam duke vdekur. Duhet me patjetër dhe në mënyrë urgjente të bëj një ndërhyrje shumë komplekse në zemër”. Pas pak minutash, Edi më telefonoi, duke më pyetur: “Çfarë ke Mirjan? Mos u mërzit nuk do të lëmë të vdesësh!”, – tregon disa nga detajet e bisedës Mirjani. “Ja kaq zemër më kishte mbetur”, mbledh gishtërinjtë sa një arrë Hakani.

     Hakani-Rama,familje artistësh

     Familjet Hakani e Rama i lidh një miqësi e hershme dhe i vjetër. Në themel të saj është arti. “I ati i Edit, Skulptori i Popullit, Kristaq Rama dhe im atë, Hyseni, një nga regjisorët e parë në Shqipëri, kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera pasi ndanin vizione të njëjta për artin. Të dy mbaruan jashtë. Kristaqi, për skulpturë në Akademinë e Artëve të Leningradit në Bashkimin Sovjetik, Shën Petërsburgu i sotëm, ndërkohë që im atë mbaroi  për regjizurë në Akademinë e Filmit në Pragë. Familjet tona kishin hyrje-dalje të shpeshta dhe deri në moshën 12-13 vjeç unë jam rritur me Edin. Nënën e tij, Anetën, një mjeke shumë e njohur në kryeqytet, edhe ajo e diplomuar jashtë, e konsideroj edhe sot e kësaj dite si nënën time të dytë”, – tha Mirjani. Edhe pse Miri u rrit në një familje artistësh, ai u “dashurua” me hekurat, kjo dhe për shkak të trupit të tij muskulor. Babai i tij, regjisori Hysen Hakani, konsiderohet edhe si një nga pionierët e filmit shqiptar. Ai është realizuesi i filmit të parë artistik shqiptar “Fëmijët e saj”. Krijimtaria e regjisorit Hakani, të ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2012, do të mbetet e paharruar për publikun. “Mjeshtri i Madh i Punës” do të mbahet mend gjatë për filmat e tij “Debatik”, “Toka jonë”, “Cirku në fshat”, “Njësiti guerril”, “Fëmijë e saj”, “Mysafiri” etj. Në filmat e tij debutuan artistë të mëdhenj të skenës shqiptare si: Naim Frashëri, Sandër Prosi, Loro Kovaçi, etj.. Regjisori Hakani është gjithashtu autor i disa librave. Një  portret i madh i Hysen Hakanit zbukuron hijshëm sallonin e pritjes së familjes Hakani.

    “Si realizova ndeshjen pozitë-opozitë në vitin 1997”

     Hakani është ideatori i një ndeshjeje të pazakontë futbolli gjatë vitit 1997, midis pozitës dhe opozitës së asaj kohe. Por, si i lindi ideja për ta organizuar atë? “Në fakt, 1997-ta ka qenë një vit tepër i tensionuar, pasi të gjithë i dimë ngjarjet që ndodhën. Idenë e një ndeshje futbolli midis përfaqësuesve të dy kampeve politike u përkrah nga i gjithë spektri politik. Ajo ndeshje shkriu shumë akuj dhe e lehtësoi klimën në Tiranë dhe jo vetëm në kryeqytet. Ishte një qasje e re e politikës”, – tregon Mirjani.

    Koleksionist i “regjur”

     Hakani zbuloi për gazetën edhe një pasion të vjetër të tij, koleksionim e gjërave të vjetra dhe origjinale: “Zotëroj dokumentet e para origjinale të sportit shqiptar, ato të 6 qershorit të vitit 1930, të firmosur nga Ministria e Sportit në kohën e Mbretit Zog, princesha Myzejen, motra e mbretit. Në atë statut ishin gjashtë nenet e para të sportit, flas për aprovimin zyrtar apo ligjor të sportit. Po atë vit, u shpallën zyrtarisht krijimi i Federatës Shqiptare të Futbollit e Çiklizmit. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se shoqatat në Shqipëri ishin krijuar disa vite më parë. Kam medaljet e para të dhënë në kampionatin e parë të çiklizmit në vitin 1932. Kam medaljet e para, ari, argjendi dhe bronzi që janë dhënë në kohën e Zogut”.

     Kampioni i peshave të rënda

     Mirjan Hakani është mbajtës i më se 100 rekordeve Kombëtare në peshat e rënda. Ai ka mbrojtur ngjyrat e “17 Nëntorit” (Tirana e sotme). Hakani i përket gjeneratës së dytë të peshëngritësve të mëdhenj shqiptarë, pas atyre të brezit të parë me të mëdhenjtë Ymer Pampuri, Përparim Feruni, Gudar Beqiraj, Vasil Hoço, Hysen Cenaj të viteve 1970-1980. Hakani është bashkëkohës me Aleksandër Kondon, Muharrem Berishën, Erlin Nikollën, Fatmir Bushin, Arben Kokonozin, Agron Haxhihysenin, Adem Toskën, të cilët fituan medalje në Europë, përfshirë kampionatet europiane, ballkanike apo Lojërat Mesdhetare. Hakani është nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti” në vitin 1983 dhe titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit” në vitin 1993. Në vitin 2006 ai u nderua nga ish-Presidenti Alfred Moisiu me medaljen “Mjeshtër i Madh” për përkushtimin edhe kontributin e tij të shquar në sport. Mirjani ishte një nga iniciatorët e rikthimit në atdhe të eshtrave të ish-peshëngritësit të madh, Aleksandër Kondo, i cili humbi jetën në një aksident tragjik në vitin 1986 në Amerikë. Duelet midis Hakanit e Kondos në peshën e rëndë kanë qenë ndër më emocionueset në vendin tonë.