Kush djeg deri 450 kw, do paguajë më shumë

    426
    Sigal

    ERE: Çmimi i ri i energjisë për familjarët është 9,5 lekë për kw. Rritje edhe për biznesin e vogël e të madh

    9,5 lekë do të jetë çmimi që qytetarët shqiptarë do të paguajnë nga 1 janari i vitit 2015, për çdo kilovat energji të harxhuar. Vendimi për rritjen e çmimit u bë i ditur dje nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili e justifikoi çmimin e ri me rritjen e efiçencës. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, ERE nisi mbledhjen për çmimin e ri të energjisë, ku vendosi heqjen e fashës mbrojtëse dhe rritjen e çmimit për konsumatorët familjarë në 9.5 lekë për kw. Aktualisht, (deri në 31 dhjetor 2014) çmimi i energjisë për familjarët është i përshkallëzuar me dy nivele, ku 300 kw/h e para paguhen me 7.7 lekë, ndërsa sasia sipër këtij niveli, 13.5 lekë.

    Ndërsa bizneset e vogla pritet të paguajnë 11 lekë për kw/orë, ndërsa ato të mëdhatë 14 lekë për kw/orë. Për furrat e bukës çmimi do të jetë 7.1 lekë për kw/orë.

    Po ashtu ERE ka vendosur të rrisë çmimin e prodhimit në 1.45 lekë. Ndërsa çmimi mesatar i energjisë për OSHEE-në do të jetë 10.7 lekë për kw.

    Gjatë mbledhjes, ERE ka vendosur të mbajë të pandryshuar edhe tarifën e transmetimit për OST. OST kërkoi më herët rritjen e çmimit të transmetimit në 0.7 lekë.

    Për një familje e cila konsumon saktësisht 300 kilovat/orë në muaj, çmimi i ri që miratoi Enti e rrit faturën e energjisë nga 2 mijë e 772 lekë që është aktualisht, në 3 mijë e 420 lekë pas 1 janarit, duke përfshirë edhe taksat.

     

    Të favorizuarit dhe të humburit e çmimit të ri

    Në fakt, njehsimi i çmimit rreth nivelit prej 9.5 lekë për kilovat e rrit faturën mujore për të gjitha familjet që konsumojnë deri në 450 kilovat/orë në muaj. Ndërsa për ata mbi këtë nivel konsumi, formula e re e lehtëson barrën, sipas përllogaritjeve të “Telegraf”.

    Kompensimi

    Qeveria do paguajë 16 milionë dollarë për të kompensuar një sërë kategorish me të ardhura të pakta nga rritja e çmimit. Sipas skemës, rreth 204 mijë familje në vend do të marrin nga 700 lekë në muaj kompensim për rritjen e çmimit. Por të dhënat e vetë Entit tregojnë se numri i konsumatorëve që preken nga çmimi i ri është shumë më i lartë.

    Qeveria këmbëngul se një pjesë e madhe e tyre abuzojnë me tarifën aktuale, pasi për të ulur pagesat kanë instaluar më shumë se një matës që të përfitojnë nga blloku i mbrojtur prej 300 kilovat. Në këtë rast, parimi kryesor i qeverisë së majtë, ajo e progresivitetit, rrit barrën për familjet me të ardhura më të pakta dhe e lehtëson atë për më të pasurit.

    box

    ÇMIMI I RI I ENERGJISË NGA 1 JANARI

    Familjarët – 9.5 lekë për kw/orë

    Bizneset e vogla – 11 lekë për kw/orë

    Bizneset e mëdha – 14 lekë për kw/orë

    Furrat e bukës – 7.1 lekë për kw/orë

    Ambientet e përbashkëta – 9.5 lekë për kw/orë

    Basha: Rritja e çmimit të energjisë, krim që godet të vobektët

     Për kreun e PD-së Lulzim Basha, vendimi i ERE-s për çmimin e energjisë elektrike është një krim që godet më të pamundurit. Në një reagim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Basha thekson se “rritja e çmimit të energjisë do ta thellojë krizën ekonomike dhe do t’i zhysë edhe me thellë shqiptarët në varfëri dhe papunësi”. “Rritja prej 25 % e çmimit të energjisë për 75 % të shqiptarëve është një krim. Po goditen më të pamundurit, ata që nuk kanë asnjë mundësi ta përballojnë këtë rritje çmimi në kohë krize. I godet me këtë rritje çmimi pikërisht ai që ju premtoi para një viti uljen e çmimit të energjisë, ai që ka 6 muaj që thotë “çmimi nuk do të rritet, gënjen opozita”. Laku ju ka ardhur në fyt shqiptarëve. Rripi është shtrënguar aq shumë, sa po këputet. Rritja e çmimit të energjisë do ta thellojë krizën ekonomike, do t’i zhysë, edhe më thellë shqiptarët në varfëri dhe papunësi. I vetëdijshëm për mashtrimin e tij kriminal, sot që dha mandatën e kobshme ia mbathi për Prishtinë, me stilin e tij, hidh gurin e fshih dorën. Por përgjegjësisë para shqiptarëve nuk do mund t’i ikë dot, kudo ta mbajë vrapin…”- shkruan Basha.

    Shqiptarët në protestë, bashkë me Kryeministrin Rama

     Pas rritjes zyrtare të çmimit të energjisë elektrike në masën 25 %, qytetarët shqiptarë presin që kryeministri i tyre të mbajë premtimin se do të dalë në protesta së bashku me ta. Loja e kungulleshkës e Qeverisë me çmimin e energjisë elektrike (do rritet; s’do rritet; po sa do të rritet, etj.) rriti më shumë presionin, e ushtruar nga opozita dhe opinioni publik, presion që e detyroi Kryeministrin Rama të deklarojë në Twitter (në 7 dhjetor) se “Nëse çmimi i energjisë rritet me 22 %, do dal dhe unë në protestë”. Dhe meqë rritja e çmimit e kaloi këtë prag, shqiptarët ftojnë kryeministrin e tyre të protestojë bashkë me ta.