Ismail Strazimiri për çështjen kombëtare

1253
Sigal

Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 75-vjetorit të rënies)

Protagonist i rendit parësor

Atdhetari Ismail Strazimiri, ishte një prej protagonistëve të rendit parësor në gjysmën e parë të shek. XX. Koha prej më se 90 vitesh që ka kaluar jo vetëm që nuk e ka pakësuar, por e ka rritur vlerën e tij. Kjo vlerë është rritur deri në atë shkallë sa pyesim se cila ka qenë ndihmesa e këtij protagonisti në zhvillimet parësore të Shqipërisë: puna atdhetare apo përshkrimi i ngjarjeve. Në veprën e Strazimirit del se janë të dyja bashkë. Ismail Strazimiri në momentet më kritike të historisë shqiptare mbajti qëndrimet më të denja, dhe këto janë që nga Shpallja e Pavarësisë; dy luftërat dhe dy paqet e paqëndrueshme ballkanike; njohja e premtuar e një shteti shqiptar me kufij shumë në brendësi të hapësirës së vet historike; hapja e çështjes së caktimit të kufijve; projekti i Fuqive të Mëdha, për një monarki të re pa monark në rajonin ballkanik; dorëheqja pa shpjegime e Ismail Qemalit; konkursi i princërve dhe shpërthimi epidemik i vullneteve vetjake dhe fisnore për kurorën e një shteti ende të panjohur ndërkombëtarisht; ardhja dhe ikja e pa gjurmë e princit trashëgimtar Vid; shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe kryqëzimi i ushtrive të të dy palëve kundërshtare në Shqipërinë pa zot, janë zhvillime që çoroditin shumë lehtë edhe sot jo vetëm soditësin e historisë, por edhe studiuesin e saj.

Me vetëdijen e një rilindësi Ismail Strazimiri ishte në gjithë këto ngjarje të turbullta atje, ku i bëhej mirë atdheut të tij. E vërteta është se kjo ka ndodhur vetëm në një grusht njerëzish idealistë, të cilët, nuk ishin pjesë e ndonjë projekti të të huajve për të sunduar në Shqipëri e që e donin sinqerisht atdheun e tyre pa ndonjë interes vetjak. Ismail Strazimiri paraqitet në jetën e vendit me vetëdijen e një rilindësi. Në kujtimet e botuara të tij, të plota ka vërtetësi të thellë dhe denoncuese. Ato kanë vërtetësinë burimore, lartësimin e parësisë, madhështinë e traditës, por dhe pa bërë përjashtim të konformizmave të kohëve. Duke lexuar dhe studiuar këto kujtime kupton qartë se historia e fillimit të shtetit shqiptar është një histori fatkeqe, e mbushur me protagonistë që për fat të keq siç i quaj dhe autori “fatzinj”. Mendimtarët e saj më mbylljen e “shekullit të romantizmit” ishin ndarë nga jeta, por dhe vendosur në kryeqytetet e Evropës duke ndihmuar çështjen kombëtare nga mërgimi. Shqipëria, në kuptimin e plotë të fjalës, pikërisht në kohën e themelimit të saj, kishte mbetur në duar të që siç thekson autori të “dallkaukëve”. Koha kur punoi dhe luftoi, që në libër përshkruhen shumë qartë, Ismail Strazimiri ishte e mbushur me protagonistë të shumtë e me tituj të trashëguar nga perandoria osmane. Kjo elitë ishte e lodhur dhe e dështuar nga të gjitha drejtimet, si morale, politike, intelektuale etj. Ismail Strazimiri gjithë kësaj elite të madhe në dukje u gjen dhe u vendos përballë një atdhetar të formuar, me një flamur të vetëm për shpëtimin e Shqipërisë: Elez Isufin. Ai për të, përbën figurën më të rëndësishme në të gjitha faqet e librit të tij. Siç shprehet vazhdimisht autori, ai ishte modeli i njeriut shqiptar që i kushtonte gjithçka vendit të tij. Elez Isufi mbetet e vetmja dritë dhe shpresë në gjithë botën e ndërlikuar të karaktereve të atdhetarëve të kohës në librin e tij. Dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit Kujtimet e Ismail Strazimiri janë për periudhën nga Shpallja e Pavarësisë deri në Revolucionin e Qershorit. Siç i përshkruan Ismaili në këto 12 vjet ka mbrapshti sa për disa shekuj. Shqipëria u bë, por jo siç e deshën shqiptarët. Aq më pak siç e donte Ismail Strazimiri. U bë një Shqipëri që zyrtarisht thuhej se vërtitej në duart e Fuqive të Mëdha, por vërtetësish rrotullohej sipas konkurrencës së parave të dhëna “krenëve” të saj në Beograd, Romë, Athin, Stamboll, Vjen dhe kryeqendra të tjera të politikës botërore. Pikërisht kjo ishte dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit: se Shqipëria u drejtua nga “krenë pa krye”, që e shisnin Jugun për “dishirë” të Veriut e anasjelltas; që ia falnin dreqit të krishterët për një “Shqipëri të bekueme myslimane”; që i ndanin zotërimet e tyre prej Shkumbinit në Mat, prej Matit në Drin e kështu me radhë dhe në drejtimin jugor. Shqipëria e kujtimeve të Ismail Strazimirit ishte një republikë shesh-beteje, një shtet etnografik, ku për të kaluar nga një krahinë në tjetrën duhet “besa-besë” dhe asgjë tjetër! Ishte një Shqipëri që, sipas Fishtës, kur të përligjte pavarësinë e vet, e kjo do të ndodhte “për inat të djallit dhe të shqiptarëve”, që bashkëpunonin kundër saj. Pamjaftueshmëria e ushtrimit të pushtetit qeverisës, i shpuri shqiptarët në një qeverisje etnografike-fisnore-politike. Shqipëria e viteve 1912-1924, siç e dëshmon me dhimbje ishte në kuptimin e plotë të fjalës një shtet ku ligjin e bënin krerët e fiseve; një shtet që nuk ishte as monarki, as republikë; një shtet ku krahinat shpallnin pavarësinë prej atdheut dhe ruanin me ushtarë vullnetarë “kufijtë” e tyre, urat, shtigjet e kalimit. Revolucioni i Qershorit më 1924 ishte dëshpërimi i fundit i Ismail Strazimirit. Ai e pa revolucionin duke dështuar nga dita në ditë dhe nga ora në orë. Dështimi i këtij revolucioni përbën një kufi kohor përmbi të cilin Ismail Strazimiri nuk ngrihet. Dhe kjo shpjegon dhe faktin që ai, gjatë gjithë periudhës mbretërore, nuk mori asnjë shërbim dhe funksion, megjithëse ishte një prej njerëzve më të formuar të asaj kohe.

Sfida e fundit dhe libri Portreti i Ismail Strazimirit mund ta bëjmë nëpërmjet librit të tij, kështu: u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit; mbështetës i princit evropian Vid, që kundërshtarët e paraqitnin si një katundar austriak dhe të dërguar të krishterimit; njohës dhe kundërveprues i drejtpërdrejtë dhe ballë për ballë ndaj politikave të ringjalljes së pashallëqeve, e quajti Luftën e Vlorës si një kurorë nderi e mburrje për kombin shqiptar, mori anën e krahut revolucionar fanolist të vitin 1924, si dhe një paralajmërues i rreptë i dështimit të tij; larg qeverisjes republikane dhe mbretërore. Megjithatë, Ismail Strazimirit i kishte mbetur edhe një sfidë e fundit. Ajo ishte pjesëmarrja në Luftën Antifashiste. Tashmë ai njihet si dëshmori më i moshuar i kësaj lëvizjeje në shkallë botërore. Ishte 75 vjeç kur u vra në Sllovë prej ushtrive të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke pasur në krah bashkëluftëtarë dy djemtë. Ismail Strazimirit në libër trajton gjerësisht ndërmjet kujtimeve të tij çështjen kombëtare shqiptare në fillimet e bërjes së shtetit shqiptar. Shënimet dhe libri kanë një rëndësi historike dhe studimore për njohjen dhe rrugën e përshkura para dhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Në përmbajtjen e tij autori ka tej shkruar mjaft biseda shumë të rëndësishme me veprimtarë të kohës, vendas e të huaj, të zhvilluara nga ai vetë; letra të pritura e të dërguara; shënjime të rëndësishme për njohjen e procesit historik; informata dhe të dhëna që nuk gjenden në shkrimet historiografike. Veprimtaria e Ismail Starzimirit jep njohuri të plota dhe të sakta për historinë e lëvizjes atdhetare, por dhe të veprimit antikombëtar në dy dekadat e para të Shqipërisë si shtet.

Me librin e tij, Ismail Strazimiri në vjen si një patriot, veprimtar dhe pjesëmarrës me rëndësi parësore në periudhat historike të ngritjes dhe ngjizjes së shtetit shqiptar, Ismail Strazimiri, vjen me një botim të veçantë të paraqitur në dy kohë të largëta njëra nga tjetra. Në librin “Kujtime Historike” të botuar në vitin 1931 dhe në librin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, kujtime historike për lëvizjen kombëtare në qarkun e Dibrës, botuar në vitin 2010, i kushtohen zhvillimit të lëvizjes kombëtare nga vitet 1900 deri në vitin 1924. Ky libër vjen i plotë nën redaktimin dhe përkujdesjen shkencore të Prof. dr. Shaban Sinani, si dhe të shtëpisë botuese “Naimi” në Tiranë. Ismail Strazimiri si atdhetar shfaqet në periudhat historike të kohës që kaloi vendi ynë nga Rilindja Kombëtare, Shpallja e Pavarësisë, mëkëmbja e shtetit shqiptar dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku dhe ra dëshmor i saj. Libri, si një botim i parë dhe i plotë, vjen në një kohë kur, këto kujtime janë përmendur dhe vlerësuar nga shumë studiues, të cilët janë konsultuar me muzeun historik të qytetit të Peshkopisë (Dibrës), në arkivat familjare dhe në shkrimet e kohërave të shkuara.