Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjen e Ligës së Kombeve me Skocinë

728
Sigal

Përfaqësuesja jonë zhvilloi dje stërvitjen e parë, Lila dhe Gjimshiti sigurojnë se do të japin maksimumin në fushën e lojës, nuk ndalen problemet me dëmtimet

Kombëtarja Shqiptare zhvilloi ditën e djeshme stërvitjen e parë, në përgatitjet për ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin. Por, që në këtë seancë të parë, kanë vijuar dhimbjet e kokës për trajnerin Panuçi, të cilat i shfaqi edhe në konferencën e djeshme për shtyp. Trajneri Panuçi e nisi me një diskutim të gjatë me grupin këtë seancë të parë, rreth 15 minuta. Viheshin re fytyra serioze në portretet e futbollistëve shqiptarë, duke qenë se vetë Panuçi paralajmëroi një stërvitje akoma më të fortë, si dhe rregulla më strikte. Gjithsesi, në seancën e parë stërvitore, ku mediat u lejuan të qëndronin për vetëm 15 minutat e para, ishte parashikuar një program i lehtë stërvitor, duke qenë se shumë prej lojtarëve vijnë nga impenjimet me kampionatet respektive. Kombëtarja do të qëndrojë në resortin “Tropikal” në Durrës, ku është grumbulluar, deri të premten e ardhshme, kur do të transferohet drejt Shkodrës, një ditë para takimit të fundit në grupi në Nations League me Skocinë.

Deklarata e Andi Lilës dhe Berat Gjimshitit 

Kombëtaren shqiptare e pret sfida me Skocinë në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë luajnë mundësitë e tyre të fundit për një kualifikim hipotetik. Padyshim është një mision shumë i vështirë për t’u arritur, por për Andi Lilën, ajo që duhet të bëjnë të gjithë futbollistët është të japin maksimumin në fushën e lojës, ndërkohë që nuk e mohon se mund të zëvendësojë Hysajn e skualifikuar. “Duhet të japim maksimumin për të fituar ndaj Skocisë. Duhet të bëjmë të njëjtën paraqitje si me Izraelin dhe të shpresojmë të kemi rezultatin në favor. Për ne nuk ka skuadra të forta apo të lehta, do të demonstrojmë mundësitë tona. Duhet të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe secili prej nesh të tregojë vlerat e tij. Unë mbrojtës i djathtë? Nuk e kam problem të luaj në atë pozicion në Kombëtare”, tha Andi Lila, futbollist i kombëtares. Ndërsa Berat Gjimshiti theksoi se skuadra ka bërë gabime personale në mbrojtje që i kanë kushtuar shtrenjtë dhe se ndaj Skocisë pritet një sfidë e vështirë. “Në kombëtare jap gjithnjë maksimumin. Në sfidën e luajtur në Izrael nuk patëm fat. Kemi bërë shumë gabime në mbrojtje që na kanë kushtuar. Ndaj Skocisë na pret një duel i vështirë. Unë do të jap më të mirën time, nëse do të luaj në këtë ndeshje”, tha Berat Gjimshiti, futbollist i kombëtares. Sfida mes Shqipërisë dhe Skocisë do të luhet mbrëmjen e së shtunës, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Problemet me dëmtimet

Trajneri Kristian Panuçi ka vendosur që të thërrasë një tjetër futbollist për grumbullimin e ndeshjeve me Skocinë dhe Uellsin, pasi ka parë të reduktohet për shkak të dëmtimeve apo pamundësisë për të udhëtuar numrin e lojtarëve që kishte planifikuar të afronte për këto sfida. Dëmtimi i Ramadanit si dhe mosardhja e Sadikut, Balliut e së fundmi Durmishajt, ka bërë që trajneri të mos ketë një numër të mjaftueshëm lojtarësh për të përballuar si duhet ndeshjen me Skocinë ku mungojnë edhe Hysaj e Basha për pezullim, ndërsa Manaj nuk është në maksimumin e tij. Kësisoj, Panuçi ka kthyer sytë nga një tjetër element që njeh duke i dërguar ftesë mesfushorit ofensiv Egli Kaja. Ky i fundit ishte edhe në grumbullimin e tetorit, por nuk u aktivizua në sfidat ndaj Jordanisë dhe Izraelit për asnjë minutë. Eros Grezda dhe Ermir Lenjani nuk janë stërvitur, edhe pse shqetësimet që kanë pasur mendohet të jenë të lehta. Futbollisti i Rejnxhërsit në Skoci, i cili këtë fundjavë shënoi edhe 2 gola, u pa me një qese akulli në kofshën e tij, ndërsa Lenjani ndoqi seancën nga pranë fushës.

Trajneri i Skocisë: Duhet të marrim si shembull fitoren e parë me Shqipërinë

Alex McLeish e ka të qartë se çfarë do t’i kërkojë lojtarëve për ndeshjen e së shtunës në Shkodër me Shqipërinë e vlefshme për Ligën e Kombeve. Trajneri i Skocisë do të marrë si shembull më të mirën në sfidën e parë e luajtur në Gllazgou që përfundoi me fitoren 2 – 0 të vendasve. “Duhet ta zhvillojmë më shumë paraqitjen që patëm në ndeshjen e parë me Shqipërinë. E kam të qartë se çfarë dua. Më duhet t’i shpjegoj lojtarëve saktësisht se çfarë duhet të bëjnë në dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve”- tha tekniku i Skocisë. Alex McLeish është shtrënguar të bëjë ndryshime në grupin e futbollistëve për shkak dëmtimesh. David Bates, Ryan Jack, Scott McTominay dhe Scott Bain janë afrimet e fundit. Skocia duhet të përballojë edhe sfidën me Izraelin që mbyll takimet në Grupin 1 të Ligës C.