Zef Bushati: Nuk jam optimist se marrëveshja maxhorancë-opozitë do të funksionojë

455
Sigal

Zef Bushati, President i Unionit Demokristian: Edi Rama i përdori aleatët për të ardhur në pushtet dhe jo për të respektuar votat

Zef Bushati, Presidenti i Unionit Demokristian, në intervistën për “Telegraf” shpreh bindjen se marrëveshja e politikës tonë, nuk do të funksionojë, pasi ata nuk janë të prirur që të respektojnë pikat e saj. Rama, thotë zoti Bushati, i përdori aleatët e tij vetëm për të marrë pushtetin, duke i braktisur më pas. Edhe dekriminalizimi i Parlamentit, shton Bushati, është shumë i paqartë  në përcaktimin se cilat do të cilësohen “kriminelë”, dhe kjo nuk ka për t’u arritur, të paktën para zgjedhjeve të pushtetit vendor.

– Zoti Bushati, mendoni se maxhoranca dhe opozita do ta respektojnë marrëveshjen  dhe do kemi sjellje tjetër politike nga të dy palët ?

– Mendoj se është një marrëveshje e vështirë, e cila u arrit me mjaft sforcim nga të dy palët. PD zgjidhjen e konfliktit e përcolli në PE, ndoshta më shumë për të përligjur bojkotin dhe për të denoncuar trajtimin që maxhoranca PS dhe LSI i bën opozitës në parlament, se sa për të gjetur një mbështetje në kërkesat e saj. Pika nevralgjike e marrëveshjes është mospërdorimi i shumicës së cilësuar, 84 vota nga maxhoranca për çështje të rëndësishme.” E kush e vlerëson se cila është çështje e rëndësishme ose jo? Këtu nis debati dhe marrëveshja prishet. Pika tjetër flet që “Opozita dhe maxhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e BE-së, për çështjen e individëve me rekorde kriminale…” Dhe po të mendosh që është shpallur dhe data e zgjedhjeve lokale, vështirë se kjo marrëveshje do të dekriminalizojë politikën para këtyre zgjedhjeve.

– Rama me aleatët nuk e respektoi marrëveshjen paraelektorale që nënshkroi. Përse ?

– Edi Rama ka kohë që nuk e përmend më se: “kemi të bëjmë me një koalicion me bazë të gjerë përtej së majtës e së djathtës”. Në fjalimet e tij sot, ai flet për një koalicion të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Atëherë, Aleanca Demokristiane, Ligj dhe Drejtësi e Av. Spartak Ngjelës në koalicion dhe ndonjë parti tjetër e djathtë, u përdor nga Edi Rama për të ardhur në pushtet. Kemi pritur gjatë, por tani ka ardhur momenti që t’ia bëjmë të ditur PE-së, Partive Popullore Europiane Kristian Demokrate, meqenëse “hallet” e politikës tonë nuk po zgjidhen në Shqipëri, por në Bruksel.

– A është i besueshëm në politikën e tij kryeministri Rama, qoftë në kontratën që ka bërë me elektoratin, me popullin ?

– Varet nga këndvështrimi. Besueshmëria është relative e jo absolute. Për mjaft reforma të ndërmarra ne gjykojmë pozitivisht. Mendoj se duhet të goditet korrupsioni edhe në nivelet e larta e jo vetëm tek qytetarët e varfër. Të kapen e të procedohen me burg hajdutët që vjedhin energjinë, shtetin, por në burg duhet të shkojnë edhe të gjithë nëpunësit e çfarëdo niveli të administratës, nga ministër e poshtë, që vjedhin paratë e qytetarëve. Qeveria duhet t’i detyrojë hajdutët e administratës, që vjedhin paratë e qytetarëve të kthejnë mbrapsht në arkë deri në lekun e fundit të gjitha paratë e vjedhura, njësoj si detyron qytetarët debitorë. Këtë kërkon BE, kjo është reformë që integron Shqipërinë. Nëse Edi Rama punon me një standard, është i besueshëm në politikën e tij si kryeministër.

– Sa sociale po tregohet qeverisja e majtë ?

– Rama po bën përpjekje të vendosë bazat e një shteti ligjor. Ka një punë të vështirë përpara që i ka dalë për zot ta realizojë me një staf të ri që në shumicën e rasteve nuk i kalojnë 30 vjeçët. Me këtë të fundit nuk bie dakord. Është një brez mjaft i përgatitur 45-55 vjeç, që po mat rrugët e qyteteve, duke ndryshuar çdo ditë kafenetë. T’i heqësh të drejtën e punës kësaj kategorie, do të thotë që atyre i ke hequr dinjitetin dhe shtetit pjesën më prodhuese të trurit. Problemet sociale janë shumë të thella në Shqipëri. Duhen projekte të mëdha dhe investime serioze për zbutjen e plagëve sociale. Por fondet mungojnë.

-Përse maxhoranca nuk ndërmerr dot reformat në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit?

– Gjyqësori dhe prokuroria është në mënyrë të pamohueshme akoma në krizë, veçanërisht për shkak të fuqisë së saj jo të mirë dhe të zgjatjes së tepërt të proceseve. Kriza e drejtësisë është kriza e gjykatësve dhe prokurorëve. Mund të thuhet që drejtësia në Shqipëri është, akoma sot, shumë e ngadaltë, shumë larg parashikimeve prej të cilave asaj i kërkohet, është ende larg për plotësimin e standardeve që kërkon anëtarësimi në BE.  Shihet një tendencë në rritje në veçanti tek ndjekja e proceseve me ngarkesa politike, shfrytëzimi i tyre për efekte elektorale. Është i lexueshëm ndikimi i “miqve” të partisë, ose i figurave me pushtet tek veprimet evidente të kryera nga prokuroria, ose nga gjykatës, të cilët përdorin edhe shtypin, ose një mjet tjetër informacioni për të përhapur lajme të “fshehta” të sekretit profesional, në mënyrë që të mbahet gjallë një fushatë kundër këtij, ose atij “armiku” politik. Pa reformë në Drejtësi, nuk ka luftë kundër korrupsionit. Ata që nuk duan reformën, duan korrupsionin. Ata nuk duan një FBI shqiptare, që të luftojë korrupsionin ekonomik e politik.

– Mendoni se do të bëhet dekriminalizimi i Parlamentit?

– Kush janë kriminelët e Parlamentit? A ka vërtetë kriminelë në Parlament? Pse PD nuk bën publike listën e saj të kriminelëve të parlamentit? Këta kriminelë janë: kriminelë ordinerë, kriminelë ekonomikë, apo kriminelë politikë? Thjesht fare, të detyrohen deputetët të sjellin në parlament certifikatë penaliteti. Kam bindje se të gjithë do sjellin certifikata të pastra, ku asnjeri prej tyre nuk është i dënuar penalisht dhe është në një proces penal. Atëherë, për çfarë dekriminalizimi flasim? Nëse nuk ekziston, le të krijojnë një drejtori pranë SHISH, që të hetojë personalitetet, deputetët, politikanët, ministrat, apo drejtues të tjerë të lartë. Të hetojë jetën e tyre private, lidhjet që ata kanë me vendas dhe shërbime të huaja etj. Pse unë vetëm i di këto? Ky dekriminalizimi i Parlamentit më duket si flluska e radhës dhe kam frikë se do t’i ngjajë flluskës së hapjes së dosjeve dhe censusit.

– Faleminderit!

Jakup B, GJOÇA