Ishte dënuar për drogë, 48 vjeçari gjendet në Mirditë

63

Një 48 vjeçar nga Mirdita ka përfunduar në prangat e policisë në kuadër të një operacioni të koduar “Streha e fundit”.

Forcat “Shqiponja” çuan në pranga shtetasi Viktor Lekgegaj, i cili u arrestua në fshatin Perlat i Epër, Mirditë.

Ai rezulton i dënuar me dhjetë vite burg për trafik të lëndëve narkotike drejt Kosovës, vepër e kryer rreth vite më parë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Streha e fundit”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Operacioni nga Komisariati Mirditë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”.

Bie në prangat e Policisë 48-vjeçari nga Mirdita, i dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, si dhe për kapjen e personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë dhe forca e posaçme “Shqiponjat” në DVP Lezhë u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Streha e fundit”.

Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Perlat i Epër, Mirditë, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Viktor Lekgegaj, 48 vjeç, banues në Mirditë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, në vitin 2019, e ka dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Shtetasi Viktor Lekgegaj, në vitin 2015, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, ka trafikuar lëndë narkotike kanabis në Kosovë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.