Mungojnë stacionet e automjeteve publike, kaos e aksidente në qytet

500
Sigal

SARANDË/S’ka agjenci udhëtarësh e vendqëndrime autobusësh të linjave ndërqytetëse o ndërkombëtare. Trotuaret e bllokuar nga mjetet e bagazhet

Qyteti jugor, Saranda, apo metropoli i turizmit shqiptar, ende pa një vendqëndrim të udhëtarëve dhe vend stacion publik të linjave të transportit urban dhe interurban. Që prej kohës së ndërtimit të një objekti në ish-sheshin e agjencisë së udhëtarëve në Sarandë, ndërtesë që okupoi një pjesë të konsiderueshme të këtij vendi të rëndësishëm të shërbimit publik, Saranda sot nuk ka një vend të caktuar për vendqëndrimin e automjeteve të linjave si brenda rrethit, midis rretheve dhe ato midis Greqisë dhe Shqipërisë.

KAOS NË QARKULLIM

Është me të vërtetë një situate kaotike, shqetësuese dhe kërcënuese për qytetarët kalimtarë dhe udhëtarët në pritje. Këta të fundit janë nën riskun e pritjes shoqëruar edhe me vapën e nxehtë, apo të ftohtin dhe shiun, në vartësi nga koha kur udhëtojnë. Ndërsa udhëtarët kalimtarë të qytetit janë të detyruar të rrezikojnë jetën duke u detyruar të kalojnë në pjesën rrugore të kalesës së automjeteve. Kjo sepse trotuaret e Sarandës janë të zëna me autobusë, taksi dhe ambalazh i udhëtarëve në pritje të lëvizjes së destinacionit. Nga ish sheshi i agjencisë dhe deri në përfundim të sheshit kryesor “Nënë Tereza” të gjitha trotuaret janë kthyer në vend parkime dhe vendqëndrime të udhëtarëve. Një risk ky që i shtohet kalimtarit sarandiot, sikur mos t’i mjaftonte mungesa e sinjalistikës (pavarësisht fondeve të akorduara disa herë në disa vite), katrahurë në rregullat e qarkullimit nga automjetet e deri tek zënia edhe me tezga tregtarësh të trotuareve.

QYTETARËT DHE SHTETI

Qytetarët që çdo ditë ndodhen nën rrezikun e një aksidenti të mundshëm, pa bërë fjalë për sfilitje e normalitet në qarkullin në rrugët kryesore e dytësore të qytetit, shprehen të shqetësuar. Po ashtu dhe turistët e shumtë që frekuentojnë këtë qytet, përballen me këtë kaos urban e sfilitje fizike. Por zëri i tyre, kjo situatë e rëndë, megjithëse është bërë prezent në të gjitha institucionet, në bashki, polici, e deri në Tiranë, asnjë masë nuk po merret në këtë drejtim. Kësaj situatë disavjeçare nuk i vjen në ndihmë asnjë institucion për përmirësimin e sajë dhe as bëhet fjalë për projekte të rregullimit dhe sistemimit të lëvizjes urbane dhe interurbane të Sarandës. Pa le më të presim se ndonjë ditë dikush do t’i japë përgjigje pyetjes disavjeçare të sarandjotëve: “Si u katandis kështu Saranda, kush e katandisi, ku shkuan paratë e deklaruara për sistemim të udhëtarëve, a do të ketë ndëshkim për shkaktarët?… Me sa duket këto do të mbeten retorika qytetare…