Kryeministri Rama: Modernizimi i administratës publike thelbësor, përmirësim me pjesëmarrjen e vetë trupës. Në qershor do rrisim rrogat

68
Sigal

Në qershor hyn në fuqi rritja e rrogave, kryeministri: Arrijmë objektivin 900 euro paga mesatare

Në Tiranë u prezantua të mërkurën Plani i Motivimit të Administratës Publike. Plani që është pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit në shërbim të qytetarëve u prezantua në një ceremoni ku merrnin pjesë drejtues të ndryshëm. I pranishëm në takim Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalë së tij se modernizimi i administratës publike është thelbësor ndërsa theksoi se mirëqënia shpirtërore, psikologjike e punonjësve sidomos në administratën publike është e dorës së parë. “Nëse ka një vlerë të posaçme ky takim është fakti që nisma ka një element thelbësor në të gjithë mënyrën se si është projektuar, që është pjesëmarrja e vetë juve në përmirësimin e të gjithë atyre elementëve që përbëjnë jetën e përditshme në punë dhe sa më shumë të përmirësohen patjetër aq më shumë secili mund të pres nga vetja dhe të gjithë së bashku mund të presim nga puna jonë. Në dukje janë gjëra të vogla që njeriu thotë pse nuk janë bërë përpara, por ja që jo vetëm ka gjithmonë vend e arsye për t’u përmirësuar, nga ana tjetër pikërisht sepse nuk është ndjekur më parë një praktikë e tillë, ato që shefave që marrin vendimin u duken të vogla, se shefat nuk i numëron njeri tek dera në orën 8 e kanë të vështirë ta kuptojnë se sa e rëndësishme është që ai numërimi i orës 8 të mos kthehet siç është kthyer shumë vite shumë shpesh në një akt formal të gjoja disiplinës. Sot nuk e kemi këtë problem, pasi masivisht shërbimet jepen online, nuk kemi më sportele përveç atyre që janë të pamundur të mbyllen kur të marrësh pasaportën duhet të vësh shenjat e gishtërinjve apo kur do martohesh, nuk është bërë akoma një skemë martese online, do vijë me siguri. Por 95 % e proceseve sot janë online, nuk ka më adresa fizike që të rrish në radhë e të presësh. Kjo bën që përmbajtja e punës pas dyerve te mbyllura tanimë të sporteleve mund te jetë një përmbajtje që mund të administrohet me fleksibilitet. Duke menduar nënat e reja që kanë fëmijë të vegjël që duhet t’i shoqërojnë, t’i çojnë në shkollë është e panevojshme që të jetë kjo ngarkesë ose ato që kanë nevojë të shkëputen të shkojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët, prindërit dhe nga ana tjetër kjo do kërkojë një fazë kolaudimi në mënyrë sesi të programohet, ka kohë, ka fasha të caktuara kur duhen bërë takime të përbashkëta apo ndërveprim i brendshëm”. – tha Rama. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë foli edhe për rritjen e pagave. Ai tha se synohet të arrihet objektivi 900 euro paga mesatare ndërsa theksoi se kjo nuk do të jetë fundi i rritjes së pagave, por është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe. “Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave. Të gjithë do kenë rritje në pagën e tyre dhe do arrijmë objektivin e shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro. Dhe kjo nuk diskutohet, qershori është muaji i fundit me këtë pagë qe keni dhe me kryerjen e të gjitha procedurave paga e radhës do jetë paga e rritur.” – tha Rama.