Ismail Myrtaj*/Çamëria kullon gjak…

    370
    Sigal

    Thonë se një femër e bukur bie pre e lakmive, xhelozive, intrigave, dhunimit e përdhunimit. E bëra këtë hyrje se edhe Çamëria, me bukuritë dhe mrekullitë e zotit, kjo nuse e bukur në brigjet e Jonit mesdhetar, është viktimë e bukurisë së sajë dhe jo e akuzave që i etiketojnë prej mëse një shekulli. Ditët e fundit në tregun elektoral është rishfaqur  Çështja Çame në kërkesën e PDIU-së për miratimin e Rezolutës Çame. Partitë politike të majta, të djathta, të qendrës e të gjithë spektrit politik shqiptar nuk kanë munguar me vullnetin e tyre për të kërkuar aleancë parazgjedhore me forcën politike që përfaqëson komunitetin dhe interesat çame këtej e përtej kufirit shtetëror, të kuptohemi pa kërkuar tjetërsim të kufijve midis shteteve tona fqinje. Në këtë situatë, PDIU dhe shoqata “Çamëria” kërkojnë miratimin e Rezolutës Çame nga Parlamenti shqiptar, si një domosdoshmëri historike për mbylljen e kësaj plage shoqërore, kombëtare dhe politike duke e institucionalizuar atë në ligjvënësin shqiptar, për të vënë në vend një padrejtësi dhe një të drejtë të mohuar ndaj Çamërisë dhe popullsisë së saj. Minimalisht, në këtë Rezolutë në një pikë të sajë kërkohet njohja e problemit çam, por presionet ndaj forcave politike dhe Parlamentit bëjnë që zvarritjet ta kalojnë në sirtarët e harresës përsëri. Autoritetet zyrtare greke thonë se, kjo çështje nuk ekziston fare duke na quajtur herë popullsi endacake, herë ekstremistë të nacionalizmit të sëmurë ballkanik, herë si faktorë destabilizues të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe paqes në rajon. Jo zotërinj! Është e kundërta! Çamët kërkojnë paqe, drejtësi, stabilitet rajonal, bashkëjetesë në fqinjësi të mirë, të drejtën e pronave. Çështja Çame ka ekzistuar që në vitin 1912 dhe çamët nuk i pranojnë akuzat si bashkëpunëtorë të nazizmit, pasi flasin dokumentet historike dhe diplomatike, flet rezistenca 55 ditore ndaj nazizmit në Bogaz, flasin heronjtë e Çamërisë, flet gjaku i derdhur në altarin e lirisë. Por megjithatë, e keqja më e madhe vjen nga vetja jonë, nga politika shqiptare. Debati dhe presioni i kërkesës, trysnia mbi politikën shqiptare për ta miratuar Rezolutën nxori një fakt sa të dhimbshme, aq dhe antikombëtar. Atë të miratimit të kësaj Rezolute nga Parlamenti shqiptar më 2004, por socialistët nuk e kanë përfshirë në protokollet e seancave parlamentare. U replikua dhe vetëm kaq! Zgjidhja e Çështjes Çame çon në shkallë sipërore krenarinë dhe dinjitetin kombëtar. Dhe zgjidhja kërkohet në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare dhe shpreh vullnetin e kombit tonë, e për këtë jemi të bindur se kjo çështje do të zgjidhet dhe Europa do të konfirmojë se është për fqinjësi, stabilitet dhe paqe në Ballkan. Të gjitha forcat kërkojnë aleancë parazgjedhore dhe premtojnë zgjidhje dhe mbështetje të çështjes Çame, por nuk po bëjnë asgjë, duke e kthyer si plaçkë elektorale. Zotërinj, mos u tallni! Padrejtësisë po i vjen fundi. Një argument sa banal aq dhe i pa argumentuar juridikisht: bashkëpunëtor të fashizmit! Më thoni në cilin ligj ndërkombëtar shkruhet se popullsia bashkëpunuese me fashizmin gjatë luftës së dytë botërore ndëshkohet me krime, gjenocid, shpërngulje dhe sekuestrim prone? Dhe në cilin vend tjetër të botës ndodhi kjo? Ka ardhur momenti që para se Evropa të vendosë drejtësinë, edhe politika shqiptare duhet të tregojë qytetari, përgjegjësi kombëtare, patriotizëm, se vetëm kështu rajoni i Ballkanit do të jetojë në paqe dhe stabilitet. Vetëm kështu gjaku i derdhur nga bajonetat zerviste do të mund të çelë lulet e dashurisë dhe mirëkuptimit rajonal. Trimi fal, por kur edhe i thua më fal. Votoni Çamërinë! Le të jemi një për Shqipërinë!

    *Kryetar i Komunës Markat-Çamëri