Familja dhe martesa, midis tradicionales dhe postmodernes…

1379
Sigal

Gëzim TUSHI

Pse po dalin nga “binarët e normalitetit”?

Përditë shoqëria jonë “bombardohet” me ngjarje e ndodhi të shpeshta sociale që kanë të bëjnë me dëmtimin e normalitetit dhe rolin social të martesës dhe familjes. Dy institucione polivalente të jetës intime por dhe me dimension e ndikim social të gjerë në shëndetin e shoqërisë. Duke parë sasinë dhe intensitetin e shqetësimeve dhe kurbën në rritje të problemeve që shfaqin këto dy institucione në shoqërinë tonë, duhet të mos jesh realist në gjykim dhe më “këmbë në tokë” në se nuk kupton problemet e shumta, patologjitë endemike të martesës dhe familjes në shoqërinë shqiptare janë bërë shumë shqetësuese. Pa diskutim me shumë peshë në situatën neurotike sociale dhe konfliktet e shumta që i shoqërojnë ato nga brenda. Janë të gjithë treguesit social dhe parametrat sociologjikë që të japin “lëndë të bollshme” sociale, të bindin sociologjikisht se këto dy institucione me rëndësi fondamentale të jetës intime dhe sociale janë në një situatë të vështirë, madje në shumë raste duket se niveli i marrëdhënieve në familje dhe martesë janë katandisur në gjendje mjerane. Një gjendje shqetësuese që po cenon rëndë rolet mikro dhe makro sociale të familjes dhe martesës në shoqërinë tonë. Në një masë të konsiderueshme kjo e lidhur me një “turbulence konceptuale” të natyrshme të kohës postmoderne dhe “goditjeve” që u ka dhënë këtyre dy institucioneve bazë. Kjo e shoqëruar më një lloj mendjelehtësie që po bëhet thelbësore dhe që bashkëshoqërohet me presionet ekzibicionale të kohës, modës dhe ndikimeve të thella dezintegruese që janë bërë tejet qarkulluese mbi martesën dhe familjen. Këto probleme nuk janë çështje anësore, sepse martesa dhe familja nuk janë institucione të izoluara të jetës. Përkundrazi, në kohën tonë është dominant mendimi sociologjik, sipas të cilit martesa dhe familja nuk janë vetëm institucione të jetës intime e private, por së pari janë institucione civilizuese, pa të cilat “qëndrueshmëria shoqërore” do të ishte e pamundur. Duke u marrë për një kohë të gjatë me problemet sociologjike dhe problematikën sociale të martesës në Shqipëri, kam vënë re jo pa shqetësim social faktin, që tashmë kanë filluar të duken qartë gërryerjet dhe “krizat” e martesës dhe familjes. Shumica e shfaqjeve të krizës janë me natyrë thelbësore, karakter endemik. Por për të qenë i vërtetë mendoj se një pjesë prej tyre janë deformime ekzibicionale të modës që ka përfshirë “njeriun mendjelehtë” që është produkt i kohës, epidemisë së modernitetit që tashmë janë bërë fakt i kryer i tipologjisë së jetës sonë. Padyshim ka një lidhje të fortë midis tipologjisë së martesave që bëhen me strukturën dhe funksionet e familjes që krijohet prej saj. Për pasojë duket në mënyrë evidente se defektet e martesës “transferohen” në qëndrimin e njëanshëm që po mbahet ndaj rolit dhe funksioneve të familjes. Kjo ka bërë që martesat e bëra me mendjelehtësi janë pastaj shkaku madhor që krijon një sasi të konsiderueshme “familjesh të përçara”. Sepse paralelisht me shformimet dhe deformimet që po pëson martesa dhe familja shqiptare nën trysninë e fenomeneve të kohës, po përballemi edhe me një lloj kakofonie teorike e sociologjike. Për pasojë në analiza dhe shkrime që u bëhen këtyre dukurive ka qëndrime sociale dhe vlerësime sociologjike të njëanshme në interpretimin e thelbit të tipologjisë së ndryshimeve të martesës dhe familjes modern. Shumë analiza bëhen me “oportunizëm teorik” dhe dyfaqësi morale që shfaqen dukshëm në mungesën e sinqeritetit sociologjik që favorizon shfaqjen e ideve konservatore. Sidomos kur mbivlerësohen dhe hipertrofizohen të mirat (që nuk mungojnë) por dhe të metave të njohura të familjes tradicionale shqiptare. Në një farë mënyre akoma mungojnë ose janë të pamjaftueshme analizat që mund të na lejojnë të kuptojmë vlerat dhe mangësitë e martesës dhe familjes tradicionale, asaj në “tranzicion” dhe shfaqjet e pa ekuilibruara të martesës dhe të familjes modern. Modele që tashmë janë në “ekspansion”. Po të shikosh qëndrimet e njerëzve të zakonshëm, por edhe pasqyrimet mediatike, kupton me lehtësi se në gjykimet për martesën dhe familjen, për këto organizime fondamentale të jetës shfaqen ide të skajshme, të pa ekuilibruara, jo realiste, herë me natyrë konservatore, pastaj ultra liberale apo ide që shfaqen si “aliazhe” mekanikisht dhe pa logjikë të përziera keq. Disa prej “ekspertëve liberalë” kanë ngritur “pushkën” dhe i kanë drejtuar bateritë e goditjeve totale kundër martesës dhe familjes tradicionale, duke e mohuar të gjithë vlerat dhe kualitetet historike të tyre, dhe për pasojë janë duke idolatrizuar subjektivisht, në mënyrë krejt të të njëanshme vlerat, statusin e martesës dhe familjes moderne. Madje duke e parë atë pa asnjë të metë, duke i konsideruar ato modele të përkryera të martesës dhe familjes bashkëkohore. Në fushatë “shenjtërimi” të martesës dhe familjes së sotme, të bërë herë për modë dhe herë për të shmangur përgjegjësitë ontologjike, sulmon verbërisht edhe anët e mira të tipologjisë së martesës dhe familjes tradicionale shqiptare, duke e karakterizuar atë me mendjelehtësi herë si strukturë konservatore, të pavlerë për kohën moderne, duke folur dhe shkruar për to me tone dhe nuanca pexhorative të pamerituara. Qëndrimi metafizik, shikimi i njëanshëm, vlerësimi subjektiv i tipologjisë, strukturës, vlerave por dhe mangësive të martesës dhe familjes tradicionale, është sociologjikisht i gabuar dhe nga pikëpamja utilitare dhe e shikimit empirik me pasoja të shumta sociale, një pjesë prej të cilave kemi filluar t’i ndjejmë në shoqërinë tonë. Ka ardhur koha që në çështjet e vlerësimit të martesës dhe familjes nuk mund të ecim kuturu në “tym” apo për modë, dhe të bëjmë gabime duke e parë martesën dhe familjen tradicionale shqiptare në mënyrë të njëanshme. Por kjo nuk do të thotë që nga ana tjetër t’i mbivlerësojmë ato duke i konsideruar me koncepte konservatore dhe të imunizuara nga të metat e shumta historike dhe ontologjike. Unë besoj se si popull i lashtë dhe të qytetëruar që jemi, kemi nevojë që të “mbajmë këmbët” që po na çojnë drejt greminës, të bëjmë një “rivlerësim” të vlerave dhe mangësive të martesës dhe familjes, duke evidentuar me realizëm, duke parë anët negative dhe që realisht duhen mohuar, por edhe duke rivlerësuar disa vlera të martesës dhe familjes tradicionale të cilat i kanë rezistuar kohës. Kjo do të thotë se për çështje të tilla me rëndësi sociale, për struktura me vlerë historike sikurse janë martesa dhe familja, nuk ka asgjë të keqe që të “kthesh kokën pas” për të gjetur “fillin e Arianës”, që është shumë i rëndësishëm për të gjetur rrugën e duhur në të cilën duhet ecur, duke ndryshuar por edhe duke u përpjekura që të ruhen ato vlera që janë historike, morale, utilitare për tipologjinë e martesës dhe funksionimin e familjes edhe në kohën tonë. Kjo do të thotë se nuk është dinjitoz qëndrimi i njëanshëm as ai që idolatrizon martesën dhe familjen shqiptare të së kaluarës, por as ata që duke mohuar këto produkte historike dhe sociale të kohës, disa vlera të cilat edhe në se ruhen, nuk i bëjnë dëm martesës dhe familjes të kohës moderne. Qëndrime të tilla të njëanshme, destruktive, subjektiviste jo vetëm janë të shëmtuara sociologjikisht, por po bëhen sjellje me kosto sociale negative që duhet llogaritur mirë. Kjo situatë duhet parë me kujdes, dhe jemi të detyruar që të “angazhohemi ndryshe”, duke u larguar në vlerësimet dhe interpretimet tona për martesën dhe familjen, qoftë qëndrimet konservatore që mbivlerësojnë në mënyrë totale tipologjinë e familjes tradicionale, që është tipike për ata që nuk kuptojnë imperativat e kohës, që janë të frikur nga ndryshimet e thella që martesa dhe familja shqiptare në kohën tonë. Ndërkaq, në këtë kakofoni të qëndrimeve dhe vlerësimeve kontradiktore të martesës dhe familjes, nuk ka pse “përulemi” përballë presionit, sulmit të liberalëve (jo aq në aspektin teorik se sa në shikimin empirik të çështjes), të cilët në mënyrë të verbër, por në kahun e kundërt me tradicionalistët, shenjtërojnë çdo gjë të tipologjisë së martesës dhe familjes moderne, por pa dalluar ndërkaq problemet e mëdha sociale dhe negacionet e thella morale që po i shoqërojnë ato.

Familja dhe martesa nuk janë institucione të ngurta që nuk reflektojnë ndryshimet e kohës, por ato nuk janë as institucione për të bërë “gallatë teorike” apo eksperimente destruktuese me pasoja të rënda sociale. Ne jemi popull i qytetëruar që dimë të çmojmë pjesën e mirë të traditës, por njëkohësisht të aftë edhe të ndryshojmë në përputhje me kohën dhe imperativat e saj. Kjo do të thotë se një ndjenjë qëndrueshmërie relative ndaj vlerave të së kaluarës në çështjet e martesës dhe familjes, duke marrë anët e mira, vlerat dhe qëndrueshmërinë e tyre tradicionale, por duke mohuar pjesën arkaike e konservatore, do t’i bënte mirë edhe vlerave të qytetërimit tonë por edhe përmirësimit të shëndetit të martesës dhe familjes, duke i ndihmuar ato në përballimin e patologjive të sëmura të modernitetit. Ne nuk kemi pasur martesë dhe familje “viktoriane” por sidoqoftë kemi pasur qëndrim konservator (në kuptimin pozitiv), duke e mbivlerësuar me shumë kujdes vlerën dhe rolin e tyre në shoqëri. Pavarësisht defekteve që ato kanë pasur në përmbajtje dhe formë, ato kanë qenë institucione me vlerë për kohën e tyre. Ndërkaq, ndryshimet që po ndodhin janë shumë pozitive dhe duhen mbështetur. Sepse pavarësisht disa shpërpjesëtimeve anarkike dhe ekzibicionale, që janë pasojë e natyrshme e tranzicionit të logjikshëm, martesa dhe familja duhet të ecin në rrugën që mund të sigurojë stabilitetin e duhur ekzistencial dhe funksional. Mirë do ishte që duke ecur pa kthim përpara por edhe duke e kthyer nganjëherë “kokën pas” nga traditat pozitive të pamohuara të martesës dhe familjes tradicionale shqiptare.

Kjo është pjesë e krenarisë që duhet të kemi për veten tonë. Që do të thotë në të njëjtën kohë të zbulosh vlera nga tradita, t’i vëmë ato në funksion të qytetërimit postmodern. Kjo do të ishte në këto momente shenjë e mirë sociale, që do të tregojë në mënyrë të sigurt, se ne nuk kemi qenë popull pa vlera historike, pa qëndrueshmëri institucionale sociale, stabilitet moral. Përkundrazi…